Aktualitet

Kurthet e ardhshme për Kosovën





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:40 - 27/06/20 |
Nga Veton Surroi

Çfarë do të jetë narracioni i ardhshëm i Kosovës? Pas deklaratës befasuese të Zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës është formësuar një lloj diskursi publik në Kosovë, që mund të ndërlikojë edhe më tej situatën. Ja disa shembuj dhe si të korrigjohen.


1. Mbi përgjegjësinë individuale dhe kolektive
Deklarata e prokurorit të Gjykatës Speciale lidhur me H.Thaçin dhe K.Veselin dhe konfirmimi eventual i aktakuzës ndaj këtyre dy individëve dhe të tjerëve të përfshirë në këtë aktakuzë nuk bën të konsiderohet se është e drejtuar kundër UÇK-së. Fjala është për përgjegjësi personale dhe të bashkëveprimit eventual grupor. Gjatë të gjitha gjykimeve të Hagës nuk është vërtetuar në asnjë moment se në UÇK në tërësi e në Shtabin e vet të Përgjithshëm në veçanti ka ekzistuar një urdhër apo formë e operimit, që do të merrte si cak civilët serbë e romë, apo ata shqiptarë që do të konsideroheshin si kundërshtarë politikë. Për më tepër, gjatë gjykimit të R.Haradinajt është dëshmuar se ka pasur urdhër të shprehur për moscenim të jetës a pronës së civilëve. Reagimet e para se ngritja eventuale e aktakuzës është drejtuar kundër UÇK-së janë emocionale, por krijojnë efekt krejtësisht të kundërt, pra shkojnë në drejtim të kolektivizimit të fajësisë eventuale me UÇK-në në tërësi.


2. Mbi barazimin mes Kosovës dhe Serbisë
Narracioni kosovar, i cili do ta identifikonte aktakuzën eventuale ndaj H.Thaçit dhe të tjerëve si aktakuzë kundër UÇK-së, jo vetëm se do të ishte i gabueshëm në fakticitet, por do të çonte drejt një pike vetëfajësimi në opinionin ndërkombëtar me efekt skajshmërisht të dëmshëm të barazimit me veprimet e Serbisë gjatë luftës së Kosovës. Në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë me seli në Hagë, në një sërë gjykimesh e dënimesh fuqiplota është përcaktuar roli i institucioneve të shtetit serb në përpjekjen për gjenocid në Kosovë. Ky rol i institucioneve të shtetit ka qenë produkt i udhëheqjes politike të Serbisë me në krye S.Milosheviçin, udhëheqje e cila ka pasur përkrahjen shumicë në shoqërinë serbe. Në krahasim, në Kosovë nuk ka pasur udhëheqje politike e më vonë as ushtarake që ka udhëzuar drejt akteve të përpjekjes së gjenocidit ndaj popullit serb apo popujve të tjerë.


3. Mbi Gjykatën dhe “kapjen e shtetit”
Deklarata dramatike e Prokurorisë Speciale qe e paprecedent, dhe u arsyetua si mbrojtje nga përpjekjet e H.Thaçit dhe të K.Veselit për “pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së” dhe fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën, dhe ndryshe “kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”. Në një shtet të kapur çfarë është Kosova, veprimet e këtilla të pushtetit ndaj gjykatave nuk janë risi. Por Gjykata Speciale, ndonëse kosovare për nga mandati juridik, është e përbërë prej ndërkombëtarëve, dhe ky reagim i Prokurorisë Speciale është një vërejtje për mbrojtje të pavarësisë së gjyqësorit nga njëra anë dhe të mundësisë që edhe pengimi në zbatimin e gjyqësisë të jetë objekt i një aktakuze paralele ndaj tyre. Insistimi në narracionin kosovar se Prokuroria dhe Gjykata Speciale janë të drejtuara kundër interesave të Kosovës është argument që lehtë kthehet kundër Kosovës. Fillimisht, ngase ishte vetë insistimi politik kosovar – prirë nga H.Thaçi – që të instalohej kjo gjykatë dhe madje të vihej brenda sistemit kushtetues të vendit. Dhe, dy, ngase del që Kosova është kundër Gjykatës vetëm tashmë kur paralajmërohet kahja e veprimeve të saj.


4. Mbi nevojën e ndarjes së Gjykatës nga negociatat
Raporti Marty dhe fillimi i negociatave Kosovë-Serbi kanë ndodhur pothuajse njëkohësisht. Gjatë dhjetë vjetëve të kaluar ekzistenca e Gjykatës Speciale ka qenë një faktor objektiv e ndoshta edhe subjektiv presioni ndaj Kosovës dhe përfaqësuesve të saj, në veçanti për H.Thaçin, i cili ka qenë njëkohësisht emri kryesor në Raportin Marty dhe emri kryesor në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. Një ecje e këtillë e përbashkët ka arritur që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të degjenerojë e të shtrojë si të negociueshme statusin e Kosovës, tërësinë tokësore të saj dhe rregullimin e brendshëm kushtetues. Deklarata e Prokurorisë Speciale është një fund i natyrshëm i këtij procesi të ecjes së përbashkët të Gjykatës dhe negociatave. Tash duhet të ndahen rrugët dhe përderisa të ketë një përcaktim të Gjykatës lidhur me validitetin e akuzës, nuk do të ketë rrethana për vazhdimin e negociatave.

5. Ballafaqimi me të kaluarën
Deklarata e Prokurorisë ka hapur një kapitull të historisë së Kosovës, të ballafaqimit me të kaluarën. Por, ndonëse kjo çështje ishte objekt trajtimi juridik edhe më herët –në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe tash në Gjykatën Speciale – ajo ka munguar fare në procesin negociator mes Kosovës dhe Serbisë. Çështja e të zhdukurve, viktimave civile të luftës, viktimave të dhunës seksuale, si pjesë e përgjegjësisë shtetërore të Serbisë, duhet të marrin përparësi në formatin e ri të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Gjykatat nuk mund të ofrojnë as drejtësi e as pajtim nëse shoqëritë nuk i vendosin drejtësinë e pajtimin në paqe si objektiv parësor të negociatave Kosovë-Serbi.

6. Konsolidimi politik
Deklarata e Prokurorisë kontribuon në rritjen e jostabilitetit politik, i cili kishte mbërritur pikën e vet kulmore me rrëzimin e një qeverie gjatë pandemisë dhe me formimin e një qeverie tjetër me shumicën më të hollë të mundshme. Tash vendi ballafaqohet me sfidë edhe më të madhe për stabilitetin e vet politik. Në javët dhe muajt në vijim vendi do të ketë nevojë për konsolidim politik. Ky konsolidim domosdo duhet të ketë konsultime forcash politike dhe mbase edhe shkuarje në zgjedhje të parakohshme parlamentare.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas