Aktualitet

Kthimi i Shën Sofisë në xhami, Turqia shtyn vendimin





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:05 - 02/07/20 |
mapo.al

Shtyhet vendimi për kthimin e Shën Sofisë në një xhami. Këshilli shtetëror, organizmi më i lartë administrativ në Turqi, tha se do të merrte një vendim brenda 15 ditëve, pas një seance që zgjati 17 minuta. Atraksioni 1500-vjeçar, i mbrojtur si trashëgimi kulturore nga UNESCO, ka qenë fillimisht një katedrale, para se të bëhej xhami e më pas muze në vitet 1930.


Ishte presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ai që kërkoi ndryshimin e statusit të saj gjatë një tubimi elektoral vitin e kaluar. Islamikët në Turqi kërkojnë prej kohësh kthimin e Shën Sofisë në xhami, por pjesëtarë të opozitës laike e kundërshtojnë një lëvizje të tillë.


Propozimi është dënuar nga liderë fetarë e politikë në mbarë botën. Kreu i kishës Ortodokse, Patriarku Bartolomeu, kritikoi autoritetet turke, e të njëjtën gjë bëri Greqia, vend ku jetojnë miliona ortodoksë. Ministria greke e Kulturës, Lina Mendoni, akuzoi Ankaranë se po ringjallte ndjesitë nacionaliste dhe fetare, duke këmbëngulur në shndërrimin e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s, pa miratimin e këtij organizmi. Zv.drejtori i UNESCO-s, Ernesto Ottone Ramirez, tha se institucioni i OKB i kishte shkruar Turqisë lidhur me propozimin, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje.


Godina ikonë me kube, gjendet në zonën e sheshit Fatih të Stambollit, në anën perëndimore të Ngushticës së Bosforit. E ndërtuar me urdhër të Justinianit të Parë, kur atëherë Kostandinopoja ishte kryeqyteti i Perandorisë Bizantine, ajo u bë fillimisht seli e Patriarkut Ortodoks, e ceremoni kurorëzimi të perandorëve bizantinë mbaheshin atje.


Por 900 vjet më vonë, Perandoria Osmane, nën udhëheqjen e Sulltan Mehmetit II, e pushtoi Kostandinopojën dhe e ktheu Shën Sofinë në një xhami. Në vitin 1935, më vullnet të themeluesit të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk, Shën Sofia u shndërrua në muze, e që prej atëherë ajo është një prej atraksioneve më të vizituara nga turistët.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas