Prokuroria bëri të ditur të mërkurën se ka dërguar për gjykim ish-deputetin Shkëlqim Selami, i votuar për LSI-në, por që përfundoi me PS-në.
Ai akuzohet se nuk ka treguar se ndaj tij është ekzekutuar një masë sigurie.
Në vitin 2006, ai është arrestuar në Itali si pjesëmarrës në një organizatë kriminale me qëllim emigracionin kriminal.
Partia Demokratike akuzoi dy vjet më parë deputetin e LSI, Shkëlqim Selami, se është dënuar në Itali për trafik qeniesh njerëzore.
Në një deklaratë për mediat, kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë, Enkelejd Alibeaj i bëri thirrje Prokurorisë që të hetojë rastin e deputetit.
“Zbulimi nga media i rastit të deputetit të mazhorancës, Shkëlqim Selami, i cili ka fshehur të dhënat dhe nuk ka deklaruar një dënim në Itali për trafik qeniesh njerëzore, tregon edhe një herë pse Edi Rama nuk e do dekriminalizimin, e pengon atë, dhe nuk është i gatshëm ta zbatojë. Ndërkohë që Europa e ka theksuar, e ka vënë tek kushtet e vendit tonë për integrimin europian, Edi Rama nuk bën asnjë përpjekje për aplikimin e dekriminalizimit, për ndarjen me krimin, me personat me të shkuar kriminale që i ka në Parlament, në bashki e në zyra qendrore”, tha Alibeaj.
Për këto akuza reagoi dje vetë deputeti Shkëlqim Selami, duke i vlerësuar akuzat broçkulla.
“Llumi që nuk do miratimin e vetingut hedh akuza të tilla. Venecia i dha shuplakë atyre që s’e duan vetingun, por vetingu do të bëhet. Qentë le të lehin, karvani do shkojë përpara”, tha ai në një reagim për mediat. Sipas deputetit të LSI, ai vendim që pretendon PD nuk ka lidhje me të dhe dokumenti mund të kontrollohet në KQZ.
“Në vitet ‘90 ka shkuar disa herë në muaj në Itali për biznes dhe nuk është ndaluar asnjëherë”, tha ai ndërsa shtoi se një vendim i tillë ekziston që në vitin 2007 por pas hetimeve çështja është pushuar për shkak se vendimi ishte i falsifikuar. “Vendimi i gjykatës u pushua sepse ishte i falsifikuar”, sqaroi ai.