-Diktatura e ndritur e Ismet Totos përballë gjykatës politike të Ahmet Zogut
Nga Veli Haklaj
Hyrje
Një ndër lëvizjet që do të kërcënonte seriozisht rendin kushtetues dhe tentoi ndryshimin me dhunë të sistemit qeverisës në Shqipëri ishte edhe Kryengritja e Delvinës e vitit 1937. Acarimet deri në ekstrem të politikës së brendshme shqiptare u shfrytëzuan nga qarqet zyrtare të vendeve fqinje për të nxitur organizimin e kësaj kryengritjeje, e cila shpërtheu në Delvinë pasditen e datës 15 maj 1937.
Organizatorët dhe drejtuesit e Kryengritjes së Delvinës ishin vëllezërit Toto: Ethemi, Ismeti dhe Tahsimi. Deri pak para fillimit të kryengritjes, ata konsideroheshin mbështetës të Ahmet Zogut. Dhe për këtë u ishin besuar dhe detyra të rëndësishme në administratën civile dhe ushtarake të kohës.
Eqrem bej Vlora, në kujtimet e tij, kur përshkruan hyrjen e forcave të drejtuara nga Myfit bej Libohova nga Greqia në Shqipëri, më 24 dhjetor 1924, thekson dhe ndihmën e dhënë me këtë rast nga kapiten Ethem Toto për kapërcimin e fortifikatës shqiptare të kufirit, e cila mbrohej nga nëntogeri i ri Shefqet Gjoleka.
Para se të bëhej ministër i Brendshëm (tetor 1935), Ethem Toto ishte angazhuar si drejtues i strukturave të xhandarmërisë dhe kishte drejtuar me sukses prefektura që konsideroheshin të rëndësishme, si ato në qarqet e Kosovës, Dibrës dhe Shkodrës.
Ndërkohë, Ismet Toto, i angazhuar si drejtues nënprefekturash në disa rrethe, u evidentua si një ndër personalitetet e jetës politike dhe intelektuale në vitet ‘30 të shekullit të kaluar. U përfshi në rrethe intelektuale, të cilat, të pakënaqura nga kushtet politiko-shoqërore, ishin në kërkim të alternativave të reja. Idealet e tij politike e sociale i ka shprehur në një varg artikujsh të botuar në gazetat “Illyria”, “Arbëria”, “Përpjekja shqiptare”. Simpatizonte idetë e veprës së filozofit amerikan Will Durant “Heronjtë e mendimit”. Doktrinën e tij politike e kërkonte te Platoni e te filozofët e tjerë modernë, kurse shembujt konkretë i kërkonte në realitetin e kohës. Për këtë drejtoi sytë nga Turqia dhe nga vepra e reformatorit të madh Mustafa Qemal Ataturku, për të cilin shkroi edhe një studim me titullin “Gazi Qemali”. Libri është një homazh për themeluesin e Turqisë moderne dhe një mesazh drejtuar popullit shqiptar që të frymëzohej nga idetë e Mustafa Qemalit për ta riformuar dhe përtërirë gjithë strukturën sociale e politike të shoqërisë së atëhershme shqiptare.
Afro pesë vjet para Kryengritjes së Delvinës, Ismet Toto e rendiste Ahmet Zogun krahas Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Në një shkrim te “Miku i popullit”, më 28 nëntor 1931, kushtuar BURRAVE shqiptarë që janë “shpirti i gjithë Historisë Shqiptare”, Ismet Toto do theksonte: “Neve besojmë me të gjitha fuqitë e ekzistencës sonë se shkëlqimi i veprës së Ismail Qemal Vlorës do të vazhdojë e do të zmadhohet sa dhe vetë Shqipëria… Neve besojmë se Shqipëria, Skënderbeu, Zogu, Ismail Qemali janë një përzierje e pandarshme. Të gjithë këta emëra bashkë përbëjne IDEN’ dhe ARSYEN e gjallërisë së Kombit Shqiptar.”.
Qasja e Ismet Totos ndaj Diktaturës së Ndritur, roli i tij në Kryengritjen e Delvinës dhe ballafaqimi me Gjykatën Politike të Mbretërisë Shqiptare do të jenë dhe objekti i këtij punimi që do të publikohet më disa numra për lexuesin e gazetës “Mapo”.
