Artan Lame është treguar disi i vërtetë dje në një intervistë në Syri-TV, siç edhe e ka zakon, kur është pyetur për Teatrin. Duke thënë se nuk mund të reagonte, për shkak se është në një post zyrtar, drejtor i Kadastrës, dhe nuk e ka luksin të bëjë debate me Kryeministrin.
Lame që e ka pasur gjithë jetën pasion, vokacion, trashëgiminë kulturore, la të kuptojë se ka pushuar që qëni i ndjeshëm, ditën kur është bërë funksionar i administratës.
Këtu ka një kontradiktë të madhe, dhe një pistë pak të besueshme. Sepse e kemi parë Lamen, dhe Shkrelin të bëjnë luftë kur u ndërruan kangjellat e ndryshkura të Presidencës, luftë të paepur madje.
Ndërkohë që të dy heshtën kur u kthye përmbys Teatri Kombëtar. Jo vetëm për vlerat e tij, po sidomos edhe për mënyrën se si u krye operacioni, në rrugë e mjete aspak civile.
Duke e njohur angazhimin e tij në të shkuarën si intelektual në betejë të vazhdueshme për ruajtjen e trashëgimisë, ne kemi besuar se për Lamen, do të ishte më i rëndësishëm Teatri Kombëtar se sa një detyrë drejtori.
Këtë na ka lënë të kuptojë, se ai sdo të bënte lehtësisht kompromise.
Por jo, na e sqaroi vetë mbrëmë se peshorja ka anuar në krahun tjetër.
Për Lamen, ka më shumë rëndësi të qënit Drejtor, ushtrimi i atyre përgjegjësive dhe pasja e atyre privilegjeve, se sa Teatri Kombëtar dhe gjithë simbolika e tij.
Pra ai na bëri të ditur se është aktivist dhe luftëtar i trashëgimisë dhe vlerave, por part-time. Kur është jo vartës i Ramës. Përndryshe, pushon së qëni, dhe dorëzon armët.
Kësaj ane, kanë ndodhur shpesh shumë zhvillime që kanë nxjerrë në pah se intelektualët e angazhuar në fakt kanë qënë në një farë mënyrë në shërbim të një force politike. Dhe kjo është kuptuar me ardhjen e saj në pushtet. Ku harrohen sakaq parimet për të cilat dikur, dikush qendronte.
Dhe del se Lame tani është drejtor, dhe jo Artan.
Gjithsesi, ai doli nga errësira ku ka qendruar gjithë këto muaj dhe tha diçka. Teatri ka nxjerrë shumë vetë zbuluar, që ende nuk e kanë hapur gojën.