Kur ka filluar të shkruhet shqip në Mesjetë?

Nga Genciana Abazi-Egro*

Shkrimi shqip në Mesjetë ka qenë një veprimtari e cila nuk mbështetej dhe favorizohej nga fuqitë që kontrollonin territoret ku banonin shqiptarët. Këto fuqi pushtetin e tyre e ushtronin përmes gjuhës së tyre që ishte e ndryshme nga shqipja. Kështu që shkrimi i shqipes duke mos vendosur lidhje me asnjë formacion dhe fuqi politike ka qenë një veprimtari e mbetur në hije, me një sferë të kufizuar njohjeje. Kjo e vështirëson përcaktimin e një date të saktë mbi fillimin e shkrimit të shqipes dhe e bën të pamundur ndriçimin e plotë të etapës kur shqipja nga gjuhë e folur kaloi në gjuhë të shkruar.



Dëshmitë tregojnë se shqipja në fillim të shek. 14 renditej në Europë ndër gjuhët e shkruara me alfabet latin. Arqipeshkvi i Tivarit, Gullielmus Adae (i njohur ndryshe si murgu Brocard), më 1332 jep dy informacione të rëndësishme lidhur me shqipen: së pari, shqiptarët shkruajnë libra në gjuhën e tyre dhe së dyti, shqipja megjithëse është një gjuhë e ndryshme nga latinishtja, shkruhet me alfabetin latin. Gullielmus Adae këtë informacion e ka dhënë në një raport të detajuar përgatitur për mbretin e Francës Philippe VI de Valois lidhur me territoret nga ku pritej të kalonte kryqëzata e radhës. Ky raport i shërbente një veprimi politik shumë të rëndësishëm siç ishte kryqëzata, prandaj kemi të gjitha arsyet të besojmë se informacionet që ai ofron mbartin një shkallë të lartë vërtetësie. Përveç kësaj, Gullielmus Adae, pavarësisht të dhënave kontradiktore mbi origjinën e tij shqiptare, duke qenë arqipeshkv i Tivarit gjatë viteve (1323-1341) ka patur një njohje shumë të mirë të këtij rajoni. Kjo ka ndikuar dhe në cilësinë e raportit, i cili vlerësohet nga studiuesit si raporti më i mirë për kryqëzatat i hartuar në gjysmën e parë të shek. 14.

Faktin që shqiptarët shkruajnë shqip e pohojnë në gjysmën e dytë të shek. 15 dhe pelegrini gjerman Arnold von Harff dhe kronikani osman Ruhi Çelebi. Të dy këta autorë informojnë se shqipja është një gjuhë e shkruar, por jo në një nivel shumë të lartë. Von Harff-i jep dhe një detaj lidhur me alfabetin. Sipas tij shqipja nuk kishte një alfabet të sajin, por nuk jep hollësi lidhur me alfabetin që përdornin shqiptarët e Mesjetës për të shkruar gjuhën e tyre. Megjithatë kjo e dhënë e Von Harffit duhet marrë me  rezervë sepse gjatë udhëtimit të tij për në Tokën e Shenjtë (1497) ai ka qëndruar kalimthi vetëm në portet e Ulqinit, Durrësit dhe në ishullin e Sazanit. Gjatë kësaj kohe shumë të shkurtër qëndrimi informacionet i ka patur rastësore, në varësi të personave që ka takuar në këto porte. Për më tepër që Von Harff nuk është një udhëtar shumë i besueshëm sepse në librin e tij ka përfshirë përshkrime dhe të shumë vendeve në të cilat ai nuk ka shkelur fare. Po ashtu të tërthorta i ka informacionet për shqiptarët edhe kronikani osman Ruhi Çelebi.