Diktatura e Ndritur sipas Ismet Totos
Me fillimin e vitit 1936, gazeta e kohës “Arbëria” filloi fushatën e saj të fuqishme për një Diktaturë të Ndritur. Duhet patur parasysh se akoma nuk kishte filluar zbatimi i politikave ekspansioniste nga shtetet nën Diktaturë të Ndritur, si Gjermania naziste dhe Italia fashiste, që sollën fatkeqësitë e mëdha të Luftës së Dytë Botërore. Në maj 1936, numri i atyre që merrnin pjesë në këtë fushatë po shtohej. Siç vë në dukje Ismet Toto, “nga shumë anë të Shqipërisë, sidomos nga djelm të rritur dhe me tru, por edhe nga të vjetër nga mosha që janë nacionalistë me patent, po na vijnë shkrime dhe inkurajime ne favor të fushatës sonë.”
Më 28 maj 1936, Ismet Toto u drejtohej shqiptarëve të fushave dhe maleve, që të bashkoheshin në një ideal, që kapërcen çdo ideal tjetër; që të përpiqeshin për një qëllim, “për një qëllim që shënjtëron qënien tonë: të rrojmë dhe të vdesim për Shqipërinë!” Duke shprehur dëshirën për një Shqipëri të fuqishme, të organizuar si shtetet e tjera të Europës dhe të përparuar, Ismet Toto thërret: “Mjaft me Orientin; mjaft me indiferencën; mjaft me përçarjet”.
Përkrahësit e këtyre ideve argumentonin se vetëm Diktatura e Ndritur do të ngjallë në zemrën e popullit pasionet që çdo shqiptar të kuptoj dhe të mburret që është shqiptar; të mos jetë analfabet, të dijë pse rron; të dijë misionin e tij në mes të shoqërisë. Sipas Ismet Totos, “Diktatura, vetëm Diktatura do të ngrejë nga errësira e padijes në dritën e diturisë turmat shqiptare; sepse Diktatura do të shenjtërojë ndjenjat, do të falë shëndetin, do të europianizojë Atdhenë e Kastriotit”. “Me forcë mund të mbahet qetësia, por nuk bëhet kombi. Për të mbrujtur kombin duhet IDEJA, që ndez njerëzit dhe plazmon kolektivitetet.”, parashtronte më tutje Ismet Toto.
Sipas pikëpamjeve të mbrojtësve të Diktaturës së Ndritur, kishte ardhur koha e nacinalistëve aktivë, e atyre që duan t’i bëjnë ndonjë shërbim vendit dhe që kanë dhe mundësitë për të bërë diçka. Duke sjellë si shembull Asamblenë Kombëtare të Turqisë, Ismet Toto parashtron se “një sasi e madhe e deputetëve të Turqisë kemaliste janë dijetarë, shkrimtarë, shkencëtarë e gazetarë, të cilët, përveç punëve të zakonshme në parlament, shkruajnë e botojnë libra, drejtojnë revista e gazeta, drejtojnë institucione të ndryshme kulturore e shoqërore, japin konferenca publike, japin mësime nëpër lice, gjimnaze e universitete, kujdesen për art, teatër e letërsi e për një tok aktivitetesh të tjera për lartësimin e vendit”. Vlera e shtuar e kësaj veprimtarie ishte se të gjitha këto punë i bënin pa shpërblime!
Mbështetësit e Diktaturës së Ndritur, propagandonin që shumica e deputetëve supozohej të jenë profesionistë në degë të ndryshme: “7-8 vetë nga juristët më të mirë, 7-8 vetë ekonomistë, grupe të vegjël inxhinierësh, agronomësh, dijetarësh e shkencëtarësh, shkrimtarësh e gazetarësh etj., me pak fjalë, kur të vejë në parlament një projekt, të bjerë në duar kompetentësh që dinë ç’thonë, ç’duan dhe ç’bëjnë. Kështu që pushteti ekzekutiv, qeveria, të ndihmohet në kthjellimin e problemeve që kërkon të zgjidhë
Mbasandej, bash nga ky parlament, theksonte Ismet Toto, duhet të burojë një frymë sakrifice për Komb e Mbret. “Nacionalizma shqiptare duhet të ringjallet dhe të forcohet që të dominojë të gjitha shfaqjet e jetës shqiptare. Me shëmbëlla pune, sakrifice dhe përpjekjeje të parreshtur t’i mbushet mendja edhe popullit se klasa që drejton, përpiqet për të mirën e tij dhe për lartësimin e tij në sfera më të larta.”.
Ndërkohë, kundërshtarët e idesë së Diktaturës së Ndritur argumentonin se “diktatura paraqitet e domosdoshme vetëm për disa kombe, si bie fjala, sot (1936) për italianët, gjermanët dhe turqit, dhe në disa epoka historike të kritikshme, kurse kombi ynë as nuk toleron një diktaturë, as nuk kapërcen sot një moment historik të vështirë; patrimoni më i shtrenjtë dhe më i shenjtë i një kombi është liria, në kuptimin më të gjerë të fjalës, kurse dikaktura është shtypja e kësaj lirie.” Duke kundërshtuar idetë e Ismet Totos ata “parashtronin tmerrin e një diktature, qoftë edhe e ndritur”, dhe bënin “apologjinë e qeverive liberale, ku individi do dhe vepron në mes të kolektivitetit në lirinë më të gjerë dhe më të plotë”.
Këtyre polemizuesve, Ismet Toto u përgjigjet duke insistuar se “vetëm me Diktaturën e Ndritur, vetëm me fuqi inteligjente do të shpiem shqiptarin në udhën e përparimit… Vetëm me Diktaturën e Ndritur do t’i imponojmë të mirën popullit shqiptar, vetëm me Diktaturën e Ndritur do të ngremë prestigjin e racës dhe do të vëmë në dritë virtytet shekullore të kombit, që sot edhe janë të fjetura dhe të shtypura!”
Në reagimin ndaj polemizuesit Timo Dilo, Ismet Toto do theksonte “Kush ka ndjekur artikujt e mi, ka kuptuar që unë s’di metafora, që unë them vetëm ç’mendoj, që unë s’njoh hatëre dhe ryshfete, por jam i shtytur nga një bindje, por jam i frymëzuar nga një ideal, për të cilin jam gati të shkrij gjithë fuqitë e mia djaloshare.”
Në kuadër të kësaj propagande, deri në fillim të korrikut 1936, ishin shkruar më shumë se njëqind artikuj për idenë e Diktaturës së Ndritur. Duke folur për Diktaturën e Ndritur Nacionaliste Shqiptare, kishin parasysh tri diktaturat e mëdha të atëhershme: Italianen, Gjermanen dhe Turken. Por Ismet Toto parashtronte: “Asnjëra prej tyre nuk i bën Shqipërisë. Por nga elementët kryesorë të të triave, nga vijat e trasha të tyre, mund të tërhiqen gjithë ç’i përshtatet vendit tonë, problemeve tona dhe qëllimeve tona. Dhe qëllimi ynë mund të përmblidhet në pak fjalë: Shqiptari të lartësohet, nga çdo pikëpamje, në shkallën e Zvicerianit. Dhe këtë punë, të cilën me ritmin që ka sot jeta mund ta bëjmë vetëm brenda 200 vjetve, ta bëjmë me anën e Diktaturës së Ndritur mbrënda 30 vjetëve. Prova: A nuk bën turqët mbrënda 10 vjetve çka s’e bënin dot nën konditat e tjera për 100 vjet? Pse s’bëkemi dot ne me 1 milion shqiptarë atë që bënë turqët me 14 milionë anadollakë?”.
Roli i Ismet Totos në Kryengritjen e Delvinës
Ideuesit, organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të Kryengritjes së Delvinës ishin: Ethem Toto – ish ministër i Brendshëm në kabinetin e Mehdi Frashërit (22 tetor 1935 – 7 nëntor 1936), Ismet Toto – nënprefekt në Sarandë, Tahsim Toto – vëllai i Ethemit dhe Ismetit, kapiten Ismail Gjylbegu – zëvendëskomandant i qarkut të Gjirokastrës, nëntoger Xhelal Shtëpani – shefi i rekrutimit në Sarandë, nëntoger Tajar Goxho – rrethkomandant i Delvinës, kapter Abdi Golemi – postëkomandant i Delvinës, Ali Nivica, Shefqet Gjoleka, Xhevdet Gjoleka, Rahmi Kamberi, Haki Rushiti, Hidajet Lekdushi etj.
Pasditen e datës 15 maj 1937, në qendër të Delvinës, Ethem Toto mbajti fjalimin kundër regjimit dhe ftoi popullin për “revolucion“, duke deklaruar se lëvizja nuk ishte si ajo e Fierit, por e përgjithshme, kundër qeverisë. Ai tha se Shkodra atë minutë do të vihej nën drejtimin e Maliq Bushatit, se do të shpërthente Vlora, Berati e Korça, se Muharrem Bajraktari, Dine Hoxha dhe Markagjoni do të sulmonin dhe të gjithë bashkë do të shkonin në Tiranë.
Njëri nga protagonistët kryesorë të kryengritjes së Delvinës ishte Ismet Toto, në atë kohë nënprefekt i Sarandës. I pandehuri, nëntoger Xhelal Ali Shtëpani, i cili kishte tre vjet me shërbim në Sarandë si ndihmës i Zyrës së Rekrutimit, në deponimet e tij në procesin hetimor, deklaron se “me nënprefektin Ismet Toto vazhdimisht bënin biseda konfidenciale. Në dhjetor 1936, duke ndejtë në zyrë me të, mbasi ishte afrue koha e zgjedhjeve, më pyeti se ç’kemi nga Tirana dhe çfarë flitet për zgjedhjet, ç’parashifen votimet, të lira apo jo…Mbas kësaj më tha se sigurisht do të jenë po të vjetrit, asht e pamundur të kemi zgjedhje të lira…”
Kurse në bisedat e zhvilluara në mesin e shkurtit 1937 me Xhelal Shtëpanin, Ismeti më tepër fliste si gazetar për mbi vërejtjet e popullit, bënte krahasime dhe sillte shembuj Hitlerin, Musolinin, fliste mbi përparimet që kishin bërë dhe diftonte se Naltmadhnija e Tij Mbreti i kishte dhënë 150 napolona për të studjuar organizimet e tyre në Gjermani dhe Itali dhe për këtë gjë i kishte paraqitë Naltmadhnisë së Tij nji raport të gjatë, kur ishte kthye.
Më poshtë në deponimet e tij Xhelal Shtëpani sqaron: “Njëzet ditë para ngjarjes kemi dalë shëtitje bashkë me Ismetin dhe, kur jemi kthyer, më ka thënë se un’ ty të dua si vllan tem dhe do të më gjindesh në kohë të keqe e të gjindemi në kohë të keqe. Unë i thashë e kemi për detyrë dhe s’ka arsye që të mos të kam dhe unë ty si shoq. Një javë para ngjarjes Ismet Toto më tha: – Xhelal, marr erë nga larg se në Shqipëri kemi një organizatë e cila formohet kundra klikës që rrethojnë Mbretin, e Mbreti âsht viktimë e ksaj klike, – e jo mâ gjatë, sado që unë e pyeta”.
Tri ditë para lëvizjes Ismet Toto i thotë Xhelal Shtëpanit: – Maqina punon në rregull. Kur Xhelali e pyeti se si e kush e kryeson, Ismeti i thotë: – Delvinën e kemi tonën, Gjirokastrën gjithashtu, dhe në Tepelenë kemi njerëz dhe besoj se do të kemi fuqi, në Vlorë kemi Ago Agajn, kapiten Ismail Gjylbegu ka me luejtë rolin e vet në xhandarmëri se âsht ndihmës i Qarkut (Gjirokastër), po kështu Dine Hoxha e bajraktari i Krasniqes (Sali Mani), e mâ gjatë mos me pyet se jam i betuem, – dhe me kaq i dha fund bisedimit.
