Kuvendi Kombëtar i PD-së i një dite më parë prodhoi edhe një nga fjalimet ndoshta më brilante që prej atij të Sokol Olldashit në Parlament në 7 nëntor 2013.
Duke parë në sy kryetarin demokrat Basha dhe liderin historik të kësaj partie Sali Berisha, ish-kreu i degës së PD-së në Kukës listoi problematikat brenda partisë më të madhe opozitare në vend.
Ai ngriti shqetësimin e shkatërrimit të sistemit të meritokracisë dhe karrierës në PD, që siç tha ai, është kthyer në një sistem kacavjerrje.
Elezi: Partia bëhet kur ka rregulla, kur ka norma, kur anëtarët besojnë dhe mblidhen të gjithë bashkë, kur ka frymë. Proceset e kandidimit janë formal, më thoni një rast.Po marr rastin e Sekretarit të Përgjithshëm, u bë një lobim i deputetëve dhe thanë do zgjedhim Ristanin se e kemi në krahun tonë. Pse mo, zgjidhjet Sekretari i partisë pa qenë asnjë ditë anëtar partie? Doktor, nuk duhet ta kishe lejuar Doktor kurrsesi, sepse ti për këto parime je shquar vazhdimisht në drejtimin e PD-së.
Si një nga organizatorët e protestës kundër tarifës në “Rrugën e Kombit”, Elezi tha se tre ditë para protestës PD punoi kundër organizimit të saj.
Ish-funksionari i PD-së në Kukës shprehu rezerva edhe kundër aleancës së PD me LSI, ndërsa Bashës i kërkoi të bëjë vetting në radhët e deputetëve, pasi sipas tij janë të korruptuar.
Fjalimi i tij u shoqërua me ovacione dhe duartrokitje nga delegatët në sallë.
Vëmendje të veçantë ka pasur edhe në rrjetet sociale.