fbpx

Aktualitet

Kujt i intereson një Shqipëri pa shqiptarë?





               Publikuar në : 20:57 - 15/10/19 |
Agustin Bardhi

Nga dom Agustin Bardhi


U bë kohë tashmë që për veshët tanë është bërë pothuajse normale të dëgjojmë se shqiptarët po ikin, Shqipëria po boshatiset, vendi po shterët, po thahet. Për analogji krejt sikurse HEC-et, që nuk po lënë lum pa tharë, vetëm sepse dikush është i babëzitur për para e asgjë tjetër nuk i intereson. As populli, as ekosistemi, asgjë. Përveçse xhepat e tyre!



E njëjta gjë po ndodh me Shqipërinë tonë të dashur, atë po e boshatisin, disa të babëzitur ndaj pasurisë…


Pyetja më e frikshme është: Kujt i intereson një Shqipëri pa shqiptarë? Pse ata që udhëheqin këtë vend nuk e pranojnë realitetin se shqiptarët po ikin, pse bëjnë kinse nuk është e vërtet? A nuk kanë vallë asnjë të afërm që ka ikur apo që po mundohet të largohet sa hap e mbyll sytë nga ky vend?! Pse vallë kjo gjë nuk i shqetëson, pse nuk ju ngacmo aspak ndërgjegjet për t’u ndalur e për të ndërtuar politika të reja që ju ngjallin shpresë shqiptareve për ta bërë këtë vend?

Në jemi një vend ku ambasadori pasi mbaron mandatin e vet, mundohet të mos kthehet më në Shqipëri, madje kërkon azil. Jemi një vend ku politikani flet se po bën mrekullitë me këtë vend, me shkollat, më spitalet, por është i pari që fëmijët, njerëzit e vet të dashur i nxjerr jashtë vendit për një Universitet më të kualifikuar, për një shërbim mjekësor më të specializuar e të sigurte!
Kujt pra i intereson një Shqipëri pa shqiptar?!

Asnjë prej nesh nuk ka nevojë të na e tregojnë ekspertet, apo ta dëgjojmë në mënyra zyrtare se shqiptarët kanë ikur, e po mundohen më çdo mënyre të ikin. Të gjithë kemi përcjell miq, kushërinj, vëllezër e motra, e kush e di sa prej nesh çdo ditë po mendojnë në kokë se si të gjejnë një mënyrë për të ikur në një vend tjetër. Më të sigurte, më të pasur, më të qytetëruar, e mbi të gjitha me të drejta të barabarta dhe pa korrupsion e kriminalitet. Shqiptarët kanë arritur të shpikin çdo situatë e histori vetëm për tu larguar, kanë patur guxim edhe të shpallin prindërit e tyre të këqij, të dhunshëm, për të vetmen arsye, për të fituar një azil në një vend të huaj.

Në po ikim për të gëzuar të mirat e vendeve të huaja, atje ku nuk kemi asnjë meritë, atje ku të tjerë kanë derdhur djersë për të qenë vende kaq të. mira e kaq fort të dëshiruara prej nesh. Vende ku ka pasur dhe që ka njerëz që kanë dhënë jetën, kanë sakrifikuar me të vetmin qëllim që mos të boshatiseshin, por të ndërtonin vendin e tyre të bukur e të sigurte. Pse tek në nuk gjenden njerëz që duan ta bëjnë këtë vend, pse nuk jemi gati të bëjmë vendin tonë? Prandaj, shqiptarët nuk po ikin, shqiptarët po dëbohen.

Po dëbohen nga një klasë udhëheqësish të babëzitur, që më shumë interesohen të investojnë në propagandën e fasadës se sa të përparojnë në të vërtetë Shqipërinë, më shumë u intereson të fshehin të vërtetën se shqiptarët janë lodh, janë dëshpëruar, kanë humbur shpresën në këtë vend, se sa të shpallin këtë situatë gjendje të jashtëzakonshme boshatisje e të punojnë për politika të reja zhvillimi, ku e heq nga karrigia militantin fodull dhe vë në të shqiptarin e thjesht e punëtor që e do këtë vend. Nëse kjo periudhë do të mbahet mend si eksodi i popullit Shqiptar, udhëheqësit tanë do të tanishëm do të kujtohen si mercenar.

Kujt pra i intereson Shqipëria pa shqiptar?!


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas