Kryeministri duket se zbuloi rrotën. Disa komisionerë të arrestuar nga SPAK na paskan qenë dhe të opozitës, megjithëse votat e manipuluara qartësisht kishin shkuar në favor të mazhorancës në vitin 2017.
Ky paska qenë thelbi, i gjithçkaje?! Kjo është lufta, që të zbulojmë se të kujt na paskan qenë ata komisionerë që kanë manipuluar votat, jo kush ka përfituar?.
Njësoj si ai mjeshtri i para 3 mijë e ca viteve, që forcën e fërkimit e zhvendosi në rreth, për të lehtësuar mundimin që shkaktonte zvarritja e slitës, njësoj dhe kryeministri po kërkon një alibi, në formë e përmbajtje për të adresuar gishtin te fajtori i manipulimit të zgjedhjeve. Për të lehtësuar sadopak peshën e zvarritjes deri në zgjedhje.
Kjo mendon se do i shërbejë edhe për të “depolitizuar” administratën zgjedhore. Grumbullimin e drejtorëve të vendosur aty me teserë partie por me petk apolitik, për të menaxhuar anekënd zgjedhjet. Pse jo, sa më shumë të kenë zhvatur e zaptuar para e prona publike, aq më të “depolitizuar” do jenë.
Çorbës së prishur nga dosja e Dibrës e Shijakut, ku veç bandave të narkotrafikut, del dhe e gjithë kupola e Rilindjes, madje dhe ai vetë, i shtojmë ca erëza depolitizimi të marra nga drejtorët e PPP-ve, tenderave të rrugëve, masakrimit të arsimit e shëndetësisë, kanabizimit, nepotizmit, dhe ja ku mbaroi. Hidhja elektoratit për konsum politik.
Po kush i tha kryeministrit se komisionerët e PD-së apo të gjithë opozitës nuk qenkan të manipulueshëm?! Kush e pretendon këtë? Problemi është kush ka përfituar, opozita jo se tashmë do ishte në pushtet! Dhe më naivi në këtë vend do e kuptonte se të gjitha rrugët, të shkurtra apo të gjata të çojnë në një destinacion. Ajo është selia e kryeministrisë.
Duke u përqëndruar te komisionerët e Shetelit apo Rubjekës, SPAK i ka bërë një nder të madh Edi Ramës! Në bankën e të akuzuarve për dosjen 339 sot më së pari duhet të ishin urdhëruesit. Sepse po thirren për të dëshmuar të vdekurit, por jo Vangjush Dako, më i gjallë se kurrë, që vazhdon të mbajë damkën e të padëshiruarit nga Departamenti Amerikan i Shtetit. “Larg qoftë” po të nxirret nga pluhuri dosja 184, e degdisur skutave të prokurorisë së Dibrës. Po të hetohej dhe kjo me aq zell sa fakirët e Shetelit dhe Rubjekës, nuk do ishte çudi që mbledhjet e kuvendit të kryheshin nga paraburgimi i 313-ës.
Hetimet e SPAK-ut mund t’i shërbejnë disi atij vetë në daravitjen e mjegullës së skandalit që e rrethoi për shkak të indiferentizmit që tregoi ndaj përgjimeve të BILD, në vigjilje të votimeve të 30 qershorit. E megjithatë, nuk është asgjë në krahasim me atë çfarë ka ndodhur.
Sot kemi një pushtet që zvarrit ditët me vota të vjedhura, që ndryshon Kushtetutën me vota të vjedhura, që harton ligje në favor të oligarkisë me vota të vjedhura, që kryen zgjedhje si në diktaturë, madje duke vjedhur dhe votat e veta. SPAK duke e përqëndruar fajin te rekrutët, të çfarëdo krahu qofshin, po ndihmon “Ponc Pilatin” të lajë duart për të fshehur krimin. Që ky i fundit të shfajësohet para ndërkombëtarëve, se krimin elektoral nuk e ka kryer vetëm ai. Në narrativën për të gënjyer veten, sepse rrota është shpikur tashmë!