Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i mëshon ndryshimit përmes votimit të numrit 6 më 25 Prill.
Në një takim me qytetarët e Beratit, Kryemadhi u shpreh se gjeneza e LSI-së janë të rinjtë dhe pikërisht ata të dalë nga strukturat e LRI-së janë sot drejtuesit politikë në qarqe tepër të rëndësishme.
Kryemadhi u ndal tek qarku i Beratit duke thënë se LSI ka pasur gjithmonë tre mandate deputetësh, por këtë herë do të synojë të katërtin.
“Berati është histori, nuk është vetëm histori e trashëgimisë kulturore që ne krenohemi me kalanë, dritaret. Berati është një histori historike, e qëndresës dhe e luftës. E tha Arditi pak më parë që i është bashkuar LSI në moshën 17-vjeçare. Veçoria e LSI ishte që në themelimin e saj kishte zgjuarsinë e njerëzve që duan të bëjnë shtetin, por edhe entuziazmin e gjakut të ri. Të dashur miq, ekipi i Beratit, ka jo vetëm fuqinë, por edhe vizionin për ta drejtuar Qarkun e Beratit aty ku ka nevojë. Largimi i të rinjve nga Berati s’do vetëm fjalë, do guxim e vëmendje. Ky ekip që është i qartë në planin e tij, për të rikthyer vlerat në Berat, ta bëjë atë qendër të ekonomisë.
Nuk mund të them gjë tjetër, për Esmeraldën, që është një grua e jashtëzakonshme, e cila lufton çdo ditë, për të mbajtur biznesin dhe dhënë mundësi qindra grave që kontribuojnë. Me Esmeraldën e cila përfaqëson të gjithë industrinë fason që po luftojnë për të mbajtur punëtorët e tyre. Më 25 prill do i krijojmë hapësirë sipërmarrësve. Ajo për të cilin kemi nevojë, është solidariteti, ndjenja e forcës që lidhemi fort. Dua të theksoj se kam kaq gjëra të bukura nga Skrapari dhe Berati që të japin emocione pafund, sepse mbështetja që ju i keni dhënë LSI është e madhe. Unë dua të flas për ekonominë, arsimin, shëndetësinë, punësimin, të rinjtë e të rejat.
Dua të flas për jetën tuaj të përditshme. Por në fakt hallet dhe problemet nuk mbarojnë asnjëherë. Fuqia dhe besimi tek njëri-tjetri na japin kurajon për të ecur përpara. Unë dua të them dy fjalë edhe për Lefter Maliqin, i cili tha tre mandate në Berat. LSI i ka pasur gjithmonë tre mandate, por rrugëtimet tona kanë qenë me pengesa. Lefter, jam i bindur që të tre mandatet e LSI do i thyesh duke marrë të 4-in, sepse besoj tek dëshira që kanë sot të gjithë qytetarët e Shqipërisë për ndryshim, sepse më e rëndësishme është lufta që ne bëjmë për familjet, të rinjtë dhe të rejat”, – tha Kryemadhi.