Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, në një intervistë për “A2” tha se grabitja në Rinas është e organizuar dhe kanë bashkëpunuar disa institucione, përfshirë bankat.
“Në radhë të parë ne duhet të kishim një deklaratë të qartë nga Policia, por edhe nga bankat e nivelit të dytë, qoftë edhe nga Banka e Shqipërisë sesa është vlera e grabitur, për të informuar opinionin publik në radhë të parë dhe jo për të parë teatrin e radhës ku dy ministra i hedhin fajin njëri – tjetrit, sikur po luajnë ‘topa-djegësi’. Ajo që të bën më shumë përshtypje në këtë ngjarje është fakti se ky është rasti i disatë i grabitjes së parave që transportohen nga Shqipëria drejt vendeve të tjera. Çuditërisht gjithmonë përpara zgjedhjeve ndodhin fenomene të tilla. Mos u çuditni, do ta shikoni shumë shpejt se si do të lëvizë këmbimi i Euros. Ka edhe një tjetër problem, Policia nuk kërkon të gjejë se ku vajtën paratë, por vete dhe bën ciu-ciu nëpër Twitter duke akuzuar opozitën sikur të ishte ajo shkaktare e gjithë kësaj”.
Më tej ajo tha se institucionet duhet të marrin përgjegjësitë dhe të mos bëjnë ping-pong.
“Le të kthehemi tani tek problemet e sigurisë. Për mua situata është shumë e rënduar, jo thjesht tek grabitja që ndodh. Situata është shumë e rënduar përsa i përket çështjes së funksionimit dhe rimbjelljes së parcelave me kanabis, trafikut të drogës, pastrimit të parave. Rinasi është një nga hallkat, ose e para ose e fundit e gjithë zinxhirit kriminal që është ndërtuar dhe institucionalizuar tashmë në Shqipëri. Diçka tjetër që duhet përmendur është fakti që është grabitur një linjë siç është Austrian Airlines, linja më prestigjioze që ekziston në gjithë trafikun ajror. Në këtë rast, institucionet përkatëse në vend të marrin përgjegjësitë, ne rrimë i dëgjojmë ata të zihen se kush e ka fajin, a e ka koncesionari, a e ka siguria, a e ka fajin aeroporti e kështu me radhë”.
Pyetje: Dy gjëra janë: Ose është e qëllimshme dhe sado që të ishte siguri, ato para do të merreshin dhe do të përdoreshin për zgjedhjet. Apo nuk e thatë kështu?
Kryemadhi: Unë jam e bindur që për atë, se për mua është një skemë funksionale, e cila është një bashkëpunim me punonjës banke, me firmën transportuese se të çon logjika vetë dhe me Policinë e Shtetit.