Aktualitet

Kur Policia i kërkon hesap Prokurorisë














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:45 - 23/01/21 |
Pëllumb Nako

Si çdo vit, edhe në këtë të sivjetmin, madje elektoral, nuk ka ndonjë arsye që qeverisja të mos e shfrytëzojë ngjarjen tragjike të 21 janarit për përfitime politike duke kërkuar me zë të drithëruar vendosjen e drejtësisë për viktimat e shënuara në atë ngjarje të mbrapshtë.





Ndryshe nga herët e tjera, nuk është klasa politike qeverisëse ajo që thërret fort për drejtësi, këtë radhë është Policia e Shtetit e cila me terma më teknikë, i kërkon zyrtarisht organit të Prokurorisë të rifillojë hetimet lidhur me ngjarjen e 21 janarit në disa aspekte të cilat ajo i konsideron të diskutueshme dhe që duhen rishqyrtuar.


Këtë kërkesë organi i policisë, i sapo certifikuar si i depolitizuar, e bën pikërisht në vigjiljen e përkujtimit të ngjarjes si pjesë përbërëse e një buqete aktivitetesh përkujtimore të organizuar nga qeveria. Në këtë dekor ceremonial, Policia e Shtetit i tregon organit të Prokurorisë edhe se çfarë veprimesh duhet të kryejë.




Ndërkohë edhe më parë, edhe tani pas Reformës në Drejtësi ku qeveria rreket me zell të tepruar të marrë dekoratat e meritës, ligji i ka ndarë qartë dhe bukur rolin që luan policia dhe prokuroria në një proces hetimor si dhe në një proces rifillimi hetimesh, pas një vendimi të formës së prerë të gjyqësorit.


Këto aspekte përbëjnë themelet e drejtësisë dhe janë të mirënjohura. Ato vënë rregull në hierarkinë e vendimeve të organeve të drejtësisë duke i saktësuar po me ligj vendin dhe rolin që i takon secilit si dhe zinxhirin e vendimeve për të privuar nga liria një individ deri në përcaktimin e fajësisë ose jo ku ekskluzivisht vepron vetëm pushteti i pavarur. Në gjithë këtë proces, policia shërben si ndihmëse, jo si aktore e formimit të provës.


Askush, as policia nuk mund të kërkojë rishikimin e vendimit të një organi të pavarur siç është gjyqësori. Prishja e këtij ekuilibri hierarkik ndërmjet këtyre institucioneve pra polici, prokurori dhe gjykata çon në kaos, në krijimin e një shteti ku drejtësinë e bën ai që është më i forti dhe në rastin tonë Policia.

Në një proces hetimor është organi i Prokurorisë ai që udhëheq hetimin. Është ky organ që vlerëson materialet hetimore të ardhura nga policia duke i çmuar ato si të plota ose jo dhe duke vendosur në fund nëse do të fillojë procesin hetimor, apo jo.

Pra ligji e thotë qartë që Prokuroria jo vetëm heton, por edhe e pushon apo e rinis një hetim. Ndërkohë policia ka të drejtën e saj të fillojë hetime ku të dojë dhe si të dojë, për gjithçka, madje edhe e pavarur, por jo në mënyrë autonome, gjithmonë e vlerësuar, e mbikëqyrur dhe e drejtuar nga organet e drejtësisë.

Pa hyrë në saktësinë e vendimit të marrë nga organet e drejtësisë lidhur me ngjarjen e 21 janarit, por edhe sikur ato të perceptohen të padrejta, për asnjë sekondë nuk është as detyra e as e drejta e Policisë të kërkojë rishikimin e vendimit e tyre, pra të vërë në pikëpyetje me instrumenta ligjorë çështje të cilat shkallët e gjykatave të pavarura i kanë marrë në shqyrtim.

Nuk ka asnjë instrument ligjor që të realizojë këtë proces kthimi mbrapsht. Kafenetë, mediat, analistët e të gjitha kallëpeve mund ta bëjnë këtë gjë për të mbarsur sipas bindjes së tyre opinione, por në asnjë mënyrë policia.

Për fat të keq ky parim ligjor është ekzaktësisht e kundërta e asaj që ka kërkuar policia e Tiranës në kërkesën zyrtare dërguar organit të prokurorisë. Kërkesa në fjalë është absurde dhe në rastin konkret nuk bëhet pa qëllim nga policia në kuadrin e devotshmërisë së saj në shërbim të politikës së ditës.

Lidhur me ngjarjen e 21 janarit, policia mund t’i kërkonte rihapjen e hetimit organit të Prokurorisë vetëm nëse do të kishte në dorë prova të reja shtesë të cilat nuk janë shqyrtuar nga gjykimi i mëparshëm. Diçka e tillë nuk ekziston në materialin e bërë publik.

Policia kërkon rishikimin e asaj që tashmë është parë sepse nuk është dakord me interpretimin e dhënë. Ligjërisht, një kërkesë e tillë e Policisë mbetet e pajustifikueshme dhe e barabartë me dëshirën e një qytetari të zakonshëm i cili i pakënaqur me vendimin e gjykatës lidhur me çështjen në fjalë, do t’i kërkonte prokurorisë rihapjen e hetimit për të marrë në pyetje edhe ish-liderin e opozitës së asaj kohe, aktualisht kryeministër, për të shpjeguar rolin e tij.

Madje do të ishte njëlloj e paligjshme sikur policia aktuale e standardit më të lartë të depolitizimit në historinë e këtij vendit, të kërkonte rihapjen e hetimit për të gjithë ata huliganë që morën me dru e masakruan brutalisht ish-kolegët e policisë së asaj dite duke i konsideruar si grup i strukturuar kriminal.

Po sikur të kërkohet rihapja e hetimit edhe për Kryetarin aktual të Bashkisë së Tiranës për panikun që shkaktoi kur i leu kokën me ngjyrë të kuqe një provokatori për të egërsuar turmën dhe për të mundësuar krijimin e incidentit? Është trajtuar në hetim kjo çështje? Po sikur policia të kërkonte rihapjen e hetimit për një maskara që shkeli flamurin kombëtar me këmbë duke kryer veprën penale të përdhosjes së simboleve kombëtare, që një polic e mori dhe e palosi me kujdes? Ka hetim për këtë çështje?

Duket qartë që në këtë prag zgjedhjesh, për të gjithë dhe gjithçka që i duhen qeverisë për të fituar, është e vlefshme edhe policia, edhe kërkesa e saj absurde në rastin konkret që përveçse i bën presion organit të prokurorisë duke futur në kaos hierarkinë apo ligjshmërinë e marrjes së vendimeve, i shërben me protagonizëm, mjaft mirë dekorit politik të shfaqjes qeveritare të radhës për 21 janarin.

Megjithatë një pyetje del e thjeshtë në këtë kontekst. Përse Policia e Shtetit e bëri këtë kërkesë pranë organit të Prokurorisë pikërisht këtë vit dhe jo vite më parë?
Në dhënien përgjigje kësaj pyetjeje, del në pah fakti se Policia e sotme shfaqet me vullnet të plotë në shërbim të politikës së ditës, madje edhe duke mashtruar profesionalisht, duke bërë të kundërtën e asaj që e njeh mirë. Secili në polici e ka të qartë që kërkesa është një shashkë në ditën e ceremonive të qeverisë dhe nuk ka bazë ligjore.

Për të mos thënë me këtë rast që edhe në atë që merr përsipër ta rregullojë, e bën të njëanshme. Kërkesa e policisë për rihapjen e hetimit iu vjen sipas avazit vetëm interesave momentale qeveritare dhe as kërkon, as nuk i shërben qoftë dhe në mënyrë formale zbardhjes të së vërtetës së plotë të asaj dite tragjike, në të gjithë dimensionet e saj që nga fillimi e deri në fund.

Aktualisht presioni publik mbi drejtësinë nuk mund të bëhet nga ana e politikës në pushtet sepse do të ishte një harakiri. Kjo sepse organi i Prokurorisë së sotme funksionon mbi bazën e ligjeve të miratuara nga parlamenti i kësaj mazhorance. Po ashtu organi i prokurorisë është i ndërtuar dhe plotësuar me organikë nga një personel përbërës i cili është përzgjedhur mbi bazën e kritereve dhe cilësive të hartuara dhe të pranuara nga kjo mazhorancë.

Ndaj një sulm i politikanëve qeverisës mbi këtë prokurori, për t’i bërë presion asaj që të rifillojë hetimet e 21 janarit, nuk do të ishte me vend. Asi nën mëngë për të tilla raste mbetet Policia dhe lidershipi i saj që mezi presin të vihen plot hare në dispozicion të pushtetit për të realizuar misione të tilla kamikaze në një kontekst kur zgjedhjet po afrojnë.

1


Etiketa:

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas