Përfitimet e skuadrave pjesëmarrëse në kompeticionet kontinentale të UEFA-s për sezonin e ardhshëm do të pësojnë një rritje të ndjeshme.
Qeveria e futbollit europian raportoi se do të shpërndajë thuajse një miliard euro më shumë për ekipet që do të garojnë nën siglën e saj, duke nisur nga kjo verë.
Sezonin e kaluar, skuadrave që garuan në Champions dhe në Europa League iu dhanë dy miliardë paund, por tani, çeku i majmë i UEFA-s ka shkuar në 2.84 miliardë paund. Nga kjo do të hiqen 457 milionë paund për pagesat e solidaritetit dhe shpenzime organizative.
Reali i Madridit, kampion i rikonfirmuar i Europës, do të luajë në një derbi emocionues me Atleticon fituese të Europa League. Superkupa do të zhvillohet në gusht në Estoni. Të dyja klubet spanjolle do të marrin nga 3 milionë paund vetëm për pjesëmarrjen, ndërsa fituesi do të gëzojë gjithashtu një çek shtesë me 878 mijë paund.
Por do të ketë fitime edhe për klubet e vogla, duke përfshirë dhe ekipet shqiptare, thuajse të papërfillshëm ekonomikisht në arenën kontinentale.
Secili nga 32 klubet që do të hyjë në fazën e grupeve do të marrë 13.34 milionë paund. Klubet në Champions dhe në Europa League do të marrin gjithashtu një përqindje nga vlera e marketingut televiziv në secilin shtet./TCH