Aktualitet

Kur Prishtina ndjen dhimbje për Tiranën





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:24 - 18/05/20 |
Mapo.al

Shembja e dhunshme, brutale e Teatrit dje dhe gjithë forca dhe shkelmi i pushtetit i demonstruar për shumë orë ndaj mbrojtësve dhe aktivistëve, solli mjaft reagime, protestë, revoltë. Po dje, dy prej mesazheve më të bukura dhe më prekëse erdhën nga Kosova, si për të na kujtuar se dhimbja ishte e një kombi. Kur nuk ndihet mirë Tirana, vërtetë kjo trishton Prishtinën.


Ndalimi i aktiviteteve të Teatrit Kombëtar atje, dhe i shumë teatrove të tjera në qytete, në shenjë solidariteti, apo manifestimi i artistëve, qe një gjest frymëzues. Dhe një asgjesim i propagandës malinje të rilindjes, sikur këtë rezistencën po e bënin militantët e partive apo ata që nuk duan progresin.


Të shihje ngrirjen e skenës së Kosovës qe mbështetja më e domethënëse për kauzën e mbrojtjes së Teatrit. Dhe një konfirmim, se është bash shpirti, historia dhe emocionet e asaj godine që nuk duheshin prekur, dhe kjo ska të bëjë me projekte moderne që shiten si gjeniale pas disa emrave arkitektësh të huaj.


E po ashtu, mesazhi tjetër ishte një qendrim i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. I cili, me gjasë, ka plot punë dhe andralla në këto kohë të vështira politike atje, por nuk mund mesa duket të qendronte indiferent para këtij sulmi ndaj një monumenti kombëtar, që ka lidhur shpesh dy Shqipëritë, me pjesët që janë vënë aty, apo me aktorët e dy anëve që kanë ecur e janë duartrokitur së bashku në atë plate.


Mesazhi i Kurtit qe nga më të veçantët dhe përmbajtësorët e dhënë këto kohë për Teatrin.

“Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave. I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë”, shkruan kryeministri i Kosovës.

Këto dy reagime që erdhën dje nga Prishtina e bënë edhe më të bukur rezistencën, dhe i nxorën akoma edhe më të vetmuar fadromistët dhe urdhëruesit e dhunës.

 

 


Etiketa: , ,

Pas