Edi Rama, në këto ditë të mbetura para 25 prillit, po mundohet të shfaqë një tjetër pamje, të atij që është në të vërtetë.
Ka hedhur pas yamamoto e 2017, timonin, dajren dhe çdo gjë tjetër që e shoqëroi në atë fushatë, për t’u fokusuar tek ato që do të bëjë në katër vitet e ardhshme.
Një dekalog, futurist me aeroporte çdo dhjetë kilometra, me tunele e me trena elektrik. Me rroga fantastike, pensione akoma më fantastike që në tetë vjet arriti t’i rriste vetëm 200 lekë të reja me sistem drejtësie, fund pandemie, rindërtim dhe gjithfarë premtimesh të pabesueshme, pjellë e fantazisë së zyrës së tij të propagandës.
Dhe të gjitha këto premtime i bën në mes të një realiteti, që është pak ta quash dështim. Ky term mund të përdoret për kryeministra të vendeve të zhvilluara, që në një moment çedimi nuk kanë arritur objektiva në një sektor të caktuar të ekonomisë apo diku tjetër.
Epoka “Rama” mund të përkufizohet me termin katastrofë. Menaxhimi skandaloz që i ka bërë ekonomisë, shëndetësisë, politikave sociale, rindërtimit, humbjes së shanseve për integrimin, sistemit demokratik në vend, krimit të organizuar të mbledhura të gjitha bashkë, kanë çuar në një situatë të ngjashme ndoshta dhe më keq të katastrofave natyrore apo njerëzore që shkretojnë gjithçka.
Nuk erdhi nga natyra, nuk erdhi nga Zoti, nuk erdhi nga ndonjë luftë, por erdhi nga sistemi korruptiv, lidhja me botën e errët të krimit, apo dhe paaftësia që ai ngriti në sistem dhe që e quajti “Rilindje”.
Panoramën e humbjes së besimit e shfaqin më së shumti dhe takimet që Rama po zhvillon në këtë prag fushate.
Përveç banditëve të Elbasanit në Ditën e Verës, që i hapnin rrugët, në përgjithësi komunitetet kanë një lloj bezdisjeje nga vizitat e tij. Rama duket si për të ardhur keq. I plakur nga akumulimi pa fund i pushtetit, që e ka nxjerrë nga binarët, ai po braktiset përherë më e shumë nga taksapaguesit e tij.
Administrata, që mbushte vendet e takimit si bën më punë, përkundrazi. Njerëzit s’mund të gënjehen me pjesëmarrjen e drejtorëve, apo specialistëve të bashkive që nxirren atje me përdhunë nën kërcënimin e bukës së gojës.
Vizita e tij në qytetin e Laçit për rindërtimin, ishte shembulli më i mirë ku revolta e qytetarëve atje u shpreh me indiferencë. Në qendër të qytetit nuk gjendej një njeri që ta përshëndeste qoftë dhe nga larg.
Kryeministri në kërkim të mandatit e tretë, duket si ajo rrëfenja me atë plakën e dëshpëruar, që në pasqyrë shikonte një realitet tjetër dhe kjo bënte që të thërriste nëpër fshat; “Më bëni dhe një herë nuse, pa di unë si nusëroj”.
A nuk përngjan kështu dhe kërkesa e Ramës që i bën të tijve për 88 mandate ?!
Kur bie fjala tek besimi në tavolinat e të majtëve të zhgënjyer, por dhe të tjerëve, rëndom dhe jo pa romuz po përdoret një shprehje . “Ramën nuk e beson më as Erjon Braçe”.
Ky i fundit është një militant tipik i së majtës, por pa qenë aspak i majtë. Rend verbërisht pas kryetarit të partisë, apo kryeministrit kushdo qoftë. Këtë ka bërë me Metën, Nanon, dhe së fundmi më Ramën. Në fakt si ka dalë keq, sepse ka që nga adoleshenca dhe deri tani ne vigjilje të të 50-ve që mban në xhep mandat deputeti. Pra vetëm i ka marrë këtij vendi dhe këtyre njerzve nga taksat e ska dhënë praktikisht asgjë.
Duke njohur si vlerë vetëm militantizmin, zgjedhur heshtjen edhe kur e kanë trajtuar si leckë, ja ka dalë t’i mbijetojë çdo suferine në PS, deri sa ka arritur në pozicionin aktual, te zëvendësit ku nuk ka asgjë në dorë përveç se të firmosë zullumet e Edi Ramës në vendimet që ai merr.
E megjithatë në derexhenë ku ka arritur, kryetari i Rilindjes, s’është çudi që të ketë futur dyshime dhe tek militantizmi i llojit Braçe.