Një krim i mundshëm është parandaluar këtë të premte në një banesë në lagjen numër 1 të qytetit të Kukësit, ku një i ri nga Tirana kishte shkuar për të ekzekutuar të dashurin e gruas së tij.
Policia e Kukësit në një njoftim për mediat bën me dije se ka vënë në pranga një person që ka tentuar të vrasë më armë zjarri për motive xhelozie të dashurin e bashkëshortes, shtetasin 23 vjeçar me inicialet K.K.
Policia ka arritur në kohë të parandalojë ngjarjen e rëndë duke arrestuar në flagrancë 30 vjeçarin. Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi një armë zjarri kallashnikov me 19 fishekë.
ARRESTIMI
Specialistët Kundër Krimit ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit, në Drejtorinë Vendore të Polciisë Kukës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit të quajtur Dorian Idrizaj, 30 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i tij u bë pasi, shtetasi Dorian Idrizaj ka shkuar në banesën e shtetasit K.K, në lagjen Nr.1, Kukës, ku prej disa ditësh shtetasi K.K bashkëjetonte me shtetasen E.A, ( bashkëshortja e shtetasit Dorian Idrizaj), dhe pas një konfikti verbal mes të dyve, shtetasi Dorian Idrizaj për motive xhelozie ka kanosur dhe tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin K.K.
Falë njoftimit në kohë të policisë dhe reagimit të shpejtë të shërbimeve të policisë, me ndihmën edhe të banorëve të pallatit është bërë neutralizimi i shtetasit Dorian Idrizaj si dhe sekuestrimi i armës së zjarrit.
Nga të shtënat në ajër nuk ka asnjë person të lënduar. Në cilësinë e provës materiale nga grupi hetimor u sekuestrua arma e zjarrit tip automatik, 19 fishekë, si dhe 9 gëzhoja.
Gjithashtu, ndaj Idrizaj, u referuan materialet edhe për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni”, pasi dyshohet se në Kosovë, keqtrajtonte dhe shfrytëzonte për prostitucion në lokale nate bashkëshorten e tij, shtetasen E.A.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Kanosja”, “Prodhimi e mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”, parashikuar nga nenet 84, 278 dhe 114 të Kodit Penal.