Por cila ka qenë përmbajtja e këtyre teksteve shqip që nuk kanë mundur të mbijetojnë? Në sajë të dëshmive historike ne mund të hedhim dritë pjesërisht mbi atë çfarë është shkruar shqip në shek. 14 dhe 15. Dhe ajo që mund të themi me siguri është se shqiptarët në këtë periudhë e kanë shkruar vetë librat mbi historinë e tyre. Për kronikat historike të shkruara nga vetë shqiptarët informohemi nga Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe pas tij dhe nga Gjon Muzaka. Skënderbeu më 1460, në një letër dërguar princit të Tarantos pohon se historinë mbi prejardhjen e shqiptarëve e ka mësuar nga kronikat e shkruara nga vetë shqiptarët. Po kështu pas tij edhe Gjon Muzaka përmend kronikat që kanë shkruar shqiptarët mbi historinë e tyre. Ai informon se këto kronika kanë humbur dhe janë shkatërruar gjatë luftërave që kanë ndodhur në trojet e shqiptarëve. Madje kjo ka qenë dhe një ndër arsyet që e kanë nxituar të shkruajë Promemorien e tij të njohur: të hedhë në letër ato që ka lexuar dhe kujton nga historia e shqiptarëve dhe e familjes së tij në veçanti. Ndërsa faktin që shqipja ka qenë gjuha me të cilën shqiptarët kanë shkruar kronikat mbi historinë e tyre e konfirmon Marin Barleti në librin e tij Rrethimi i Shkodrës (1504). Lidhur me themelimin e qytetit të Shkodrës ai thotë se ka lexuar “disa shkrime, më tepër t’i quash fragmente se sa anale … në gjuhën amtare (vernacular linguae)”.

Dokumenti më i hershëm shqip që ka mundur të mbijetojë i përket vitit 1462 (Formula e përdorur gjatë ritualit të pagëzimit te të krishterët katolikë), rreth 130 vjet pas dëshmisë së arqipeshkvit të Tivarit G. Adae. Shpjegimi i kësaj situate që nuk ka mundësuar mbijetesën e teksteve të shkruara shqip, ndërthur proceset historike me procesin e përdorimit të gjuhës amtare në jetën politike e fetare dhe mënyrën e transmetimit të teksteve.

Shqiptarët e Mesjetës në shek. e 14-të u përballën me tërheqjen e sundimit tradicional bizantin, me sundimin e shtetit serb të Stefan Dushanit, dhe me ardhjen e trupave osmane. Këto ndryshime të vrullshme politike nxitën dhe Venedikun të ishte prezent më shumë se kurrë më parë në këto territore duke vendosur nën sundimin e tij qytetet kryesore të bregdetit shqiptar. Këto fuqi politike impononin gjuhën e tyre në komunikimin politik dhe zyrtar. Ndonëse formacionet politike të shqiptarëve të Mesjetës kanë qenë prezente qysh nga shek. i 11-të, fati dhe fuqia e tyre është përcaktuar në një masë të madhe nga raportet e fuqive Lindje-Perëndim. Pikërisht kjo përplasje mes Lindjes dhe Perëndimit e bëri të pamundur që shqiptarët e Mesjetës në shek. 14 të konsolidojnë një formacion politik afatgjatë, i cili do të impononte përdorimin e gjuhës shqipe në komunikimin zyrtar e diplomatik. Kështu që tekstet e shkruara shqip duke mos patur nga pas mbështetjen e një formacioni të fuqishëm politik nuk kanë mundur të jenë në qendër të vëmendjes. Kjo ka vështirësuar ruajtjen dhe transmetimin e teksteve shqip.

Në Mesjetë shumëfishimi i teksteve me anë të kopjimit me dorë ka qenë një proces me kosto të larta financiare, i cili zgjaste shumë në kohë. Kjo e bënte të domosdoshme garantimin e një mbështetjeje financiare, por nga ana tjetër, ndikonte dhe në sasinë e kopjeve që prodhoheshin.

Kur shqipja filloi të përdoret në ligjërimin fetar në gjysmën e dytë të shek. 15, ajo vendosi një lidhje direkte me institucionet fetare. Ky realitet i ri lehtësoi procesin e ruajtjes, të qarkullimit dhe të transmetimit të teksteve. Dokumenti më i hershëm i shqipes që ka mundur të mbijetojë, Formula shqip e Pagëzimit, është artikuluar në një aktivitet zyrtar të Kishës Katolike (Kuvendi i Matit, 1462) dhe u përfshi në dokumentin zyrtar që doli nga kjo veprimtari. Më pas, në fillim të shek. 16, transmetimi i saj u mundësua duke u kopjuar në një dorëshkrim ku janë dhënë dokumente që lidhen kryesisht me personalitetin e Pal Engjëllit, arqipeshkvit të Durrësit. Pikërisht ky kodeks ka mundur të mbijetojë dhe falë tij Formula shqip e Pagëzimit ka mbërritur deri në ditët tona.

Në Europë, në vitet 1500, pas zbulimit të shtypshkronjës nga Gutenbergu, komunikimi me anë të teksteve të shtypura fillon të diferencohet nga komunikimi me anë të dorëshkrimeve që shumëfishoheshin me anë të kopjimit me dorë. Librat e shtypur kishin kosto më të ulët dhe prodhoheshin në një sasi shumë më të madhe se sa dorëshkrimet. Kjo mundësoi një përhapje më të madhe të teksteve duke ndikuar direkt në procesin e qarkullimit dhe më pas në transmetimin dhe ruajtjen e tyre.

Diferencimi në komunikimin e teksteve të shkruara në gjuhën amtare te shqiptarët e Mesjetës fillon në mesin e shek. 16. Ata filluan t’i shtypin librat e tyre në të njëjtën periudhë sikurse popujt e tjerë të rajonit të Ballkanit. Libri i parë i shtypur në greqishten post klasike është realizuar më 1526, në hungarisht më 1527, në rumanisht më 1544, në sllovenisht më 1551, në bullgarisht më 1566. Këtu bëjnë përjashtim kroatët të cilët nën ndikimin e drejtpërdrejtë të ideve të Lutherit dhe kulturës gjermane librin e parë në kroatisht e kanë shtypur më 1483, po në të njëjtin vit dhe Kisha Sllave ka shtypur librin e parë në Krakov, Poloni. Fakti që shqiptarët kanë mundur të shtypin librin e tyre shqip më 1555 (Meshari i Gjon Buzukut)  tregon se kanë patur të njëjtën marrëdhënie me shkrimin dhe librin sikurse popujt e tjerë të Ballkanit.

Shqipja në dekadat e para të shek. 17 renditej në Europë ndër gjuhët që kishin një letërsi të tyre. Në një antologji me poezi hartuar më 1638 në kujtim të humanistit francez Nicholas-Claude Fabri de Peiresc (1580-1637), është botuar një poezi e shkurtër shqip me autor arbëreshin Daniel Cortese. Ky është një botim i veçantë për kohën. Në pjesën e parë të librit janë dhënë elegji të shkruara nga miqtë e afërt të humanistit, ndërsa në pjesën e dytë nën titullin Panglosssia… janë dhënë elegji të shkurtra në 40 gjuhë të botës që Europa i njihte si gjuhë të shkruara. Poezia shqip e shkruar nga arbëreshi Daniel Cortese, së pari, është recituar në ceremoninë përkujtimore në Romë mbajtur më 21 dhjetor 1637. Ndonëse është një poezi modeste, kjo poezi e rendit shqipen ndër gjuhët e shkruara të Europës. Përveç kësaj përfshirja në një botim të tillë ka dhe një simbolikë tjetër që lidhet me personalitetin e humanistit francez. Nicholas-Claude Fabri de Peiresc është përpjekur të përdorë frëngjishten në komunikimet dhe korrespondencat zyrtare dhe gjatë jetës së tij ka treguar një sensibilitet ndaj përdorimit të gjuhës amtare, kundrejt gjuhëve dominante të kohës.

Për sa i përket kronologjisë dhe përmbajtjes teologjike, tekstet e shkruara shqip në shek. 15 dhe 16 tregojnë se çështja e gjuhës amtare te shqiptarët është zhvilluar në të njëjtat paralele që ka ndjekur dhe çështja e gjuhëve amtare në Europë. Ndërsa data e librit të parë të shtypur në gjuhën shqipe (1555) tregon se në çështjen e shkrimit të gjuhës amtare dhe në marrëdhëniet me librin në përgjithësi shqiptarët kanë patur të njëjtën prirje zhvillimi sikurse popujt e tjerë të rajonit.

  • pedagoge, UET

Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252