Vetë Ismet Riza Toto, me cilësinë e të pandehurit, do shpjegonte për përgatitjet e kryengritjes së Delvinës:
“I pari njeri që e dinte ishte nëntoger Tajar Goxho, i dyti isha unë. Më 2 maj 1937 vajta në Delvinë dhe aty im vëlla më tha se e vendosa, do të baj një lëvizje edhe pse s’kemi shpresa fitimi. Unë nuk i kundërshtoj. Hymë në detaje dhe më tha se do të kemi një fuqi fillestare në Delvinë prej tetëdhjetë vetash xhandarë dhe persona besnikë civila. Si të vemi në Gjinokastër, më tha, do të nxjerrim nja njëqind veta të dënuem nga burgu dhe me xhandarë dhe civila që mund të gjejmë, mund të bâjmë një fuqi prej 250 – 300 vetësh dhe i biem Vlorës. Në e marrshim Vlorën hyjmë në marrëveshje me Pallatin Mbretnuer e kërkojmë rrëzimin e Qeverisë për të evituar kaosin dhe gjakderdhjen. N’u pranoftë, mirë. Mos u pranoftë, ç’fat që të ketë përpjekja. Kështu filloj përgatitja. Askush se ka ditë tjetër veç Ago Agaj, i cili, pesë ditë mâ parë nga data e caktueme për lëvizje, u nis për në Vlorë i ngarkuar të presë ditën e lëvizjes komunikacionin telefonikë Vlorë-Tiranë. Gjithë pjesëmarrësit në këtë lëvizje e kanë marrë vesh çështjen nji ditë mâ parë ose ditën e lëvizjes. Asnjëri nuk kundërshtoj”.
Po sipas porosisë së Ismetit, më datën 15 maj 1937, ditën e shtunë pasdite, Xhelal Shtëpani shkon në shtëpinë e Ethem Totos, në Delvinë. Pas takimit me Xhelalin, Ethem Toto, duke e konsideruar atë si besnik të Ismetit, i drejtohet me këto fjalë: “Po të tregojë se kët’ Shqipni nuk e duam burg dhe nuk mundemi me pranue që ta kullosin vetëm njizet veta në kurriz të popullit që s’kanë të hanë bukë misri me krypë. Unë kam punue për Mbretin si mâ i madhi besnik i tij dhe ashtu kam me punue, e sonte do të shpallë revolucion në gjithë Shqipërinë dhe marr vetë komandën e operacionit dhe Mbreti, po të marrin vesh se e kam marrë unë, përnjëherë ka me kërkue bashkëpunimin me mu. Ti Xhelal do të rrish me mue dhe kemi me dalë se bashkut”.
Në deklaratën e tij në procesin hetimor kapiten Ismail Gjylbegu sqaron për takimin e tij me Ethem Toton ne Delvinë: “Nuk ish si përdita, të tronditur e të mërzitur e pashë. Ethemi më shtie në një dhomë dhe tue pirë kafen, më tha: – Ismail, të dua më shumë se Ismetin, se ti më ke pas thënë një fjalë kur kam ardhë në fillim në Delvinë, që rashë prej Ministrisë, se je në dispozicionin tim për çdo nevojë, dhe e di se gjithë kohën më ke dashtë e më ke përkrahë dhe për këtë të kam thirrë, me më dhënë një besë. Unë, duke mos e ditë se ç’donte me thanë, i dhashë dorën dhe i thashë: – Ç’të duash ti,- se me të vertetë e kam dashtë. Fjalën e parë më tha: – Sonte, në ora tetë të akshamit, kemi revolucion në të gjithë Shqipërinë. Nëntoger Tajar Goxhon, rrethkomandant i Delvinës, e kapter Abdi Golemin, postëkomandant, e shumë xhandarë të rrethit të Delvinës i kam me vedi. Në minutë të fundit më tha se kemi në dispozicion tonë Ali Nivicën. Për me i pre fijet telefonike Sarandë–Vlorë, tani kam çue vëllan, Tahsimin. E ti duhesh të jesh më mue. I thashë po shkoj në Qark e atje të pres. Më tha âsht nevoja të rrish këtu dhe unë, nga frika që tash po akuzohem, mbeta brenda. Atëherë nisi me fjalë: – Në këtë revolucion âsht gjithë Shqipnija, se populli âsht i dëshpëruem. Tirana fuqi s’ka, Italija e Jugosllavija nuk e përkrahin Qeverin. Me ndonjë Mbretni s’jemi marrë vesht. Dine Hoxha i ka thënë Ismetit në është se do të bëjë Ethemi kryengritje, jam gati të bashkohem me të. Kemi me vedi Sali Manin (Krasniqe, Tropojë), i cili më ka pas thanë se jam gati me bashkëpunue me ty në kryengritje. Në Vlorë kam çue Ago Sheron me mbledhë një fuqi prej 600 (gjashtëqind) vetësh dhe ditën e djelë Agoja pret telat Tiranë-Vlorë. Në Kurvelesh janë 300 (treqind) burra Gjonleka. Markagjoni mësyn Tiranën. Shkodra, Korça e gjithë viset e tjera çohen vet, se nuk bân me i lajmërue se dështon organizata. Armë kemi 200 (dyqind) në Jorgucat e dy mitraloza; në kalanë e Gjirokastrës kemi 400 (katërqind) armë; në Vlorë, në xhandarmëri, 200 (dyqind) armë, dhe ato që janë në duart e popullit mjaftojnë. Me t’u marrë vesh kjo lëvizje, bashkohen 50 oficera që janë në lirim, në Gjirokastër Rahmi Kamberi, … Çuçi, Haki Rushiti e shumë të tjerë në vise të ndryshme”.
