Para do kohësh, qeveria u mburr dhe mbushi rrjetin me një spot televiziv që replikonte me filmin e famshëm Taken, ku për fat të keq shqiptarët damkosen si trafikantë. Ideja ishte mjaft provokuese në fakt, dhe nuk të linte indiferent. Një parodi e realizuar, ku i thuhej Liam Neeson, heroit të filmit që bën gjithcka për të shpëtuar vajzën e tij nga banditët shqiptarë, se Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë ata që mendon ti. Dhe në plan të parë, ishin njerëz të zakonshëm, mikpritës dhe e kundërta e stereotipit që kishte prodhuar Hollivudi. Ajo ngjante si një përpjekje e mirë. Virtualisht, si fiction skishte shumë të qortuar. Problemi është se këtij spoti, qeveria vetë iu kundërvu me disa pamje dhe ndodhi reale, bash një ditë më parë.
Dërgimi i trupave ushtarake në Rinas, pas ngjarjes së rëndë kriminale të kapjes së avionit dhe rrëmbimit të disa thasëve me para në barkun e një fluturimi ndërkombëtar, tregon në fakt, për fatin tonë të keq, se realiteti është i ndryshëm nga parodia, dhe shumë më i ngjashëm me trillerin e Liam Neeson.
Ushtria në Aeroportin Civil të Rinasit, cka është pamja e parë që fiksojnë të huajt kur prekin tokën tonë, në vend se të ofrojë siguri, me siguri krijon një pështjellim, se cdokush me të drejtë mund të mendojë, se ku kemi ardhur. Cprobleme të mëdha paska ky vend, me këto uniforma, me këto armatime e këto blinda. Sudan është vallë? Ndonjë vend me konflikte të rënda? Del se në luftë nuk është. Atëherë, cka ndodhur? E vërteta e thjeshtë është se Ushtria doli dhe rrethoi Rinasin, sepse dështoi tërësisht rrjeti shtetëror, duke nisur me agjensitë qeveritare e deri tek policia, për të ruajtur një gardh, një rrethim.
Dislokimi i Ushtrisë, përpos debatit mbi kushtetueshmërinë, nuk i shton asgjë imazhit të vendit, përkundrazi. Xhacka thotë se trupat janë edhe në Europë. Po e vërtetë, janë në ato aeroporte dhe vende që janë goditur rëndë nga terrorizmi. Fatmirësisht, ngjarja që ndodhi në Rinas nuk pati ideologji, por qe në atë drejtim banale, edhe pse tronditëse. Për sa kohë, për fatin tonë të mirë, nuk jemi të kanosur ende nga ato lloj rreziqesh, por nga krimi dhe trafikantët, atëherë këto cështje nëse ka vullnet politik, zgjidhen nga policia.
Nëse jemi vërtetë ai shteti që thotë Rama e të tijtë, dhe cdo ditë po korrim suksese të reja në cdo drejtim, po sidomos në luftën ndaj krimit, përse kryeministri hodhi poshtë propozimin, idenë dhe filmin e Blend Klosit, talljen me Taken, dhe riktheu në skenë trillerin e Liam Neeson?
Kujt ti besojmë tani? Aktorëve të portokallisë dhe ministrit të Turizmit, apo aktorit të hollivudit dhe Edi Ramës?