Editorial

Kur Erjon Veliaj vesh petkun e “zdromsit”!








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 12:26 - 13/08/20 |
Nga Armand Maho

Erjon Veliaj e mori dhe një herë pamjen e përvuajtur, të bërë ritual tashmë pas çdo zarari. I parruar, me fjalë të përzgjedhura, unifikuese sidomos, ai doli dje përpara mediave për të na dhënë sihariqin e madh se është shëruar nga koronavirusi. Këtë herë kish zgjedhur një media thellësisht besnike ndaj tij. Skenar i përgatitur për të fshehur zullumin.


Më 18 maj, pas shëmbjes se Teatrit ishte i njëjti skenar, por me regji tjetër. Hoqi veshjen casual, për të veshur një xhaketë të zezë, si për të na mbushur mendjen se dhe atij i vinte po aq keq për godinën, por nuk kishte zgjidhje tjeter. Pra ishte i detyruar të bënte një eutanazi të nevojshme ndaj godinës së ndërtuar nga italianët, e mbetur unike në llojin e saj,  dhe bënte thirrje për të vazhduar përpara me “Teatrin e Ri”, që nuk është asgjë tjetër vetëm një aferë e pastër korruptive. Për shembjen e asaj godine u shkelën gati 9 nene të Kushtetutës.


Dje kish zgjedhur të linte mjekrën, si simbol i asaj çka kishte “hequr” këto ditë (a thua është ndonjë mundim i madh të rruhesh para se të dalësh ne zyrë) të merrte pamjen e të përvuajturit, e të na bënte thirrje që të kemi kujdes nga COVID! Asnjë fjalë për mbylljen e RTV Ora dhe Ora News, ku tashmë 200 gazetarë janë në dilemë për vendin e punës, dhe jo vetëm kaq. Të gjithë e dimë se ai sulm u orkestrua për shkak se këto televizone kishin ndërmarrë disa emisione investiguese ndaj tij.


Që të besosh tek Erjon Veliaj, qoftë dhe kur është i sëmurë, duhet një stërmundim i madh! Edhe më skeptiku ndaj konspiracioneve e ka të veshtirë të besojë tek përbetimet e tij. Sidomos kur vesh dhe petkun e “ zdrosmit” (epitet që ai përdori për djemtë shqiptarë), siç e veshi dje, duhet të dimë se në prapaskenë qëndron një zullum i madh.


Kështu u soll dhe pas vdekjes së Ardit Gjoklajt, kështu u soll dhe pas shembjes së Teatrit, kështu po sillet dhe në sulmin ndaj medias, kështu në fakt sillet pas çdo “zdromsllëku” që bën në Bashkinë e Tiranës.


Sepse njeriu që ka guximin dhe del sërish në publik, pas baltosjes që iu bë në zgjedhjet e 30 qershorit nga të paktën 15 mijë qytetarë të Tiranës, njeriu që u betua se do bllokonte lejet e ndërtimit dhe e ktheu qytetin në gërmadhë kullash, nuk e ka problem të veshë petkun e zdromsit, qoftë për qëllimet e tij, qoftë sa herë ja kërkon shefi!


Etiketa: , , ,

Pas