Në kulmin e debatit për zhpenzimet marramendëse të ministreve të qeverisë “Rama” na vjen një shembull i kundërt kur minista shqiptarë kanë paguar drekë zyrtare nga xhepi i tyre. Bëhet fjalë për ish-ministrin e Drejtësisë në qeverinë Berisha, Ilir Rusmali. Por, kjo praktikë ka qenë normale edhe në kohën e qeverisë Meksi, për të cilën dëshmon vetë ai.
Historinë e ka bërë publike gazetari Lutfi Dervishi, i cili publikon një mesazh të ish-kryeministrit.
“ …në kohën e qeverisë Meksi kafet që pinim ne paguheshin nga ne. Vetëm për delegacionet e huaja i paguante shteti. Udhëtonim në “economi class” e me minimum delegacioni jashtë e jo më shumë se 2-3 ditë. Mbajtëm makinat e kohës, Çarçani e Benz kishin vetëm 5-6 veta…etj.,etj..”– shkruan ish-kryeministri Meksi në mesazhin e tij.
“Pasi i mora leje për publikim këtij mesazhi i them se kjo ngjarje ka ndodhur në shekulin e kaluar“- shkruan Dervishi, i cili në këtë debat ka sjellë modelin e ish-ministrit Rusmali që dha dorëheqjen vetëm pse doli emri i vëllait të tij në një tender të ministrisë.
Sot gazetari Dervishi sjell një dokument që vërteton se Rusmaili paguante nga xhepi i tij drekat zyrtare që tejkalonin buxhetin e parashikuar.
“Dorëheqja e Rusmalit në vitin 2008 vendosi një standart që jo vetëm e kemi harruar, por e kemi ndëshkuar! Bashkëngjitur shkresa kur ministri paguante nga rroga kur tejkalonte në drekë zyrtare shpenzimet. Shuma 3200 lekë sot për dikë mund të tingëllojë qesharake, por integriteti zyrtarit të lartë gjykohet si i shpenzon jo milionat por qindarkat publike…”, shkruan Dervishi.
Ky shembull sigurisht duket sikur vjen nga vendet skandinave, ndërkohë që faturat e ministres aktuale të Drejtësisë, Etilda Gjonaj, flasin për dhoma hoteli 700 euro nata e të tjera shpenzime luksoze.