fbpx

Kryesore

Kujtimet/Sinani: Si mbrojti Kadare pastruesen e akuzuar për vjedhje





               Publikuar në : 15:20 - 05/10/19 |
Hysen Sinani

Në këtë numër të Mapo Letrare, Hysen Sinani, sjell disa kujtime lidhur me debatet e forta në Lidhjen e Shkrimtarëve, dhe sidomos skenën e pazakontë të hetimit që i bënë pastrueses së institucionit, pasi aty kishte ndodhur një vjedhje në një sirtar. Sinani kujton se si Kadare u ngrit dhe dënoi këtë sjelllje, këtë gjyq që po i bënin Arhondës së ngratë, dhe reaksionin që solli ironia e shkrimtarit për shefat e Lidhjes.


Modeli i pushtetit komunist

Në institucionin e Lidhjes së Shkrimtarëve ekzistonte i njëjti pushtet “proletar” të cilin e kisha vënë re mirë në të gjitha ndërmarrjet ku kisha punuar dhe që me siguri do të ishte po ai edhe në fermat e kooperativat bujqësore. Thuhej se fuqinë e kishte partia në pushtet, por kjo ishte si baza e sotme e partisë së “Skënderbeut”, sepse pushtetin absolut e kishin drejtorët e ndërmarrjeve ose kryetarët e institucioneve apo të kooperativave. Të gjithë vepronin nën shembëlltyrën e Enver Hoxhës, ndërsa sekretarët e partive, të cilët në përgjithësi zgjidheshin midis më të paaftëve nga kryetarët, ashtu siç duhej të ishte zgjedhur edhe ai i organizatës bazë ku bënte pjesë edhe Enver Hoxha dhe askush nuk ia dinte emrin. Të besoje sikur kishe pushtetin e partisë dhe të silleshe si i tillë, ose do t’i zije vendin kryetarit ose do të asgjësoheshe sikur të mos kishe qenë kurrë.



Pas grindjes me mua, kryeredaktori i gazetës “Drita” detyroi edhe dy redaktorë të iknin nga puna e të mos shkelnin më në Lidhje për sa kohë të ishte ai.


Mbas mbledhjes për sharjet e mia, Vath Koreshi, miku im që në ditët e para të punës në gazetë, më fut krahun dhe më nxjerr jashtë Lidhjes për një kafe.

– Po si e kishe sharë, – më pyeti: – kurvar fshati? Nga e sajove këtë?

– Jo, – ia ktheva, – ju e keni sajuar këtë, sepse e shava me fjalë të tjera.

Vathi qeshi, pastaj më tregoi se do të ikte së shpejti nga redaksia dhe do të shkonte skenarist në Kinostudio.

– Një nga arsyet është edhe natyra e tij stresuese, – tha Vathi, – por kryesore është se këtu janë të ngushtuara hapësirat krijuese… Po të jesh larg, je edhe më i vlerësuar.

Ky ishte një largim i butë dhe i paramenduar, por disa muaj më vonë do të ndodhte një largim tjetër nga redaksia, madje spektakolar në llojin e tij, veçse pa asnjë bujë në realitetin oportunist të Lidhjes.

Hasan Ulqini ishte marrë si një talent erudit nga Durrësi dhe i tillë ishte. Njeri fjalëpak, i sjellshëm në kulm dhe po aq i edukuar. Bashkë ishim miqësuar shpejt, edhe pse natyra të kundërta. Hasani kishte zëvendësuar Vathin dhe, si ai, mbulonte sektorin e prozës dhe të poezisë. Nuk më kujtohet se për çfarë, kryeredaktori Duro i bërtet dhe e qorton për dobësi në punën e tij. Hasani nuk i përgjigjet, nuk i thotë asnjë fjalë. Largohet nga zyra pa i marrë leje atij, dhe të nesërmen nuk kthehet më në punë. Dhe ai nuk kishte një Llazar Siliqi që t’i shkonte në shtëpi në dymbëdhjetë të natës dhe t’i mbushte mendjen të kthehej në punë. Ose, ndoshta, shtysë për këtë vendim të prerë ka qenë edhe fakti që Hasani vinte çdo ditë me tren që nga Durrësi dhe po me tren kthehej në shtëpi, tre apo katër orë të kushtueshme për një studiues të vërtetë siç ishte ai.

