E mbuluar me protesta të forta, rezistencë, qendrim të admirueshëm kundër një akti arbitrar qeveritar, sic askush nuk ka bërë në këto vite demokraci, kauza e banorëve të Unazës së Re është paraqitur deri tani në bllok, e zhurmshme dhe me britma, ku dalëngadalë humbi përmasa vetjake, individuale e cështjes. Aty janë bërë bashkë një komunitet në hall, por secili ka një histori të veten, autentike.
Kjo anë e bën më të prekshëm problemin. Dhe kjo u shfaq e plotë në emisionin Open të Eni Vasilit të enjten. Duhet thënë që në krye se ishte një zhvillim befasues dhe një lloj revolucioni, që një televizion i madh, i cili prej më shumë se një viti protestë, ka favorizuar si shumë të tjerë, variantin e qeverisë dhe bashkisë, u dha hapësirë, u dha zë pikërisht banorëve, familjarëve të prekurve.
U dha atyre mundësinë të tregojnë pjesën humane, përkundër ambalazhimit dashakeq të propagandës deri më tani, që i kishte paraqitur si demonë kundër zhvillimit.
Zgjerimi i Unazës është një projekt që ka kutërbuar rëndë që në krye. Do të mjaftonte vetëm fakti alarmant korruptiv që doli, ku qeveria po bëhej gati t’i jete 20 milionë euro një kompanie fantazëm, për ta hedhur në tokë gjithë skemën. Një skandal që u ndalua sepse u denoncua nga opozita dhe doli në krye falë rezistencës së banorëve. Se po të ishte për autoritetet, ato para do ishin dhënë me kohë e me vakt. Dhe ai recepsionisti që kish krijuar firmën do kishte trashur gishtat duke numëruar verdhushat.
Po as kjo aferë, nuk e ktheu mbrapsht projektin. Eshtë e dukshme që një interes i madh financiar e ka vënë në punë makinerinë që nuk ndalet.
Prej të Enjtes mbrema, kjo punë e qeverisë dhe e bashkisë tingëllon edhe më arbitrare, edhe më e padrejtë.
Vetëm dëshmia e një gruaje krejt normale, e edukuar, mjaft e shprehur, dhe njohëse e mirë e procesit, është e mjaftë për të ndalur për një hop e për të reflektuar.
Krejt e besueshme dhe e vërtetë, ajo tha se megjithëse ka aplikuar njësoj, në të njëjtën kohë, dhe është në të njëjtin vend me një fqinjin e saj, ndryshe nga ai, kjo nuk e ka marrë certifikatën e legalizimit. Pra gishti i akuzës është drejtuar nga qeveria, nga ai që shfaqet shpesh si rockstar, Lamja i legalizimeve, Gruaja, familjarja e tha qartë e me lot në sy. “Unë nuk e mora se nuk kisha 40 milionë lekë të jepja rryshfet”. Po në fakt, për cfarë arsye tjetër, do të behej ky lloj sekektiviteti.
Po ashtu, historia e atij burrit pothuaj invalid dhe me një fëmijë autik në shtëpi. Po ashtu, historitë e të gjithë atyre burrave e grave që rrëfyen disa të vërteta të thjeshta që po humbisnin nga vikamat e piskamat.
Secila prej atyre dramave, ku del në pah abuzimi qeveritar shoqëruar me një lloj padrejtësie historike ndaj tyre, në një vend normal do të sillnin të paktën frenimin e procesit, dhe patjetër do të kishin vënë në lëvizje prokurorinë. Sa shumë të dhëna për korrupsion dolën atë natë.
Dhe ja ku vjen befasia më e madhe. Ata banorë nuk qenkan aspak kundër zhvillimit. Ata e duan zgjerimin dhe atë vepër të madhe urbane, u intereson. Cfarë kërkojnë, është dialog me qeverinë. Kërkojnë një gjë kaq normale, kaq bazike, por që nuk jepet. Dhe kjo u pa qartë që në krye, pasi përfaqësuesit e mazhorancës, nuk u paraqitën në debat. Qartazi, rilindja nuk ka cfarë të bisedojë, cfarë të negociojë. Tjetër kundër mesa duket është bërë dëgjesa, tjetër kund janë rrahur mendimet, tjetër kund janë marrë vesh dhe është marrë vendimi. Pikërisht në zyrat e errëta, ku ndahen troje e ku vendosen planet e mëdha të ndërtimit, që sipas një banori që foli në Open, duke bërë llogaritë e metrave, dilte një biznes ndërtimi prej 400 milionë euro.
Makineritë vazhdojnë shembjet, asgjë nuk e vonon dot, asgjë smund ta pengojë një aferë pothuaj gjysëm miliardë euro. Open të paktën shërbeu për të hapur sytë, edhe ata që ja kanë shitur shpirtin djallit, dhe u duken banorët kucedra që u kanë zënë rrugën qeveritarëve të ndershëm dhe ideve të tyre novatore.
Mapo.al