fbpx

Ekonomi

Kryeministri italian viziton Tiranën, bizneset e presin me ankesa





               Publikuar në : 09:18 - 15/10/19 |
mapo.al

Kryeministri italian Giuseppe Conte vjen sot në Tiranë, në një vizitë zyrtare. Në orën 15.30, Conte do të ketë takim me Kryeministrin Edi Rama.


Pas takimit, në orën 16.30 është parashikuar një konferencë për mediat e dy homologëve. Më tej në orën 17.30, Conte do të ketë një takim edhe me Presidentin Ilir Meta.



Ndërkohë pak orë para vizitës së kryeministrit Italian në Shqipëri, sipermarrjet italiane që zhvillojnë aktivitetin në Shqipëri, shprehin shqetësime të mëdha në lidhje me përkeqësimin e klimës së biznesit në vend. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, thuhet se këto ata po i ndjekin me shqetësim të dhëat e publikuara nga INSTAT.


“Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri dhe Confindustria Albania i kanë ndjekur me shqetësim shifrat e publikuara së fundmi nga INSTAT lidhur me rritjen e PBB për tremujorin e dytë të këtij viti. Sipas parashikimeve të qeverisë, rritja do të duhej të ishte 4.3% në vitin 2019 dhe 4.4% për 2020-ën. Parashikimet e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar – që ishin më të moderuara – u ripanë më pas në ulje, 2.9% për vitin 2019. Prej disa tremujorësh tashmë, ekonomia shqiptare nuk po rritet me një ritëm që të mund të çojë drejt rritjes së punësimit dhe përmirësimit të pagave”.

Sipas tyre, një rritje ekonomike prej 2,31% nuk mund të konsiderohet e kënaqshme dhe as e mjaftueshme për të gjeneruar vende të reja pune, apo për t’iu rikthyer nje cikli ekonomik rritës. Duke pranuar faktin që ngadalësimi i ekonomisë shqiptare është ndikuar pjesërisht nga faktorë paparashikueshëm, si reshjet e pakta të shiut, biznesin italian e shqetëson fakti se përkeqësimi progresiv i klimës së biznesit është rënduar edhe më shumë gjatë këtij viti.

“Shumica e bizneseve italiane dhe të huaja në përgjithësi, ashtu si dhe firmat shqiptare, japin sinjalin se shumë gjëra nuk po funksionojnë ashtu siç është premtuar, duke e vështirësuar krijimin apo zhvillimin e veprimtarive ekonomike. Funksionimi i administratës publike gjithashtu ka krijuar shqetësim ndër investitorët, të cilët janë tashmë të lodhur nga nëpunësit publikë që kanë tendencën t’u shmangen vendimeve për të cilat ata do të duhej të ishin kompetentë, si dhe çdo lloj forme dialogu konstruktiv dhe të vazhdueshëm me bizneset. Këto pengesa jo vetëm shtojnë mosbesimin e bizneseve që operojnë në Shqipëri me pasoja negative në synimet e tyre për investime, por kontribuuojnë edhe në përkeqësimin e perceptimit të riskut të vendit dhe për tërheqjen e cilitdo investitor të mundshëm”.

Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri dhe Confindustria Albania, kërkojnë angazhimin e menjëhershëm të qeverisë, të nëpunësve të saj dhe të të gjitha institucioneve, përfshirë dhe shoqatat e biznesit, për t’u përqëndruar në efikasitetin e reformave, për t’i dhënë qartësi, siguri dhe parashikueshmëri, mjedisit të biznesit.


Etiketa: , , , , , ,

Pas