Por gabimi fatal për Duron, i cili edhe sot e kësaj dite mund të mos e ketë kuptuar nga i erdhi ai largim nga Lidhja për “paaftësi”, bëhet kur ai i kërcëllin dhëmbët Ismail Kadaresë në një mbledhje të rëndomtë për dy mijë lekë që i ishin vjedhur në sirtar Flutura Grevës, bibliotekares së Lidhjes. E dyshuara kryesore, ose më mirë e vetme, ishte pastruesja Arhonda, një grua e thyer në moshë dhe hallexheshë që nga pamja e saj, e kërrusur para kohe dhe me një rrumbëllakësi të tillë në fytyrë që sikur ia njësonte të gjitha tiparet.

Ishim ulur në sallën e bibliotekës, në formë rrethi nja pesëdhjetë vetë dhe po flisnin të gjithë me radhë, nga e majta në të djathtë. Çfarë nuk thoshin, secili sipas hamendjes dhe fantazisë, i bënte pyetje të vështira Arhondës së gjorë e cila përgjigjej vetëm me “ku di unë”, “aty pastrova sipër e poshtë, por nuk e hapa sirtarin. Nuk e hap kurrë sirtarin e Fluturës, se ashtu më ka thënë”.

Dhe kështu, me radhë e në mënyrën më të mundshme monotone, i erdhi radha në rreth Ismail Kadaresë për të thënë fjalën e tij, i cili ishte në profesion të lirë por jetën e organizatës e bënte aty. Dhe ai, me vetullat e rrudhura dhe me një përçmim të dukshëm, tha:

– Ç’është ky qëndrim prej zotërinjsh që po mbajmë! I jemi sulur një pastrueseje të ngratë si te “Maria Oktobër”…

Nuk e lanë të vazhdonte më tej.

– Si the, si the? Qëndrim prej zotërinjsh?! Unë, sekretari i organizatës bazë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Kujtim Buza, sekretari i Lidhjes po mbajmë qëndrim prej zotërinjsh?! Shokë, ju lutem të diskutojmë për këtë fyerje të rëndë që na bëri shoku Ismail, ose jemi ne zotërinj ose është ai me lakra në kokë!

Dhe mbledhja u kthye në këtë diskutim. Për fat, e kishin radhën ata që përbënin si të thuash klasën punëtore të Lidhjes si shoferë apo daktilografiste. Ishin tre a katër në radhë, para se të vinte radha ime. Çfarë nuk thanë punëtorët parafolës për “lakrat” e Ismailit. Pastaj u ngrita unë dhe thashë se Ismaili kishte të drejtë dhe se ne po merreshim me një hetim që nuk na takonte. Me sa duket, i të njëjtit mendim ishte edhe Thoma Frashëri, në atë kohë kryetar i Bashkimeve Profesionale, i cili u ngrit në këmbë dhe lexoi listën e dezhurnit. Me këtë gjest të tij, edhe mbledhja kishte përfunduar.

Disa kohë më vonë, Ismaili më tregonte se si e kishte justifikuar Duroja ndërhyrjen time në mbledhje.

“Ai të mbrojti ty, i kishte thënë Ismailit, sepse të ka bërë shtatë vërejtje në recensionin për “Nëntorin e një kryeqyteti”. Me këtë donte të më thoshte mua se shkrimi kishte qenë negativ, por edhe se ti kishe karakter jo të mirë”

Disa kohë pas kësaj, në mbledhjen e zgjeruar të kolektivit, Duro Mustafaj doli me lot ndër sy për të thënë se largohej nga detyra e kryeredaktorit për “arsye shëbdetësore”, por që nga podiumi ku ndodhej në krye dhe me ton të prerë, Dritëroi ia ktheu:

– Jo, largohesh nga Lidhja për paaftësi!

Unë isha i bindur për simbiozën e çuditshme Agolli-Kadare, sepse ishte një simbiozë partie, midis dy talenteve, njëri më i ngadalshëm por me pushtet dhe tjetri më i shpejtë por i gatshëm për të ikur; ishte një simbiozë partie që e donin edhe vetë ata. Sepse, po të sulmoje njërin, kishe bërë armik tjetrin dhe, paradosalisht, po të ishe mik i njërit, kishe bërë armik tjetrin.

Largimi i kryeredaktorit tërhoqi nga pas edhe disa prej redaktorëve, për arsye jo shumë të qarta e që më tepër u lanë të nënkuptoheshin gjithashtu për paaftësi në punë, ndonëse ata që i zëvendësuan nuk shquheshin për talente të veçanta. Këtu bënte përjashtim vetëm Thoma Frashëri, i cili u emërua si kryeredaktor në detyrë, derisa të gjendej një tjetër definitiv, gjë që do të kërkonte disa kohë për t’u gjetur.

/Mapo.al


Etiketa: , , ,

Pas