Është identifikuar dhe arrestuar autori i cili kundërshtoi dhe dhunoi efektivin e policisë pasi i vendosi gjobë për parkim të gabuar.
Uniformat blu bëjnë me dije se në pranga ka rënë 43-vjeçari E.M., banues në Kombinat.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi në rrugën “Thoma Koxhaj”.
Sakaq materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Informacion- Goditi punonjësin e Policisë, falë veprimeve të shpejta hetimore, identifikohet dhe vihet në pranga 43-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte goditur një punonjës policie, në rrugën “Thoma Koxhaj”, menjëherë kanë organizuar punën, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– E. M., 43 vjeç, banues në Kombinat, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”.
Ky shtetas, ditën e sotme, në rrugën “Thoma Koxhaj”, ka goditur për shkak të detyrës, punonjësin e Policisë Z. M., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme, dhe më pas është larguar me mjet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.