Editorial

Kur përmbushet profecia dhe ironia vazhdon





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 17:47 - 20/01/20 |
mapo.al

Në një nga ato takimet e para mes Ramës dhe Vuçiç, Presidenti serb e thumboi kryeministrin tonë duke e quajtur jo pa ironi atë një lider global, teksa ai tha se ishte një udhëheqës i vogël dhe kujdesej vetëm për punët e vendit të tij. Rasti e solli, që kjo profeci tallëse të përmbushej.


Sot kemi parë Edi Ramës në një podium të lartë ndërkombëtar, në Ukrahinë, ku është angazhuar në zgjidhjen e krizës mes Kievit dhe Moskës. Po ashtu, ka qarkulluar edhe një foto teksa ai ecën atje në rrugë me stafin që e shoqëron, ku bora dhe suferina nuk e ndalin t’i prijë historisë.



Në çdo situatë normale ky do të ishte një lajm i gëzueshëm për shqiptarët, kur shohin që vendi dhe dinjitarët e tij kanë shkuar aq larg, janë ngjitur në majën e skenave të botës dhe janë bërë faktorë në fronte të mëdha, si ky i Ukrahinës.


Me gjasë, shumë shpejt, Ramën do ta shohim edhe në Moskë, siç ka lajmëruar vetë.

Po ndërsa profecia pra po përmbushet, ironia është thelluar.

Sepse Rama po e merr këtë rol të ri, teksa kriza në vendin që është mandatuar të drejtojë ka një mijë koka e cene, sa vetëm thellohet. Ai po ndërmjetëson konfliktet e mëdha, po asnjëherë në këto vite nuk e mori seriozisht kundërshtarin dhe kërkesat e tij, që të ndërtonte një raport normal politik, cka do t’i shërbente shtensionimit dhe zhvillimit.

Në borë dhe acar Lindjes aty ku armët janë  të ngrehura, mirëpo këtu në Tiranë, vetëm falë ndërhyrjes së miqve të Shqipërisë u bë e mundur që palët të ulen në një tryezë për të kryer reformën zgjedhore, me shpresën se kjo do të sjellë normalitet e zgjidhje.

Ky rol ndërkombëtar vjen në kohën ku çdo ditë, institucionet dhe qeveria po dështojnë para krimit të organizuar, pasi bosët e trafikut me disa vrasje mbi supe po dalin nga burgjet, dhe kur nuk lirohen plotësisht, kanë privilegjin për të kryer shëtitje në bllok.

Lideri botëror, e ka gjendjen ekonomike të nderë, ka mosrealizim të të ardhurave, rënie konsumi, dhe ekspertët e ekonomisë nuk presin asgjë më mirë se viti që kaloi, përkundrazi mund të ketë përkeqësim.

Po shkon të merret me cështje të mëdha, ndërkohë që vendi i tij zbrazet dita-ditës. Mijëra planifikojnë secilin muaj të largohen, se vendi është pa shpresë, i pajetueshëm.

E më e spikatura. Pretendon të zgjidhë tensionin e madh mes Ukrahinës dhe Rusisë, teksa ka krijuar një ngërç dhe klimë të acaruar me Kosovën e Prishtinën, në një raport të pahasur më parë mes dy qeverive të dy vendeve. Me sulme, kritika, ofendime dhe padi në gjykatë.

Se çfarë do t’i sjellë botës kjo presidencë e OSBE-së, prej Ramës, ndoshta ngelet për t’u parë. Ndërkohë, këtu në fshatin tonë të vogël, të gjithë e dimë se çfarë ka sjellë qeverisja e tij, tashmë në vitin e 7-të.

Mapo.al


Etiketa: , , , ,

Pas