Në Bularat të Gjirokastrës po zhvillohet qetësisht ceremonia e të 40-tave të Konstandinos Kacifas, i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me RENEA-n më 28 tetor, pasi nuk pranonte të dorëzohej duke qëlluar edhe ndaj mjeteve të policisë.
Kunati i Kacifas, Evangelis Sakellarakis i ka bërë thirrje kryeministrave Edi Rama e Aleksis Cipras që ta kalojnë këtë situatë pasi popujt janë miq, raporton Top Channel.
“Unë nuk pata probleme kur hyra në Shqipëri, por është e habitshme se si në 10 persona, 8 janë kthyer në kufi. Kam mesazh për Cipras dhe Ramën që t’i kalojnë këto situata sepse popujt janë miq”, u shpreh ai.
Ndryshe nga sa ka ndodhur realisht, ai mohoi që në ceremoninë mortore për Kacifas janë hedhur parulla e thirrje anti-shqiptare. Madje ai deklaroi se as Kacifas nuk është drejtuar asnjëherë kundër një shqiptari.
Por greku Sakellarakis në intervistë tha se Shqipëria dhe Greqia janë një familje dhe se Turqia është ajo që po nxit përplasje mes dy vendeve.
“Dua t’ju them dhe diçka tjetër, është se Turqia në rastin konkret nuk ndihmon miqësinë mes dy popujve. Ne dhe Shqipëria jemi një familje dhe familja i zgjidh problemet brenda vetes dhe nuk pret ndihmën e të tretëve. Në këtë rast Turqia nxit përplasjen mes nesh. Dua të them edhe diçka të tjetër, vetëm të vërtetën. Ju e patë që këtu nuk ndodhi absolutisht asgjë por ishte e papranueshme dhe e dënueshme ajo që ndodhi me policinë e cila ndaloi dhe ktheu gjithë ata njerëz që donin të vinin sot këtu, do shkonin dhe në Gjirokastër, do kontaktonin me njerëz, do lidheshin dhe kjo lidhje do ndihmojë për njohje të mëtejshme dhe bashkim të mëtejshëm. Unë i them këto me shumë sinqeritet”.
Ndërkohë që antiterrori ka blinduar kufirin, e ata që janë identifikuar gjatë ceremonisë së varrimit duke hedhur parulla kundër shtetit shqiptar dhe kombit shqiptar janë kthyer pas, teksa personat e tjerë kanë kaluar pa probleme në pikën kufitare.
Zyrtarisht konfirmohet se shifra e personave të kthyer në pikën kufitare të Kakavijës nga autoritetet shqiptare është 80. Ndërkohë që burime jo zyrtare bëjnë me dije se edhe policia greke po kthen pas persona të cilët dyshohen se janë pjesë e Agimit të Artë.