Aktualitet

“Kurban Kushtetuta dhe Republika në tepsi”








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:50 - 03/08/20 |
Nga Ardit Gjinali

“30 Korriku” shënoi një shfaqje autokratike në një Parlament me legjitimitet të diskutueshëm juridik dhe tërësisht të humbur politik.


Periudha kohore 30 Qershor 2019- 30 Korrik 2020 është treguesi më i qartë i vullnetit të vazhdueshëm negativ për instalimin e autokracisë; një vit i vështirë kalendarik politik ku çdo tregues mbi ekonominë, lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut po shënon një regres të thellë.


Ndryshimet kushtetuese u miratuan vetëm pak orë përpara kremtimit të festës fetare të Kurban Bajramit ; njëjtë si shembja e Teatrit që u realizua gjatë muajit të madhënueshëm të Ramazanit. Padyshim, ky enturazh politik, pa ngjyrë politike që vepron me mekanizma tërësisht apolitike meriton që të ndiqet nga shprehja “ Mos i fal Zot sepse këta dinë çfarë bëjnë”. Vendi ynë është shembulli më mirë i një të shkuare historike jo tejet të largët që dëshmon moskufizimin e diktaturave në ndalimin e çdo lirie njerëzore përfshirë dhe atë të besimit, gjithashtu.


“30 Korriku” nuk është një stacion kohor i rradhës, por një gur i lëshuar përdhunshëm mbi fytyrën e Republikës në tentativën e vazhdueshme për ta mposhtur, tjetërsuar, gllabëruar me qëllimin e vetëm që e tilla; -Republika, të kthehet në një oaz të pandëshkueshmërisë që fillon përmes mungesës së barazisë përpara ligjit, mungesës së institucioneve efektive kushtetuese, mungesës së llogaridhënies; – vijon me vullnetin qytetar të deformuar dhe krimin elektoral që sjell keqqeverisjen, klientelizmin dhe nepotizmin.


Jetojmë në kohën kur po tentohet që autokracia të konsiderohet si një zakonshmëri dhe normalitet shoqëror përmes paraqitjes së oazit të kinse demokracisë ku mpihet dhe frenohet reagimi qytetar duke përdhosur çdo institucion.

Ndryshimet kushtetuese të miratuara njëanshmërisht me mbështetjen e së ashtuquajturës “opozitë parlamentare” tjetërsojnë dhe humbasin solemnitetin e dokumentit themeltar të shtetit, Kushtetutës, e cila u bë kurban i orekseve të pakufizuara politike të ansamblit “Rilindja e babëzisë” duke e vendosur fytyrën e Republikës në tepsinë e ndryshkur nga skandalet dhe fenomenet negative që kanë qenë bashkëshoqëruesit e një mandati politik qeverisës; mandat qeverisës i ngjizur politikisht nga aleanca e gjerë me thuajse çdo faktor të nëntokës.

Mendësia anarkike dikton zhvillimin e një ekuacioni djallëzor ku përmban si premisa kryesore stigmatizimin e institucioneve dhe përmbysjen e proçedurës demokratike duke jetësuar një vizion anarkik që kamuflohet mjeshtërisht nga KryeKreu me retorikën false të shtetbërjes dhe ligjshmërisë.

“30 Korriku” është fillimi i jetësimit të mendësisë anarkike që synon relativizimin dhe zbehjen e fuqisë institucionale dhe pozicionit hierarkik të çdo institucioni të sistemit demokratik duke hedhur një hap negativ paraprirës drejt instalimit të autokracisë.

Ngjarjet politike të ditëve të fundit dhe arbitrariteti i pseudomazhorancës nuk mund të shkurajojnë besimin e të gjithë faktorëve të qënësishëm politik dhe shoqëror për një aleancë të madhe kundër regjimit të sotëm që kërkon të instalojë diktaturën e së nesërmes; aleancë që kërkon tejkalimin e ambicieve dhe egove negative në funksion të një misioni të madh për mbrojtjen e demokracisë dhe rikthimin e shtetit.

Periudha kohore në vijim do të jetë një katalog djallëzor i përdorimit të çdo instrumenti që do të përdoret si gjethja për të mbuluar vetminë e madhe politike dhe elektorale të enturazhit rilindës.

Llogaritjet meskine që deformojnë sistemin demokratik nuk mund të ndalin kultivimin e një fryme të thellë revolte; e tilla që do të përmbysë makinacionet e një qeverie me bilanc të zi dhe faqe aspak të bardhë.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas