Kryesore

‘Kryeministrja e vërtetë’, sulmi ndaj Zërit të Amerikës dhe rrëfimi i Batonit






               Publikuar në : 11:12 - 15/01/19 |
mapo.al

Prej disa kohësh, Zëri i Amerikës ka ndryshuar. Pjesë e raportimeve nga Shqipëria janë bërë edhe investigimet, të cilat përgatiten nga ekipi i BIRN. Ishim mësuar që të shihmin kryesisht kronika të thjeshta, por ky ndryshim i Zërit të Amerikës ka befasuar shumëkënd.


Kulmi arriti këtë të hënë kur u publikua një investigim për farsën e konkurseve të punësimeve nga qeveria e Edi Ramës. Investigimi vjen pikërisht në kohën kur kryeministri Edi Rama po tenton t’ua mbushë mendjen studentëve se punësimet e tyre do jenë të garantuara kur të mbarojnë shkollën, pa pasur nevojën e një miku në politikë.

“Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ish-drejtorin e Burgjeve, Arben Çuko ekspozojnë farsën e konkurseve publike dhe ndërhyrjet për punësime nga zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe në një rast, edhe nga kabineti i kryeministrit Edi Rama. Më 30 prill 2018, drejtori i Përgjithshëm në atë kohë i Burgjeve, Arben Çuko mori një telefonatë nga kabineti i kryeministrit Edi Rama. Biseda bëhej me porosi të drejtoreshës së kabinetit, Vali Bizhga dhe kishte në fokus punësimin e një vajze. Çuko, i cili ndodhej nën përgjim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pohon në bisedë se e kishte firmosur punësimin më herët atë ditë. “Fola me zonjën Bizhga para gjysmë orë dhe i thashë se u fut Vitjona në punë,” citohet të pohojë ai në transkriptin e zbardhur,” thuhet në kronikën e Zërit të Amerikës.

Përmendja e Vali Bizhgës solli edhe reagimin e Edi Ramës, që deklaroi se edhe Zëri i Amerikës është bërë si kazani mediatik i Tiranës. Shefja e kabinetit të Ramës, Vali Bizhga, është një personazh me rëndësi. Para pak ditësh, drejtuesja e LSI, Monika Kryemadhi, tha se Vali Bizhga është pikërisht kryeministrja e vërtetë.

Duke folur në emisionin ‘Zonë e Lirë’, Monika Kryemadhi foli edhe për njerëzit e afërt të kryeministrit Edi Rama. Kryemadhi veçoi dy njerëz në stafin e Ramës që kanë ndikim të jashtëzakonshëm në jetën politike të kryeministrit. “Vali Bizhga dhe Ëngjëll Agaçi janë njerëzit që i zgjasin jetën politike Ramës”, tha Kryemadhi.

Baton Haxhiu: Gent Cakën e solla te Vali Bizhga për praktikë, Rama e bëri Ministër

Analisti Baton Haxhiu sqaroi në emisionin Opinion, raportet e tij me Gent Cakën, i propozuar nga Edi Rama për ministër i Jashtëm. Duke ritheksuar vlerësimin e tij për zotesitë intelektuale të Cakës, Haxhiu mohoi që ai të ketë ndikuar që i riu nga Kosova të bëhet Ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Por Haxhiu tha se ai e ka sjellë Cakën tek Vali Bizhga (shefja e kabinetit të Ramës) për t’i dhënë atij mundësinë e një praktike pune.

Eshtë më tej Rama sipas tij, që e ka njohur, vlerësuar dhe promovuar, deri në propozimin e tij për Ministër të Jashtëm.


Etiketa: , , , ,

Pas