Është kujtuar sot në Shkodër, 73-vjetori i Kryengritjes së Postribës, në një aktivitet ku morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, Kryetarja e Lëvizjes Demokratike të Gruas Shqiptare, Albana Vokshi, Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, përfaqësues të familjeve, të cilët morën pjesë në Kryengritjen e Postribës, përfaqësues të shoqatave antikomuniste, etj.
Më 9 shtator 1946 malësorët dhe klerikët e Postribës kundërshtuan regjimin komunist të instaluar në Shqipëri. Kjo ishte kryengitja e parë antikomuniste në bllokun lindor i cili u ndoq nga pasoja më të tmerrshme të krimeve që diktatura kreu ndaj shqiptarëve përgjatë viteve të sundimit në vend, duke internuar, vrarë e burgosur intelektualë, gra, fëmijë e kundërshtarë të regjimit.
Në emër të PD, Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, tha se 73 vite më pas, kryengritja e Postribës na thërret për të luftuar për lirinë, për të mos pranuar sundimin.
Pjesë nga fjalimi i Bardhit:
“Politikisht, ne demokratët, mund ta themi me bindjen e plotë dhe me krenari, se jemi bijtë e asaj lëvizje që ndodhi 73 vite më parë. Ne demokratët e kemi vijuar, e kemi pasur në ADN-në tonë mesazhin, amanetin e atyre burrave që dhanë jetën për liri. Atë që nisën ata, e realizuan shqiptarët në vitet‘90.
Sot me nderim përkulemi përpara qindra intelektualëve, klerikëve dhe burrave trima të Postribës që frymëzuan dhe realizuan kryengritjen e parë antikomuniste në Europë. Që tronditi nga themelet regjimin gjakatar, që kishte vënë në shënjestër patriotët e Shqipërisë, që donin vendin të lirë, demokratik dhe të pavarur.
Vlerësim maksimal për ata burra që të parët e ndjenë, e kuptuan se çfarë e keqeje po i vinte vendit, dhe këtë e kuptuat herët, qysh në ditën e parë, dhe rezistuan e u sakrifikuan në vitin 1946. 73 vite më pas, kryengritja e Postribës mbetet aktuale; sepse na thërret për të qëndruar sërish, për të luftuar për lirinë, për të drejtat humane, përkushtimin për të mos pranuar sundimin. Sepse edhe sot, kemi në fuqi një regjim që po sfidon çdo ditë, të drejtat, liritë dhe vlerat tona europiane.
Kam frikë se patriotët e kryengritjes së Postribës, do të na qortonin rëndë po të shihnin se sot sërish është në rrezik dhe luhet me këtë liri fondamentale, me vlerat kryesore të qytetërimit. Ne kujtojmë, por respekti më i madh për atë lëvizje, për atë kryengritje do të ishte nëse angazhohemi të gjithë që regjime e sundime të tjera të mos instalohen më në vendin tonë. Të mos lejojmë më hordhi e brigada të krimit, që marrin pushtetin me çdo kusht e shtypin pastaj qytetarët e tyre.
Ju e dini mirë, dhe unë ju siguroj në emër të Partisë Demokratike se ka nisur numërimi mbrapsht i kohës së bijve të etërve.
Me burrat e gratë e Postribës, me të rinjtë e të rejat, me malsorët me shkodranët dhe me çdo qytetar kudo në vend do t’i japim fund këtij regjimi të korruptuar e kriminal, e do t’i hapim sërish Shqipërisë rrugën europiane”.