Drejtuesit e qarqeve në Partinë Socialiste duhet të sakrifikojnë shumë për të marrë një mandat deputeti.
Ata do jenë në kufijtë që PS ka siguruar në zgjedhjet e qershorit 2017. Kështu, Edi Rama që është drejtues në dy qarqe, Vlorë dhe Durrës, do jetë i 8-ti në listën e kandidaturave në rast se do i qëndrojë asaj që tha në konferencë për shtyp.
Në Dibër, Olta Xhaçka do jetë e 3-ta. Në Tiranë, Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati do të jenë në renditjen e 17 dhe 18 të listës. Ilir Beqja do jetë i 4-ti i listës në Shkodër. Në Berat, Blendi Klosi do të ketë vendin e 4-t.
Në Elbasan, Taulant Balla do të jetë në vendin e 7-të. Në Fier, Gramoz Ruçi do jetë në vendin e 10-të. Në Korçë, Niko Peleshi i 6-ti. Në Gjirokastër, Blendi Çuçi do jetë i 2-ti, ndërkohë që listën do e udhëheqë Mirela Kumbaro.
Përjashtim nga ky rregull ka bërë vetëm qarku i Lezhës, ku Lindita Nikolli, përveç se drejtuese e qarkut do jetë dhe në krye të listës në qark. Në këto kushte, në rast se nuk marrin votën preferenciale, i pari që rrezikon më shumë është Edi Rama në të dy qarqet, Vlorë dhe Durrës.
Në rrezik është dhe mandati i Gramoz Ruçit në Fier, apo ai i Ilir Beqjes në Shkodër. Gjithashtu seriozisht në Tiranë rrezikojnë dhe Ervin Bushati apo Elisa Spiropali, të cilët janë në vendet e 17 dhe 18 në listë. Niko Peleshi në Korçë, në vendin e 6, mund të mbetet jashtë Parlamentit, por gjithashtu dhe Blendi Klosi në Berat nuk do e ketë të lehtë të marrë mandat.
LEXO EDHE:
Kryesisht gra dhe vajza, Rama prezanton kryesuesit e listave, Braçe i pari në Fier