Pak pasi policia arrestoi një të dyshuar për vrasjen e dy turistëve në Dukagjin, një ngjarje e rëndë u shënua në Lezhë.
Një makinë në ecje e sipër qëlloi drejt një lokali të mbushur plot me të rinj.
Si pasojë humbi jetën një person, që thuhej se ishte shënjestra e sulmit.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:35 pranë lokalit “Libraria”.
Viktima është Kristian Marku, 23 vjeç, nga Lezha.
Ndërkohë është plagosur edhe një klient i lokalit.
Nga të dhënat e para është bërë e ditur se kanë qenë dy persona, të cilët po lëviznin me një automjet tip “Audi” pa targa, të cilët kanë qëlluar në drejtim të 23-vjeçarit sapo ka dalë nga një lokal.
Ata kanë qëlluar mbi tre herë në drejtim të tij me armë zjarri tip pistolete, ndërsa për t’iu shpëtuar plumbave viktima është futur në një tjetër lokal, por pa mundur që t’i shpëtojë atentatit.
Plumbat e marra në gjoks dhe kokë i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme 23-vjeçarit nga lagjia “Xhenio” e qytetit të Lezhës.
I plagosur rëndë aksidentalisht në këtë ngjarje ka mbetur edhe 38-vjeçari Altin Gjoni, i cili është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Lezhës në gjendje të rëndë për jetën, pasi ka marrë një plumb në gojë.
Policia ende nuk ka identifikuar autoret e ngjarjes, duke e konsideruar këtë ngjarje si një krim mafioz, pasi autorët kanë qëlluar nga automjeti i tyre në lëvizje dhe gjithçka ka ndodhur në një hark kohor mjaft të shkurtër dhe ata janë larguar me shpejtësi.
Ende nuk dihen motivet e atentatit ndaj 23-vjeçarit Marku, ndërsa policia po heton për ndonjë konflikt të çastit që mund të ketë patur ai, pasi nuk njihet si person problematik.
Të rinjtë në lokal janë pushtuar nga paniku, ndërkohë që ngjarja e rëndë ndodhi në kulmin e sezonit turistik.
Krimi i rëndë ndodhi vetëm 200 metra larg Komisariatit të Lezhës.
Megjithatë për këtë krim që mund të ishte kthyer në masakër nuk pati një reagim të fortë nga media.
Ai u kalua si shumë vrasje të tjera në vend.