Kulla e Sahatit dhe xhamia e Haxhi Ethem Beut kanë mbetur të vetmet elemente arkitektonike në peizazhin e qendrës së kryeqytetit shqiptar që i kalojnë dy shekuj histori.
Xhamitë dhe kullat e sahateve ishin elemente njëlloj të rëndësishme të arkitekturës së qyteteve shqiptare në periudhën osmane, madje në të shumtën e rasteve ato janë të ndërtuar pranë e pranë. Kjo ndodh edhe për Tiranën. Por natyra laike e kullave të sahateve, dhe qenia e tyre unike për secilin prej qytetet e vendit, në një kohë që xhamitë ishin disa, i bën këto ndërtime ikona arkitektonike dhe shënuese të historisë qytetare. Për Tiranën Kulla e Sahatit është bërë edhe simboli i qytetit pasi dikur u ka shërbyer të gjithëve pa dallim. Po cila është historia e Kullës së Sahatit, kush e ndërtoi dhe si, çfarë roli patën fisi Tufina, aq shumë të përmendur dhe si ndërtesa u mbijetoi kohërave të vështira historike të qytetit. Në një nga revistat Shkenca dhe Jeta, në mesin e viteve ‘70, autori Skender Jasa ka botuar një shkrim që i kushtohet pikërisht këtij objekti. Si një vlerësim për punën e tij më poshtë po e sjellim shkrimin pothuajse të plotë, me vetëm pak redaktime, pasi janë hequr disa fjali pa vlerë për kohën e sotme pasi kishin përmbajtje thjesht ideologjike, diçka e kuptueshme për kohën kur është botuar shkrimi.
“Kulla e Sahatit të Tiranës ka mbushur para disa kohësh 160 vjet. I fundmi i Bargjinasve, sundues vendas i Tiranës, Haxhi Ethem Beu, njeri i ditur, vjershëtar, ish-konsull i Turqisë në Venedik, më t’u kthyer në vendlindjen e tij, në Tiranë, nis nga ndërtimet publike në qytet. Si përfundoi ndërtimin e xhamisë: me një arkitekturë të përparuar, të cilën e kishte nisur Molla Beu i Petrelës në vitin 1789, filloi ndërtimin e kullës së Sahatit të qytetit. Mblodhi nga vendi ustallarë të zotë, mes të cilëve mjeshtër të shquar dibranë nga krahina e Gollobordës, dhe i vuri të ndërtonin xhaminë e kullën e Sahatit, ashtu siç janë dhe sot.
Kulla e Sahatit e ndërtuar me gurë të gdhendur të ngjitur me Ilaç, u ngrit 35 metra e lartë, me përmasa 4,70×4,70 m. Gurët u morën nga Shkalla e Priskës. Nga brenda është e veshur me gurë të vegjël, në lartësi të ndryshme janë bërë frëngjitë që shërbejnë për ajrosjen dhe për mbrojtje në rast lufte.
Dera është bërë me harqe prej dru lisi. Edhe 93 shkallët që shërbejnë për t’u ngjitur te këmbora janë prej druri lisi. Mekanizmi i Sahatit, me kurdisje me dorë, me këmborë, pa fushë, u soll nga Haxhi Ethem Beu prej Venediku. Mekanizmi i sahatit u vendos mbi kullë nga orëndreqësi Ismail Tufina, i cili që në atë kohë kishte nis përgatitjen e një rrethi të tërë sahatçinjsh, me djemtë, nipat e stërnipat e tij. Këmbora e Sahatit të madh prej tunxhi, me përbërje: bakër, argjend dhe flori, nisi të binte ding… dang… ding… dang me një kumbim aq të madh, saqë dëgjohej deri në mal të Dajtit! Sahati nuk kishte fushë. Kohën e tregonte duke rënë 12 herë ditën dhe 12 herë natën. Ora 1 binte 1 herë, ora 2 dy herë…ora 12 dymbëdhjetë herë.
Ishte ky sahat që lajmëroi orën edhe në ditët më historike për Tiranën dhe fiksoi ngjarjet më të shënuara për qytetin nga viti 1827 deri në vitin 1916, kur Tirana dhe gjithë vendi u kthye në teatër të Luftës së Parë Botërore.
Një mëngjes gjatë atij viti Sahati pushoi së rëni. Çfarë ka ndodhur? – pyesnin qytetarët.
Arif Tufina, orëndreqësi i Tiranës iu ngjit shkallëve të drunjta prej lisi të kullës që të shikonte avarinë që mendohej të kishte ndodhur. I llahtarisur pa vetëm këmborën e madhe të heshtur e të zymtë. Mekanizmi me gjithë ato sisteme ingranazhesh, ishin hequr. U mor vesh se ushtria e huaj pushtuese e kishte grabitur Sahatin e rrallë të qytetit dhe e kishte dërguar diku jashtë vendit. Tirana mbeti pa sahat qyteti deri në vitin 1928!
Në këtë kohë sahatçiu Arif Tufina, bashkë me djemtë e tij Tahsinin, Shabanin e Haxhiun, kishin hapur dyqane orëndreqësish në Pazarin e Vjetër të Tiranës. Sahatçinjtë Tufinas morën përsipër të ngrinin mbi atë kullë të gurtë Sahatin e ri të qytetit, që u ble në Gjermani nga bashkia, 13,300 fr ari ose 660 napolona flori. Mbi Kullën ekzistuese u ndërtua një shtojcë 5 metra, kështu që lartësia e Sahatit arriti në 40 metra. Mekanizmi i Sahatit të ri përbëhej nga ingranazhi kurdisës me kundërpesha, nga ingranazhi shtojcë, nga boshti qendror, që lidhet me grupin e ingranazhit të akrepave, nga ingranazhi anësor, ingranazhi i sekondave, ingranazhi shkëputës, masha e lavjerrësi. Të gjitha këto, duke përfshirë katër fushat me akrepat, këmborën e vogël metalike dhe këmborën e madhe të vjetër prej tunxhi formonin, tërë aparatin e Sahatit, që nisi të binte përsëri në vitin 1928. Këmbora e vogël metalike binte me një tingull të hollë duke treguar çerekët e orës. Kambana e madhe, si dhe më parë, binte me jehonë të madhe dhe tingull të plotë që dëgjohej deri në mal të Dajtit. Përveç caktimit të kohës me të rënat e këmborës, tani ishin edhe akrepat, në katër fushat anësore të kullës që tregonin orën në çdo kohë të ditës e të natës.
Në qytetin e Tiranës, madje edhe në Durrës, tashmë është krijuar një familje e tërë sahatçinjsh tufinas. Arritën në nëntëmbëdhjetë sahatçinj, midis të cilëve edhe një vajzë, Elira. Këta ndreqnin Sahatin e madh të qytetit si edhe orët e markave të ndryshme, sahate xhepi me qostekë, sahate dore, sahate tavoline dhe sahate muri. Megjithatë Sahati i Madh i Tiranës mbeti i dashur dhe i shënuar për masat popullore qytetare. Të rënat e atij sahati vulosnin ngjarje drama e gëzime.
Nazistët gjermanë nga mllefi i disfatës së tyre e qëlluan me predha mortaje Sahatin e Tiranës. Shkatërruan fushën dhe mekanizmin e tij. Njëra nga predhat e mynxyrshme goditi këmborën e madhe. Nga e çara që mori ajo u shurdhua përgjithmonë. Në korrik 1946 sahatçinjtë tufinas morën përsipër që ta rregullonin e të bënin që Sahati i Tiranës të binte përsëri. Gjush Shkreli, mekanik në PTT e Tiranës propozoi që mekanizmi i Sahatit të Kishës së Madhe të Shkodrës mund t’i përshtatej sahatit të madh të kryeqytetit. Sahatçinjtë duarartë e kryen detyrën. Sahati i madh i Tiranës ra dhjetë herë dhe jehona e tij u dëgjua në gjithë qytetin.
Sahati i Madh i Tiranës po mbi atë kullë të gurtë karakteristike, një monument kulture, në janar të vitit 1973 u shndërrua në një orë mëmë me pult elektrik që komandon orët në të gjithë rrugët e sheshet kryesore të kryeqytetit.
Skënder Jasa, revista Shkenca e Jeta, 1975.
Kullat e Sahateve, ikonat e qyteteve shqiptare të shekujve 18-19
Kullat e Sahateve janë ndërtime që i takojnë periudhës osmane. Sipas arkitektit Sulejman Dashi e para kullë sahati “mendohet të jetë ndërtuar në qytetin e Shkupit rreth viteve 1560 – 70. Në shek. XVII kulla sahati kishin edhe qytetet e tjera të dëgjuara si Elbasani, Prizreni, Berati, Kruja, Shkodra, kurse në qytetet e Korçës, Prishtinës e Pejës esnafët i ndërtuan kullat rreth shek. XVIII. Kulla sahati ndërtojnë gjatë shek. XIX edhe qytetet më të reja zejtare si Kavaja, Tirana, Peqini dhe ndonjë qendër e vogël me karakter fshatar si Preza e Libohova. Kanë patur kulla sahati, gjithashtu, Durrësi, Gjirokastra, Kanina dhe Delvina. Në qendrat e banuara shqiptare janë numëruar deri në 14 kulla sahati por që sot disa prej tyre nuk janë më. Ali Pashë Tepelena, Aqif Pashë Elbasani, Mehmet Pashë Bushatlliu dhe Haxhi Ethem Beu janë emrat që njihen si financuesit për ndërtimin e tyre. Ali Pashë Tepelena ndërtoi një në Gjirokastër dhe një në Libohovë. Mehmet Pashë Bushatlliu ndërtoi një kullë sahati në Shkodër. Më e vjetra që ende ekziston është kulla e sahatit të Krujës. Sahatet më i ri ka qenë ai i Vlorës, ndërtuar në vitin 1920 me një stil bashkëkohor, në të cilin ishin gdhendur simboli i Skënderbeut, shqiponjës dhe Ismail Qemalit. Këto “simbole të qyteteve” janë sot mbartës të një historie e tradite shumëvjeçare në një kohë që funksioni i tyre parësor i tyre është tejkaluar nga zhvillimet teknologjike.
Kulla e Sahatit Krujë. Është më e vjetra nga ato që ruhen sot, e ndërtuar rreth shekujve XI-XII si pikë vrojtimi. Autorë të ndryshëm e cilësojnë si kullë kambanash, kurse funksionin për sahat ajo e mori në shek. XVII. Ka një lartësi nga tabani rreth 16 m, fillon piramidale dhe vazhdon prizmatike me bazë katrore. Kolona guri që mbajnë sipër çatinë e drunjtë e mbyllin si kompozim.
Kulla e Sahatit Korçë. Është ndërtuar në vitin 1784, në oborrin e xhamisë së Iljaz bej Mirahorit me kontributin e tregtarëve vendas. Ndërtues sipas të dhënave të kohës ishin disa mjeshtra nga veriu i vendit. Kambana e saj peshonte afërsisht 40 okë (rreth 50 kg). Në vitin 1893, ora e vjetër me kambanë u zëvendësua me një orë të tipit më të ri. Kulla u shemb nga një tërmet i vitit 1960.
Kulla e Sahatit Kavajë. Është ndërtuar pranë xhamisë Kubelie më 1817 nga Ibrahim Bej Alltuni. Ndërtues ishin tre vëllezër nga Bardhora, ndërtimi i saj ka zgjatur tre vjet, gurët për të janë marrë me qerre nga Peqini. Sipas gojëdhënave pas përfundimit të punimeve Ibrahim Bej Alltuni i ftoi për drekë ustallarët dhe i vrau me pretekstin që të mos ndërtonin në vende të tjera.
Kulla e Sahatit Peqin. Është ndërtuar rreth viteve 1840 së bashku me xhaminë, si pjesë përbërëse e të njëjtit objekt. Nga tradita gojore mësohet se për ndërtimin e saj qenë shfrytëzuar gurët nga një faltore më e vjetër dhe realizimi qe kryer nga po ata mjeshtër, që kishin ndërtuar më parë kullën e sahatit të Tiranës. Ka tre kate dhe arrin lartësinë prej 21 metrash.
Kulla e Sahatit Elbasan. Nga të dhënat dokumentare Elbasani ka patur kullë sahati që në fillim të shek. XVII. Ka gojëdhëna se në Elbasan janë ndërtuar radhazi tri kulla sahati. E para në shek. XVII e përmendur nga Çelebiu, u rrënua para vitit 1854. Kulla e dytë prej druri, e ngritur gjatë viteve 1865-1869, dhe kulla aktuale e gurtë e ndërtuar në pranverë të vitit 1899.
Kullat e Sahatit Vlorë. Ndër Kullat me të reja të sahateve është ajo e ndërtuar në qytetin e Vlorës. Sipas të dhënave historike Sahati i Vlorës është ndërtuar në vitin 1920 me një stil bashkëkohor, në të cilin ishin gdhendur simboli i Skënderbeut, shqiponjës dhe Ismail Qemalit. Kohët e fundit kompleksi i tregut mbi të cilin ishte edhe Sahati është rikonstruktuar.
Kullat e Sahatit Durrës. Qyteti Durrës ashtu si qytetet e tjera të vendit ka qenë i dominuar nga një kullë sahati e cila ndodhej në qendrën e atëhershme të qytetit. Ka shumë foto të Kullës së Sahatit deri në vitin 1917, por edhe më parë. Ndërkohë në kohën e Mbretërisë Sahati i Durrësit u ndërtua si një pjesë integrale e ndërtesës së Bashkisë së qytetit.