Pas kësaj bisede me Ismail Gjylbegun, në shtëpinë e Ethem Totos erdhën nëntogeri i Rekrutimit të Sarandës, Xhelal Shtëpani, Shefqet Gjoleka, sekretari i gjendjes civile të Tepelenës Hidajet Hajno Lekdushi dhe Ismet Toto. Ethemi e prezanton Ismail Gjylbegun me fjalët “kapitenin e kena tonin” dhe shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin. Atë ditë të shtune, ishte ditë pazari dhe në Delvinë kish ardhë Xhevdet Gjoleka me një ish-rreshter Gjolekajsh, Bejkushin. Këta i thirri Ethemi me anën e Hidajet Hajnos dhe erdhën në dhomë. Po ato fjalë që i tha vetëm Ismail Gjylbegut, Ethem Toto i tha Xhevdetit në sy të të gjithëvet. Pyetjes së Shefqet Gjolekës se “Pse nuk na lajmërove më parë?”, Ethemi ju përgjigj se “nuk ishte nevoja të lajmëroja se në këtë kryengritje marrin pjesë shumë oficera e intelektualë dhe do vemi si me shkue në dasëm”, duke i caktuar vetëm Maliq Bushatin, Gjon Markagjonin dhe Dine Hoxhën, e sa për Jugun tha se “Vlorën e kemi tonën e nuk do të duhet të ja bâjmë shkrap gjëkundi”, duke shtuar edhe se “ky revolucion nuk âsht kundra Mbretit, por bâhet me qëllim që të qërojmë ata qi pinë gjakun e popullit”.
Xhevdet Gjoleka, mbasi u mejtue, e pyeti Ethemin se kjo punë është e rregullueme, apo si e Fierit, dhe mos t’i napim rastin me na u shkarkue italianët në Shqipëri. Ethemi i tha: – Varu pas mejet, se Ismeti ka folë me konsullin italjan dhe i ka thânë neve nuk kemi kundërshtim pse të bâhet një revolucion në Shqipëri. Xhevdeti, mbas këtyre fjalëve, tha: – Për hair na qoftë.
Pas kësaj Ethemi tha: – Programi âsht me marrë kalan e Gjirokastrës, me lirue të burgosunit e me i armatosë e drejtim Vlonën, që të bâjmë front Vjosën, e pastaj mësyjm Tiranën e Elbasanin. Në këtë revolucion emni em si ish-ministër lot një rol të madh si në Gegni, se kam shërbyer dhe më njofin, ashtu edhe në Jug.
VIJON NUMRIN E ARDHSHËM…
Burimet
AQSH, Fondi 152, Viti 1937.
AQSH, Fondi 157, Viti 1937.
AQSH, Fondi 294, Viti 1937.
“Arbëria”, 1936.
“Demokratia”, maj 1937.
Eqrem bej Vlora, Kujtime, vëllimi i dytë 1912-1925, Tiranë 2001.
Fletore zyrtare nr. 1, 11 janar 1936, dhe nr. 37, 19 maj 1937.
Fjalori enciklopedik shqiptar, “Kristalina-KH”, V.III, Tiranë, 2009,
Ismet Toto, Larg dhe afër, saga e një familjeje, “UET Press”, Tiranë, 2017.
“Miku i popullit”, 28 nëntor 1931.
Veli Haklaj, Kryengritja e Delvinës e vitit 1937, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009.