Aktualitet

Kujdes me emocionet!














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:45 - 22/05/21 |
Driton S.Bejtullahu

Prej zhvillimeve të fundit të teknologjisë, nuk është se kemi përfituar shumë në aspektin e përafrimit me njëri-tjetrin. Në fakt, kur është fjala tek efektet e rrjeteve moderne sociale, në aspektin emocional ato ndikojnë edhe për së keqi. Madje, nga individë të caktuar përdoren për t’i manipuluar dhe kontrolluar emocionet tona.






Rrallë më ndodh të takoj ndonjë mik që nuk është ndikuar nga ndonjë temë apo ndonjë status i filanit në rrjetet sociale. Kjo ka filluar të më pengojë, sepse po mendoj se nuk e njoh as shoqërinë e as popullin tim. Nuk e kuptoj mllefin që kemi për njeri-tjetrin; për vëllezër e kushërinj; miq e familjarë; përfaqësues politikë e institucionalë… për të gjithë ata që mendojnë e veprojnë ndryshe… që janë ndryshe! Mjafton një provokim nga “profiterët” e klikimeve dhe shpejt mbërthehemi nga emocionet e reagimet tona pastaj bëhen të paarsyeshme.


Duke dashur të bëj një krahasim mes shkencës dhe fenomenit, po i ndaj me ju disa fakte të cilat e shpjegojnë natyrën njerëzore. Po u referohem disa librave të autorit të njohur Robert Greene, i cili e shpjegon zhvillimin e mendimit të arsyeshëm duke i kontrolluar ndjenjat dhe emocionet. Sepse, i druhem “instalimit të një inteligjence artificiale” me impakt negativ në shoqërinë tonë, për të mos qenë më racional me informatat që na ofrohen nga rrjetet sociale. E, meqë ne nuk jemi robotë, është mirë ta kuptojmë se si funksionon truri i njeriut.







Sipas shkencës, truri i njeriut përbëhet nga tri pjesë kryesore: Instinktit, që kontrollon dhe rregullon reagimet tona trupore; pjesa tjetër është ajo që kontrollon ndjenjat dhe emocionet; dhe, e treta, pjesa që kontrollon kujtesën dhe të folurit. Kur jemi te ndjenjat dhe emocionet, ju mund të keni inat ndaj një personi të caktuar, ndërsa burimi kryesor i kësaj mund të jetë zilia. Sepse duam diçka që ai ose ajo ka. Meqë zilinë nuk jemi mësuar ta pranojmë si fakt, atë e përkthejmë në diçka që nuk na pëlqen. Marrim rastin tjetër kur jemi të rrethuar me një grup njerëzish në një ngjarje sportive, koncert, takim fetar apo politik. Në rastin e tillë, është e pamundur të mos e ndjeni veten të kapur nga emocionet kolektive, cilado qofshin ato.



Rrjetet sociale nuk janë zhvilluar për relaksim; ato kryesisht kanë për qëllim që të nxisin reagime duke ju ngacmuar me ngjarje provokuese. Sa i përket perceptimit se si i gjykojmë njerëzit, këtu dëshiroj të jap dy shembuj konkretë. Problemi është se ne vazhdimisht i gjykojmë veprimet e të tjerëve duke dëshiruar që të jenë ata që në të vërtetë nuk janë. Pra, duam t’i ndryshojmë. Të zhgënjyer nga fakti se nuk mund t’i ndryshojmë, nuk pranojmë se njerëzit mund të dallojnë nga njëri-tjetri; se mund të dallojnë nga motivet dhe nga qëllimet që kanë. Në anën tjetër, kur shihni persona në paraqitje të ndryshme mediale, duhet ta keni parasysh se ata janë përgatitur për paraqitje të tillë – që të pranohen nga masa edhe kur përmbajtja e porosisë së tyre mund të jetë mashtrim. Prandaj, kërkoni rezultate konkrete e mos bini pre e deklaratave.



Është mirë që të thelloheni në analiza duke marrë parasysh natyrën njerëzore. Sepse, jemi shoqëri në tranzicion dhe e kemi të vështirë ngritjen e vetëdijes drejt mendimit racional; dallimit të drejtë mes të mirës dhe së keqes; promovimit të vlerave njerëzore të cilat cenohen vazhdimisht nga mediumet e ndryshme dhe nga rrjetet sociale. Mundohuni ta ruani një ekuilibër midis skepticizmit dhe kureshtjes. Ndryshimet e papritura mund të jenë të rrezikshme, në të gjitha aspektet, dhe ju shkaktojnë emocione të përziera. Pandemia mund të ketë ndikuar që të shpenzoni më shumë kohë në internet. Por, sa herë që lexoni lajme të mira apo të këqija, ndaloni për një çast dhe bëhuni më të arsyeshëm duke i balancuar informatat me pesimizmin ose optimizmin e nevojshëm.

Një mik i imi thotë: N’ditët e sotme, sfida më e madhe e jona është me mbet insana me fytyrë! Me këtë ritëm tranzicioni jemi larg fazës së pjekurisë. Ndaj: milet, kujdes me emocionet!

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas