Aktualitet

‘Kur këndonin gjelat e tretë’ – rrëfimi i pagjykuar i vrasësve








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:17 - 29/08/20 |
Nga Ballsor Hoxha

Pse në përmbledhjen me tregime të Agron Tufës “Kur këndonin gjelat e tretë”  mungon edhe perspektiva e vrasësve, dhunuesve, dhe e masakruesve, vetë “Njeriut të ri” të komunizmit? Kjo, në fund të fundit kërkon përballjen e dëshmive.


Por a mund të jetë perspektiva e munguar e po këtyre, “Njeriut të ri”, Shqipëria e sotshme? Apo, thënë ndryshe, përse të pyetemi më ku është problemi i shqiptarëve, Shqipërisë? Kur kemi para vetit panumër dëshmi të “Gjenocidit shqiptaro – shqiptar”. Dëshmi si kjo e rrëfyer nga – shpirti – dhe realiteti i atyre që vuajtën këta shpirtra, në përmbledhjen me tregime “Kur këndonin gjelat e tretë” të shkrimtarit Agron Tufa.


-Realja – “Luka pas shpine”, njeriu pa peng ndaj kësaj bote


Ky gjenocid ishte -kalimi i njeriut përtej përvojës së tij, në “Njeri të ri”, e që është theks dhe psikologji e ideologjisë tipike për braktisje dhe si braktisje të fajit dhe përvojës së njeriut. Dhe ky kalim krijoi totalen e dhunës, kaosin, deri në zhveshje të asaj që Arthur Shopenhauer e quante vullneti për në të ligë i botës dhe natyrës. Gjë që zbuloi realen, pandjeshmërinë, zhdukjen e njerëzores në këtë pandjeshmëri. Në të vërtetë kjo është realja e zhveshur, e natyrës ashtu si është – qeniesim në vete, e pandjeshme ndaj njeriut. Reale tej asaj që ne e quajmë njerëzore, qoftë sipas asaj religjioze, dhe qoftë sipas asaj humaniste. E -kaluar në realen që nuk e njeh njeriun, reale ku njeriu është po aq i ndjeshëm, i lidhur dhe i përgjegjshëm ndaj tjetrit, sa edhe guri. Reale të cilën e përshkruajnë edhe Arthur Shopenhauer, e Jacque Lacan, reale që tenton kah e liga, kah e keqja, apo, që nuk e njeh njeriun, por që krejt çka mund të bëj njeriu është të krijojë brenda saj.


Kjo Reale në të vërtetë, pandjeshmëria e natyrës dhe botës ndaj njeriut, në këtë përmbledhje me tregime/dëshmi, arrin thellësinë e shprehjes, në tregimin “Luka mbas shpine”. Arrin këtë pikërisht nëpër mishërimin e pandjeshmërisë në tërë dhunën brenda jetës së personazhit si Luka, dhe me këtë nëpër tërë absurdin e një “bote të re” ku është i ngujuar Luka, pa dalje.

Me 11 korrik 1987, pasi kishin ngranë drekë me nanën dhe ajo ish shtri, Luka merr shkrepsen në oxhak, një sëpatë dhe del në zabelin e përcëlluem mbi katund. Mbledh e bën një mullar me dru e dëllinja të thata. U jep zjarrin. Mandej zhvishet kadalë, palos rrobat me kujdes, vë mbi to orën e dorës, sëpatën shkrepsen dhe … futet në zjarr lakuriq… “Edhe sikur ta mbajnë me force njeriun në zjarr, nuk do të rrinte ashtu si Luka”, – thoshin barinjtë që e gjetën skeletin e tij të shkrumbosur.

Luka, derisa digjet, i pa ankesë, i pa keqardhje, i pa dyshim dhe as pa peng ndaj jetës, nuk është e liga në njeriun, ai është individi, ndoshta i vetëm, përballë Reales, pandjeshmërisë, kaosit dhe totales së të ligës në të cilën është zhytur pakthyeshëm Shqipëria, kjo “Botë e re”. I pandjeshëm dhe vetë në revoltën e tij.

Djegia “duke qëndruar brenda zjarrit i palëvizshëm”, e pa peng, pa keqardhje dhe pa fajin, e personazhit Lukaështë vetë shkëputja e ndjeshmërisë, sensit dhe njerëzores, deri në zhdukje të njërit ndaj tjetrit, të njeriut për njeriun. Në të vërtetë është shpërbërje dhe kaos i emrit të njeriut, i cili nuk ekziston pa tjetrin përballë.E tjetri përballë, emri i tij është abstraksion, theks dhe zhveshje e njerëzores (pikërisht të nënës, nga “bija nënë”, sikur në tregimin “Të pushkatohet” dhe pyetjen brenda tij “ku e ka nanën bijë ajo ideja jote?”) në kompozicionin krejtësisht artificial në “Nëna Parti”.

-Perspektivat ende njerëzore të viktimave

E tërë përmbledhja e tregimeve “Kur këndonin gjelat e tretë” të Agron Tufës është e dominuar nga dëshmi, perspektiva dëshmish ndaj “Gjenocidit” të “Njeriut të ri”. Janë disa perspektiva dominuese nga të cilat rrëfehen tregimet në Kur Këndonin Gjelat e Tretë: ajo infantile, e gruas, e familjes/familjarit, në të vërtetë perspektiva e rrëfimit përfshinë edhe dëshminë eqoftë, edhe të një pianoje të marrë në Austri (tregimi Pianofortja e Çitës). Por ajo që është më tronditëse nga të gjitha perspektivat e rrëfimit të këtyre tregimeve është ‘kthimi i shpirtrave’, ‘rrëfimi i shpirtrave një çast para shkëputjes’, ‘lëngimi i shpirtrave nën ndriçimin e prozhetorëve të masakrave”, pra perspektiva e rrëfimit të shpirtit.

Duke shkuar me radhë, në – perspektivën e infantiles – viktimë, përmbledhja fillon me tregimin “Sajza” një shpirt infantileje që shtegton nëpër ujin e lumit duke qenë se nuk a kanë lënë “të rilind si lule” me zhvarrosjen e varrit të saj në përhershmëri, derisa edhe ia kanë hedhë në lum eshtrat dhe mbetjet e trupit të saj. Ky është horrori, që endet brenda kësaj historie, të shpirtit infantil i cili endet në lum në përhershmëri, me realitetine zhvarrosjes dhe humbjes së eshtrave të edhe fëmijëve, gjatë komunizmit, dhe po ashtu me tregimin brenda po të njëjtit tregim, që ia thotë nëna personazhes – shpirt – para vdekjes,se do të ketë “rilindjen e saj si lule” pas vdekjes. Ky horror është ndërthurja e vdekjes së pa emër të fëmijëve (siç dëshmohet në fund të librit për masakrën e Tepelenës, me mbi 300 fëmijë e foshnje të vdekura), vrasja e pa emër – totale -, dhe realiteti, qoftë ai i kohës reale e qoftë ai i të sotshmes, që vuan mungesën e emërimit të këtyre masakrave.

Në të vërtetë infantilja e ngujuar brenda “ortekut të dhunës” (sipas njërit prej tregimeve në këtë përmbledhje) është e pa emër, sepse infantilja është e pa përvojë dhe e pagjykueshme qoftë nën ndriçimin e “Prozhetorëve të masakrave të Bijëve të Stalinit”. Në të vërtetë infantilja ende nuk ka pasur një emër, një faj, një “aktakuzë” të qëndrueshme. Përpos aktakuzës së ishin infantile e “jetës reaksionare”.

Sajza është rikrijuar, dhe është ri-konstelacion i shpirtërores, është rikthim për të kërkuar emrin e saj, për të gjetur emrin e saj , për të gjetur edhe varrin por edhe vendin e saj, e me këtë të fundit, edhe për të përmbushur emrin e saj. Në këtë, edhe vendi, me këtë dëshmi, duke mbetur i pa emër po ashtu.

– Perspektiva e gruas – dominon në dy perspektivat: në vullgaren e të dhunuarit të saj seksual, si thyerje, si shfytyrim dhe si shkatërrim i njeriut, por me të njëjtën duke e mbajtur të gjallë, për të shërbyer qoftë si dëshmi e ‘mundësisë’ së dhunës, dhe qoftë si ‘përherëshmëri’ e dhunës. Në anën tjetër, gruaja si nënë, është nënë që i bindet instinktit të saj për të – vazhduar jetën – për të vazhduar llojin (e njeriut), për të vazhduar familjen. Ajo në fund, kur edhe ka dështuar si nënë, në të gjallë, vazhdon duke shqyer rrobat e saj për “qefin” të fëmijës së vet, si në tregimin “Qefini”. Ajo ende vazhdon të jetoj, jetën e plotë, paradoksalisht, duke kërkuar të krijoj mburojën për atë jetë, të amshimit dhe të përkujtimit.

– Perspektiva e familjes- , më së miri vërehet në një prej tregimeve më mbresëlënës të përmbledhjes “Ku po shkon, babë…”; jo në përhumbjen dhe tronditjen e babait të familjes që ka varrosur të gjithë anëtarët në kazamatin komunist, i cili në momentin e përballjes me shenjë jete siç është gurgullima e lumit Vjosë, do të kthehet në Komandë për të kërkuar familjen e tij, por në mënyrën dhe rendin si i ka varrosur të gjithë anëtarët e familjes:

E vorrova në të djathtë të nanës së tyne. Pa i mbushë 5 pranverat, Tash ajo (Nëna) i ka dy djemtë në të majtë, dy çikat në të djathtë.

Në këtë renditje, ai ende ruan rendin e familjes, ende ruan rendin e njerëzores, ende ruan rendin e jetës/familjes, ai është ende me ta. Ende është ndërmjet të gjallëve të vetdhe vdekjes, ende është ndërmjet jetës dhe vdekjes, dhe në transin e dhembjes së familjes. Mirëpo ai ende ruan emrin dhe rendin e emrit të të gjithëve bashkë, “Tash ajo i ka dy djemtë në të majtë, dy çikat në të majtë”. Ende nuk ka përfunduar asgjë. Ende i kanë varret. Ende i kanë anët e tyre,dhe vendin e tij secili anëtar i familjes, bashkë, të vdekur!

-Perspektiva e shpirtit

Në përmbledhjen “Kur këndonin…” të Agron Tufës, shpirti është aty brenda masakrës, qenie në vete. Është këtu brenda masakrës për herën e dytë, si i kthyer, për të dëshmuar para nesh. Shpirti është qenia që “shikon lëvozhgën/trupin”, shpirti që “rri roje përreth rrënojës së vet trupore:”

Më poshtë janë marrë shembull tri tregime të cilat e përshkruajnë me logjikë gjuhe dhe qenieje, që e monologojnë shpirtin duke lënë këtë botë.

Në tregimin e parë, shembull këtu, shpirti “ikë si shpend”, dhe braktisë “lëvozhgën e munduar të trupit” në një “fërfëllimë” pamjeje, dhe braktisë prezencën, derisa për pamje të fundit të prezencës ka “mijëra hije njerëzore të llangosur me llucë”.

Tregimi “Dhëmbët e floririt”

… Pastaj, me radhë, tre pickime të hidhura. I numërova. Bashkë me pickimin e tretë ndjeva se u shkul prej meje edhe shpirti. I dlirë, i lehtë, shpirti e braktisi këtë lëvozhgë të munduar dhe si një shpend i trishtuar, kaptoi barakën, u ngjit mbi Kënetë, duke marrë me vete pamjen e mijëra hijeve njerëzore të llangosura me llucë dhe pikëllimin e ujërave të verdha midis kallamishteve që dridheshin e fërfëllonin në erë.

Në këtë tregim krijohet ndjesia e lirisë së braktisjes së shpirtit, pas një absurdi vullgar. Zëri i narracionit është i lehtë, i dlirë dhe i pagjakim për jetën, i pa ankesë dhe as keqardhje. Është i lirë, prapë dhe përtej kalimit të dhunës në absurdin e saj. Emri ka mbetur në “hije të mijëra njerëzve”. Logjika e këtij rrëfimi, këtij lloji duke arritur mjeshtëri artistike të zërit të rrëfimit në tregim, lehtësinë dhe dëlirësinë, duke shuar pyetjen – nga erdhi dhe si u kthye ky shpirt për të dëshmuar -. E lë si logjikë e shpirtit të ikur, si fatalitet dhe pakthyeshmëri.

Në tregimin, e dytë shembull këtu, shpirti, i njeriut i cili tërë jetën e tij ia ka kushtuar shpirtërores së njeriut është në çlirimin e tij të “dalë-ngadalshëm” deri në “kthjellim”. Shpirti është në kalim e sipër, prej “shpërqendrimit” e në “kthjellim”, e në “unifikimin nga lehtësimi prej barrës tokësore”.

Tregimi “Kur kënduan gjelat e tretë”

… kërsima buçitëse e kobures më shpërqendroi….Dalëngadalë, gjithçka nisi të kthjellohej, tok me njësinë e lehtësimit nga barra tokësore…

Në të vërtetë dëshmia e shpirtit që ikë në “kthjellim” është dëshmi e cila ka një sinqeritet serioz dhe të thjeshtë deri në ‘vërtetësi’ të kësaj lirie, dhe të këtij procesi. Është dëshmi e cila krijon vërtetësinë e krimit, derisa ‘shpirti’ rrëfen. Është moment kur pyetesh “si ndodhi, si u rrëfye kjo dëshmi? Kur i vdekuri, njeriu iku në “kthjellim”, dritë?” Pra derisa në tregimin e parë shembull këtu, nuk arrijmë të pyetemi për logjikën e shpirtit që flet, që dëshmon, që nuk kërkon emrin e tij “Në mesin e mijëra hijeve të njerëzve”, në tregimin e dytë shembull këtu, tanimë pyetemi, përmes seriozitetit dhe ‘vërtetësisë’ së braktisjes së shpirtit, krijohet logjika e shpirtit – me emër -.

Në tregimin e tretë, të zgjedhur këtu si shembull, shpirti dëshmon tërë ngjarjen, që nga fillimi, në rrjedhë e sipër e deri tek ndarja për në amshim. Në të vërtetë shpirti, paradoksalisht, jeton ndanë trupit të tij që duhet vrarë për së dyti, dhe në këmbë, pasi që është vrarë një herë. Dëshmi e shpirtit i cili në “naiven” e tij të pa ankesë të pa keqardhje, të pa dyshimin njerëzor dhe të pa dhembje njerëzore, ndien nostalgji për trupin. Kështu duke krijuar logjikë ndërmjet dy ndarjeve të njeriut, logjikë e cila përballë lexuesin, në këtë dëshmi, me ekzekutuesit e këtij trupi; me -kalimin e njeriut në diçka të panjohur, të pa realitet, të pabesueshëm në pandjeshmërinë e tij.

Tregimi “Në këmbë: Te “Përroi i Qenve””

Asgjë më nuk ndreqej. Pashë si u tërbua kapiteni. Si e gjuajti me shqelm kufomën time ende të ngrohtë… Nuk arrija të përshtatesha me gjendjen e re. Doja të kthehesha në trupin tim, por nuk mundesha. Filli i balonës që më lidhte me bujtinën time prej mishi, qe këputur. Përfundimisht. Megjithatë unë ekzistoja. Pluskoja padukshëm në ajrin e qelisë. Pa peshë. Pa formë. Pa dhimbje. I çliruar, por ende nostalgjik. Ende roje përreth rrënojës sime trupore… Trupat e gjallë u kositën pjerrtaz. Vetëm kufoma ime qëndroi, si më parë, në këmbë. E pandjeshme ndaj plumbave.

Në të vërtetë në këtë shembull, të tregimit “Në këmbë: Te përroi i Qenve” vrasja, përballë dëshmitarit, pra përballë shpirtit, me trupin e vet që i ka mbetur peng, është diçka e pa lidhje me njerëzoren që ka pasur trupi i vrarë, është punë, aq më shumë, vrasja është tërësisht e shkëputur nga dhembja, etika apo qoftë edhe jeta, është obligim, që duhet kryer, qoftë për të dytën herë.Është – emri – i cili nuk arrin të theksohet, emri njeri, si përvojë dhe dëshmi, sepse ajo përballë, “njeriu i ri” më nuk është njeri, ka kaluar përtej logjikës së shpirtit dhe trupit, në pandjeshmërinë e pabesueshme dhe të paarritshme.

Por në të vërtetë, perspektiva e rrëfimit prej anës së shpirtit, sikur në këto tregime këtu, është logjikë e cila dëshmon përtej vrasjes, dhunës, qoftë absurde dhe vullgare, dhe përtej sadizmit, dëshmon duke krijuar logjikën e shpirtit që rri peng ndaj trupit të tij dhe anasjelltas, logjikë e cila krijon “çlirimin” e asaj që ka mbete prej përvojës njerëzore, tutje në “fërfëllimë”. Mirëpo “fërfëllimë e cila bartë me vete pamjen e mijëra hijeve njerëzore të llangosura me llucë”. Por e tërë kjo logjikë, ndërmjet trupit dhe shpirtit si dëshmitar ndodh përballë njeriut, dhunuesit dhe vrasësit, nën “Prozhetorët e pushkatimit”. Në të vërtetë, edhe pse në leximin direkt është kthim i njeriut për të kërkuar drejtësinë evënies së emrit vrasjes së tij, në të vërtetë është e paikshmja e fajit, është ngujimi i të vrarit, viktimës dhe të paemëruarit dhe të paemrit, në këtë botë. Apo, thënë ndryshe, “çlirim” i pa keqardhje, që në këtë na lë neve dëshmitarë në pamundësi për të ikur prej përgjegjësisë që bartim.

Gjuha e shpirtit, sidomos me trupin e tij, me sensin e shpirtit ndaj trupit të tij, me “nostalgjinë” e tij ndaj trupit, në të vërtetë është, qoftë si mjeshtëri letrare artistike, dhe qoftë si dëshmi, ri-konstelacion i përvojës, rikthim i njerëzores së munguar, të shtypur, të masakruar, në emër, qoftë emri të jetë – shpirt.   

Por, duke lexuar këtë libër, këto dëshmi që të çjerrin zemrën, nuk mund të mos pyetemi për të pafundmen herë: çka ka ndodhur në të vërtetë? Ku u zhvesh njerëzia dhe kaloi në një çarje ndërmjet trupit që nuk mbante më, qoftë dhunën, qoftë të të qenit të dhunuar, në shpirt që ka peng trupin si “lëvozhgë”?

Me shpikjen e “një bote të re”, “një njeriu të ri”, njeriu kaloi në regresin brenda kompleksit të ashtuquajtur anal – sadist. Kompleks kur fëmija hynë në botën si i ndarë nga tjetri, dhe me këtë zhvillon sadizmin, me këtë tenton të zhdukë tjetrin, dhe të arrijë tërë botën dhe me këtë ta mbajë botën për vete. Në këtë “katilët” – njeriu i ri, u kthye në regres në sadizëm infantil, që do të thotë e rezervoi vetëdijen, fajin dhe gjykimin etik, vetë njerëzoren në një botë të sajuar, në “Një botë të re” që i takonte vetëm atij, dhe me këtë arriti deri në fund, në të vërtetë deri në pafundësinë e dhunës, në dhunë totale, në vetë tendencën e botës, natyrës për në të ligën,në realen e pandjeshmërisë së kësaj bote.

Ç’ është e vërteta, ai duke pas rezervuar të gjitha në “botën e re”, ai nuk pati vetëdije më të lartë se të fëmijës që po hynë në botën që e ndanë me tjetrin, dhe në këtë deshi dhe gjeti argumentin për të zhdukur tjetrin.

Në të vërtetë vrasësit me vetëdije infantile janë vrasës të cilët nuk arrijnë të gjykojnë as kënaqësinë dhe as efektin e vrasjes, sepse nuk e kanë këtë aftësi, pra të të gjykuarit. E me këtë asnjëherë nuk arrijnë të ndjejnë fajin dhe përgjegjësinë.

Gjë që do të thotë se ende nuk kanë dalë nga ky rezervim i gjykimit të tyre, “Në të qenit bijtë e Stalinit” të botës së re, dhe ende nuk e kanë aftësinë e gjykimit.

Në fund të fundit, vetë Kanuni, duke e njohur mirë rrezikun e fajit të vrasësit, e sheh si të domosdoshme jo zbutjen, as faljen, por ‘sublimimin’ e fajit të vrasësit, të bërit të tij të prekshëm për vrasësin. Përndryshe nuk ka drejtësi.

– Perspektiva e “ bijve të Stalinit”, Perspektiva e “Njeriut të ri” –

Duke iu kthyer fillimit, thjeshtë duhet të pyetemi, si nuk ka asnjë që rrëfen, qoftë si i penduar e qoftë si “Brigadier” i kauzës, së “Meshave të zeza” komuniste. Ka vetëm  moment kur ata bëhen të dukshëm , por jo edhe të vetëdijshëm, të përkujtuar por jo edhe të vetëdijshëm. Në një moment, në tregimin “Shqelmi”, shfaqet qartë ikja  ekësaj bote të re nga mundësia e komunikimit njerëzor. “Roja”i këtij tregimi, pasi që ka shkelmuar një nënë që ka ardhur për të vizituar të bririn e saj, dhe pasi që i biri i saj i ka thënë se “nëna e tij nuk do të shqelmohej nga viktima në mënyrën si ka bërë ai”, “roja” nuk ka përgjigje. Ai përshkruhet kështu“roja brutal më pa me disa çaste me sytë e idiotit, që dëgjon, por nuk kupton … dhe thirri… për pendrek...”. Është pamundësia për të arritur deri tek ndjeshmëria birë – nënë, humbur diku në mes të vërshimit, ortekut të krimit.

Mungesa e një fytyre që i rri përballë viktimave të këtij kaosi “kainiade” (siç e quan Tufa), një fytyre që ka kryer këtë urdhër, këtë ‘ndërmarrje’, këtë organizim, që ka totalizuar këtë kaos, këtë horror, është në të vërtetë mungesa e një realeje të po kësaj/këtyre fytyrave, qoftë sot në demokracinë e shtetit të Shqipërisë, e qoftë në pragun e rënies së komunizmit, e qoftë në kohën kur ka ndodhur kjo “kainiadë”.

Mungesa e fytyrës është pritja që i shkakton ky libër, jo vetëm atyre, por tërë shoqërisë shqiptare, që këta kainë të dalin përballë e të rrëfejnë.

Ku mbetet pra emri, i Sajzës, i Lukës pa peng, i gjithë shpirtrave që kthehen e dëshmojnë? Emri i Shqipërisë? Si demokraci, apo si kimerë? Apo e pa fytyrë. E pa emër, duke qenë se nuk ka një varr për infantilen e masakruar të tërë një kolektivi. Duke qenë se nuk ka një gjykim për këto varre. Duke qenë se nuk ka një rrëfim përballë këtij emri.


Etiketa:

Pas