Sot ishte një ditë e zezë për të gjithë ata që janë rritur në vitet ’90. Dy nga yjet më të mëdhenj të asaj kohe humbën jetën. I pari ishte Keith Flint i Prodigy. Më pas u lajmërua vdekja e aktorit Luke Perry
Vdekja e Keith Flint
Rrjetet sociale edhe në Shqipëri janë mbushur me mesazhe pas vdekjes së papritur të këngëtarit Keith Flint, i njohur si lideri i grupit Prodigy. Ata që janë rritur duke dëgjuar muzikën e tij gjatë viteve ’90, e mbajnë mend atë jo vetëm për këngët, por edhe për pamjen e pazakontë.
49-vjeçari Flint vrau veten në shtëpinë e tij, në një zonë rurale në Sussex të Anglisë. Por gjatë një interviste në vitin 2015, ai e kishte paralajmëruar këtë që ndodhi sot.
“Kam këtë gjë brenda meje, e kam pasur gjithmonë, që kur të mbaroj, do të vras veten. Betohem në Zot se nuk jam natyrë vetëvrasëse- por është përfundimisht diçka e mirë. Në momentin kur të nis të urinoj në krevat, do më shihni përpara ndonjë autobusi”.
“Nuk kam frikë nga kjo që jam. Dua thjesht të kthej kokën pas dhe të mendoj se kam bërë një jetë të plotë. Kaq”.
Policia thotë se këngëtari ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, pavarësisht se mjekët tentuan ta kthejnë në jetë. Gruaja e tij, Mayumi Kai, ishte në Japoni kur ndodhi ngjarja. Ajo mendohet se e ka shpëtuar të shoqin disa herë nga droga.
Flint u bë i famshëm në vitet ’90 me hite si ‘Firestarter’, ‘Breathe’ apo ‘Smack my Bitch Up’. Fqinjët thanë se kanë mbetur të shokuar nga lajmi, pasi e shihnin atë vazhdimisht mbi kalë nëpër fshat.
Pavarësisht stilit agresiv muzikor, Flint kishte qenë një djalosh i urtë në fëmijëri. Këngët e tij ishin kontroverse dhe njëra prej tyre ishte ndaluar që të transmetohej nga BBC.
Vdekja e Luke Perry
Luke Perry, një nga aktorët më të dashur të viteve ’90, i famshëm për serialin ‘Beverly Hills, 90210’, ndërroi jetë në moshën 52-vjeçare. Ai ishte shtruar në spital pas një goditje në tru.
Mjekët kishin shpresuar se truri i tij do reagonte, por mesa duket dëmi ishte shumë i madh. Aktori ndërroi jetë në praninë e fëmijëve, të fejuarës dhe gruas së tij.
Aktori ishte i njohur për fushatat e sensibilizimit për kancerin në zorrë, pasi kishte pasur probleme me tumoret në këtë zonë të trupit.