Kumbullat janë një burim i pasur vlerash shëndetësore, vitaminash dhe mineralesh. Po kështu ndihmojnë organizmin tonë në luftën kundër shumë sëmundjeve si dhe ofrojnë freskinë gjatë këtyre ditëve të ngrohta të verës
Kumbullat janë fruta jashtëzakonisht të shijshme dhe të preferuara nga konsumatori shqiptar. Kumbulla i përket familjes botanike Rosaceae që përfshin pjeshkat, kajsitë dhe nektarinat. Kumbullat i gjejmë në ngjyra dhe forma të ndryshme në plot 2000 varietete. Në vendin tonë, prodhimi më i lartë i kumbullave vërehet në zonat e Fierit, Lushnjës, Beratit, Korçës, Pogradecit, Shkodrës dhe Shqipërisë së Mesme. Kumbullat mund të konsumohen të freskëta, mund të thahen ose mund të përpunohen. Kumbullat janë një burim i pasur vlerash shëndetësore, vitaminash dhe mineralesh. Ato përmbajnë vitamina të rëndësishme si A, C, K, B1, B2, B3, B-6 dhe vitaminë E. Kumbullat përmbajnë minerale të çmuara, si: kaliumi, fosfori, magnezi, hekuri, kalciumi dhe zinku. Ato janë burim i pasur fibrash dhe kanë pak kalori.
Vlerat shëndetësore të kumbullës
Antioksidantët
Kumbullat përmbajnë vitaminë C dhe fitonutrientë. Këto përbërës kanë vlera antioksiduese që parandalojnë dëmin e shkaktuar nga radikalet e lira. Substancat që gjenden te kumbulla ofrojnë mbrojtje të yndyrave thelbësore te neuronet dhe membranat e qelizave kundrejt çdo sulmi që mund të shkaktohet nga stresi apo vetë procesi i oksidimit.
Diabeti
Kumbulla ka efekt antihiperglicemik dhe ndihmon në luftimin e diabetit. Studimet kanë treguar që konsumimi i kumbullave ndihmon në reduktimin e glukozës dhe triglicerideve në gjak. Flavonoidët që gjenden te kumbulla kanë vlera mbrojtëse kundër rezistencës së insulinës në organizëm.
Sistemi kockor
Konsumimi i kumbullave të thata ndihmon në ruajtjen e shëndetit të kockave. Flavonoidët te kumbullat parandalojnë përkeqësimin e indeve të kockave dhe si rrjedhojë sëmundjen e osteoporozës te femrat pas menopauzës. Falë përmbajtjes së tyre, kumbullat e thata inkurajojnë formimin e kockave, dendësinë e tyre dhe ndalojnë shkatërrimin e tyre si pasojë e mungesës së hormoneve apo plakjes. Kumbullat janë të mbushura me antioksidantë që janë burim i një sërë vlerash të pasura shëndetësore.
Tretja
Kumbullat janë një burim i pasur fibrash që rregullojnë sistemin tretës. Sipas studimeve, kumbullat e njoma ose ato të thata janë tepër efektive për të trajtuar çrregullimet në tretje siç është edhe konstipacioni.
Sistemi nervor
Kumbulla përmban vitaminë B-6, që ndihmon në transmetimin e sinjaleve nervore dhe ruan funksionimin e mirë të të gjithë sistemit. Ato ndihmojnë në zhvillimin e trurit dhe formimin e hormoneve që kanë ndikim te humori ynë. Triptofani është një aminoacid që ndihmon në prodhimin e neurotransmetuesit serotoninë që luan një rol të rëndësishëm për gjumin, oreksin dhe përqendrimin.
Shëndeti kardiovaskular
Konsumimi i kumbullave ruan shëndetin e zemrës. Sipas studimeve, nëse i konsumoni kumbullat e thata rregullisht, një gjë e tillë do të përmirësojë qarkullimin e gjakut në arterie. Por jo vetëm kaq. Kumbullat parandalojnë disa çrregullime kardiake, zhvillimin e arterosklerozës dhe ulin rrezikun për atakun në zemër.
Sistemi imunitar
Kumbullat janë të rëndësishme për të forcuar sistemin imunitar falë pranisë së vitaminës C. Ato forcojnë rezistencën e trupit ndaj infeksioneve të ndryshme dhe inflamacioneve. Studimet kanë treguar që kumbullat luajnë rol parandalues për zhvillimin e qelizave të dëmshme dhe kanë vlera të mëdha në parandalimin e një sërë sëmundjeve të tjera.
Ruan nivelet e kolesterolit
Lëngu i kumbullës ruan kolesterolin e mëlçisë në nivele normale. Fibra nga ana tjetër mbron zemrën duke ulur kolesterolin e keq dhe rritur kolesterolin e mirë.
Ankthi
Konsumimi i rregullt i kumbullave ul ankthin. Sipas studimeve, kumbullat janë një burim i pasur antioksidantësh dhe acidesh që ofrojnë zgjidhje kundër disa sjelljeve të shkaktuara nga ankthi dhe dëmeve nga stresi.