Kryeministri Zoran Zaev doli sot në nj konferencë për shtyp së bashku me ministrin e Financave, Dragan Tevdovski. Në fund të konferencës, Zaev u pyet sërishnga gazetarët për çështjen e Nikolla Gruevskit. Zaev bëri apel që Gruevski të tregojë nëse është larguar nga Maqedonia me vullnet të plotë ose është rrëmbyer.
“Ne do të bëjmë gjithçka që Nikolla Gruevski të vuajë dënimin këtu në Maqedoni. Dhe publikisht po parashtroj pyetjen, duke e ditur se si kanë ndodhur gjërat: a është larguar vullnetarisht zoti Gruevski nga Maqedonia, para se gjykata të ketë lëshuar urdhrin për arrestimin e tij, apo edhe mund të jetë rrëmbyer, pres përgjigje edhe nga Gruevski dhe nga Hungaria. Është e udhës që si shtet t’i bëjmë këto pyetje”, tha Zaev.
Dyshimet se Gruevski është rrëmbyer, Zaev i arsyetoi me atë që ai është arratisur me veturë diplomatike nga ana e ambasadës. Ndërsa shtoi se në lidhje me këtë rast ka bashkëpunim të mirë edhe me autoritetet shqiptare edhe malezeze.
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski rezulton të jetë larguar nga Maqedonia përmes Shqipërisë. Policia shqiptare tha të enjten, se ai është larguar nga territori shqiptar, të dielën në mbrëmje, më 11 nëntor, përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit, duke kaluar kështu në Mal të Zi.
Ai është paraqitur në kufi vetëm me kartën e identitetit. Policia shqiptare bëri të ditur se ai ka udhëtuar me një automjet të ambasadës hungareze në Tiranë, brenda së cilës, siç mësohet, përveç shoferit ka qenë dhe një punonjës i ambasadës, i pajisur me pasaportë diplomatike, të cilët janë rikthyer në Shqipëri brenda më pak së një ore.
Autoritetet policore shqiptare po kryejnë verifikime për të zbuluar se kur dhe nga cila pikë e kufirit ka hyrë në Shqipëri ish kryeministri maqedonas. Autoritetet maqedonase lëshuan fletë-arrestin për të më 12 nëntor pasi ai nuk u paraqit vullnetarisht për vuajtjen e dënimit me dy vjet burg për shkak të një vepre penale. Ndërsa urdhëri i arrestit ndërkombëtar, i lëshuar nga Interpol Shkupi, i ka mbërritur Interpol Tiranës, sipas njoftimit të policisë shqiptare, më 13 nëntor në mbrëmje.
Ndërkohë në Shkup, autoritetet maqedonase po përpiqen të zbulojnë se si iku dhe kush i ndihmoi ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Prokuroria Themelore dyshon se persona që kanë keqpërdorur pozitën zyrare dhe autoritetin ta kenë bërë këtë, por autoritetet e rendit në Shkup ende nuk flasin zyrtarisht për njoftimin që vjen nga Tirana mbi rrugët e arratisjes së Gruevskit drejt Hungarisë.
Ende nuk është e qartë se në cilën ambasadë humgareze ai e ka paraqitur kërkesën për azil. Në Budapest, autoritet thonë se po e shqyrtojnë kërkesën për strehim që, sipas tyre, ish-kryeministri e kishte parashtruar në një përfaqësi diplomatike hungareze jashtë Maqedonisë.
Sipas zërave në Shkup, ish-kryeministri Gruevski ka ndaluar në Beograd, ku ka bërë kërkesën në ambasadën hungareze dhe më pastaj ka vazhduar rrugën për në Budapest. Organet e rendit dhe të sigurisë në Shkup nuk i hedhin poshtë as nuk i konfirmojnë këto dyshime.