Aktualitet

Kultura e përgjimeve si mënyrë qeverisjeje





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:11 - 29/05/20 |
Nga Pëllumb Nako

Që kur ka ardhur në pushtet, mjaft nisma ligjore të qeverisjes aktuale të cilat afishojnë në publik vullnetin e saj për luftën kundër krimit të organizuar, janë karakterizuar nga një dëshirë e papërmbajtshme për t’i dhënë organit të policisë atributin e përgjimeve jashtë kontrollit të organit të prokurorisë dhe autorizimit të gjykatës. Sigurisht në disa rrethana të caktuara.


Po ashtu duket se ky vullnet përbën një konstante të qeverisjes aktuale pasi çdo ministër i Brendshëm që ka hipur në fron, ka shfaqur me pathos një vullnet për t’i dhënë policisë disa kompetenca të cilat në thelb kontrollojnë procesin hetimor para se ai të referohet në organin e prokurorisë siç e përcakton procedura penale e cila mbeti e tillë edhe pas reformës.


Nismat në fjalë jo vetëm forcojnë atributet e një organi ekzekutiv si policia në dëm të një organi të pavarur si Prokuroria dhe SPAK-u, por krijojnë edhe organe koordinative me në krye përsëri ekzekutivin. Kjo dëshirë e këtij të fundit për të përgjuar gjithë dynjanë dhe kontrolluar pavarësinë e organeve që kryejnë hetimin, duket se buron nga trashëgimia e kulturës së përgjimeve të ish-sigurimit.


Duke mos pasur mundësinë e ndërhyrjes në Kodin e Procedurës Penale për arsye nga më të ndryshmet, gjithë afshi qeveritar për të përgjuar sa më shumë shkrihet në nene të ndryshme si shtesë së Ligjit për Policinë e Shtetit, ligj ky që është masakruar pa mëshirë nisur nga numri i pafund i ndryshimeve që ka pësuar. Në fakt, ligji bazë për policinë është kthyer në një instrument për të shfryrë interesa e pasione të gjithkujt që vjen në krye të Ministrisë së Brendshme duke e kthyer atë në një mjet për të forcuar pushtetin e titullarit të radhës.


Njëri pas tjetrit, në atë ligj janë parë palë që zbresin e palë që ngjiten sa herë ka ndryshime koniunkturash. Po ashtu, rregullores së disiplinës së policisë dhe sistemit të saj të gradave i shtohet edhe procedimi policor. Aty rrinë bashkë edhe Drejtori i Përgjithshëm, por edhe Komiteti i Koordinimit të Luftës kundër Krimit të Organizuar. Ky ligj të sjell nëpër mend primitivitetin e qenieve prehistorike ku natyra ende nuk kishte arritur të skaliste te qeniet e gjalla cilësinë e proporcionit, të ekuilibrit dhe të harmonisë.

Rikthimi i kulturës së përgjimit filloi që në momentet e para të mbërritjes së kësaj qeverie në pushtet. Të gjithëve iu kujtohet epoka kur u hartua ligji i ri për Policinë e Shtetit i cili në përbërje të tij kishte edhe organin e Byrosë Kombëtarë të Hetimit. Pra me fjalë të tjera aty sanksionohej ligjërisht që hetimi kundër organizatave kriminale të drejtohej “nga çunat” dhe Ministri të kishte akses në çdo hap të tyre. Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë, dhe Byroja u hoq nga ligji. Ishte koha kur organi i Prokurorisë anatemohej si i pazotë për të luftuar krimin dhe në skenë u ftuan të dalin “çunat”.

Megjithatë, kjo që ndodhi nuk e ndryshoi tundimin e përgjimeve si trashëgimi kulturore të qeverisjes aktuale në ndërtimin e shtetit. Ministri i radhës ndërtoi Task-Forcën, Forca e Ligjit e cila në thelb shpreh të njëjtën kulturë qeverisjeje me Byronë e Hetimit, por me themele të tjera ligjore dhe gjithmonë me në krye vetë Ministrin. Task-Forca nuk u sanksionua në ligjin për Policinë e Shtetit. Nuk ishte e nevojshme sepse ishte kohë tjetër, ishte momenti kur Prokuroria qëndronte nën sqetullën e ekzekutivit si shtojcë direkte e tij. Disa herë në media u panë pamjet sesi ish-Prokurorja e Përgjithshme dhe e Përkohëshme shkonte me devotshmëri te Ministri për të raportuar.

Ndërkohë sot jemi në një fazë tjetër. Institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme dhe ai i SPAK-ut janë në funksion dhe me bekimin normal të qeverisjes. Dhe të dy organet kanë dhënë kundërshtinë e tyre për projektligjin në fjalë. Por tundimi i parezistueshëm për përgjime i ekzekutivit nuk është fashitur për asnjë sekondë.

Aktualisht po hasim në një herë të tretë të ekzekutivit për të kontrolluar hetimin duke i dhënë mundësi policisë që nëpërmjet një akti ligjor të arnuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, të ketë mundësinë që gjatë procesit të aktivitetit të saj administrativ gjurmues apo gjatë të quajtur “procedim policor” të kryejë edhe përgjime tërësisht jashtë dispozitave të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale.

Dhe jo vetëm përgjimin telefonik, por edhe ato ambientale në vende publike të cilat sipas jurisprudencës së Këshillit të Europës kanë nevojë për një kontroll më të fortë ligjor të organeve gjyqësore sepse individi është më i relaksuar dhe shpreh më shumë intimitet. Me fjalë të tjera nisma synon që kultura e qeverisjes nëpërmjet përgjimeve e materializuar tek ish-sigurimi, të futen në ligj.

Kurse ndërtimi i këtij komiteti koordinativ si pjesë përbërëse e ligjit për Policinë e Shtetit mbetet atavik jo vetëm si përmbajtje, por edhe sidomos në formë. Sipas kësaj logjike të nismëtarëve të tij duket se çdo organ koordinativ që na shkon nëpër mëndje të ndërtojmë duhet ta fusim si pjesë përbërëse të një ligji dhe kështu ta kthejmë ligjin për Policinë e Shtetit në një depozitë gjigante organesh koordinative. Madje në rast se ky organ nuk do të rezultonte efikas, duhet mbledhur dynjaja pastaj për ta ndryshuar.

Këmbëngulja e qeverisë për t’i dhënë policisë atribute të tilla si dhe krijimi i organizmave me emërtimin koordinativ që mundësojnë kontrollin e hetimit të organeve të pavarura, nuk tregojnë thjesht frikë për implikim të hallkave të ndryshme qeveritare me krimin. Nisur nga mënyra sesi funksionon pavarësia e institucioneve në vendin tonë, duket më shumë se qeveria ka si prirje të saj qeverisjen nëpërmjet një stili të gjerë përgjimesh sesa për të kontrolluar apo luftuar krimin.

Nga të gjitha këto veprime duket se ajo nuk heq dot dorë nga vesi i qeverisjes nëpërmjet përgjimeve sepse jo më kot thuhet se vesi del bashkë me shpirtin.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas