Kategoria Superiore, përtej problemeve pa fund që ka, prodhon lojtarë. Jo aq shumë sa të mburremi, por gjithsesi nëse klubet e huaj vijnë për të zbuluar lojtarë në kampionatin tonë, një arsye do e kenë.
Ditën e diel në Kamzë u luajt Kukësi-Teuta dhe ishte një ndeshje nën vëzhgim. Raportohet se në stadiumin e Kamzës ishte edhe një vizitor i veçantë, një vëzhgues nga Turqia.
Vëzhguesi, Ertac Yuzbas, ishte në Kamzë për llogari të klubit turk Antalyaspor, që këtë sezon po lufton për një vend në Europa League, por ndërkohë mendon për të ardhmen dhe në Shqipëri mund të gjejë lojtarë cilësorë, me kosto të ulët.
Nën vëzhgimin e klubit turk ka qenë mesfushori i talentuar i Teutës Sherif Kallaku, por gjatë ndeshjes ka bërë përshtypje edhe paraqitja e mirë e mesfushorit të Kukësit Valon Ethemi.
Vëzhguesi nga Turqia ishte edhe te Partizani-Laçi, për të ndjekur nga afër disa nga të rinjtë cilësorë në të dy krahët.