Kronika

‘Kujdes, është pritë’: Si e vrau policin grek grupi i Admir Murataj





               Publikuar në : 10:32 - 10/04/19 |
mapo.al

Shqipëria ia doli sërish të jetë në qendër të mediave ndërkombëtare, sërish për lajme të zeza. Në veçanti janë mediat e vendit fqinj, Greqisë, që po raportojnë më së shumti për atë që ndodhi në Rinas një ditë më parë. Kjo për shkak se grabitësi i vrarë mendohet se është Admir Murataj, një emër famëkeq edhe në Greqi.


Agjencia Agrini tregon historinë e arratisjes së Murataj nga burgu i Trikalas në Greqi dhe më pas vrasjen e një polici gjatë përpjekjeve për arrestimin e bandës së arratisur.



Gjithçka nisi të premten e 22 marsit të vitit 2013 në burgun e Trikalas. Një grup prej 11 shqiptarësh të rrezikshëm arritën të presin hekurat e burgut dhe u ngjitën në çati. Prej andej nisën të qëllojnë mbi gardianët. Këta të fundit u vunë mes dy zjarresh, pasi edhe nga jashtë burgut, bashkëpunëtorët e shqiptarëve po qëllonin mbi rojet. Si pasojë u plagosën dy gardianë.


Tetë ditë më vonë, banda e shqiparëve, e njohur si grupi i Marian Kolës, vodhën një tavernë. Gjatë ndjekjes nga policia pati një shkëmbim zjarri. Si pasojë u plagos një 25-vjeçare. Plagosja ishte fatale për të.

Më 17 qershor do vinte një tjetër përplasje me policinë, ku humbi jetën një oficer policie, baba i dy fëmijëve.

Gjatë një kërkimi për bandën, oficerët e policisë u ndanë në dy grupe. Grupi i parë prej tre personash ra në pritë nga banda e shqiptarëve dhe u dorëzuan. Shqiptarët u morën armatimin dhe makinën. Por teksa po hipnin në makinë, shqiptarët panë edhe grupin e dytë të oficerëve të policisë. Sipas informacioneve, tre oficerët e çarmatosur u thirrën kolegëve të tyre: Kujdes, është pritë. Por ishte tepër vonë. Banda e Kolës hapi zjarr duke vrarë 37-vjeçarin George Andritsopoulos.

Më pas ata u arratisën drejt një zone malore. Nga pas iu vunë forcat speciale. Në një moment pati shkëmbim zjarri dhe dy nga të arratisurit u vranë. Fillimisht u mendua se një prej tyre ishte Admir Murataj, por më vonë u kuptua se nuk ishte ai.

Por prej kohësh në Greqi nuk ishte dëgjuar për të, kur Murataj u shfaq në Shqipëri duke realizuar disa prej grabitjeve më spektakolare në vend, deri ditën e djeshme kur mendohet se u vra në një shkëmbim zjarri.


Etiketa: , , , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas