Nga Ndriçim Kulla
Opozita është në të drejtën e saj që të shikojë një kauzë për të protestuar ndaj qeverisë në historinë e ministrit të Brendshëm dhe vëllait të tij, duke kërkuar me këtë rast, dorëheqjen e ministrit të Brendshëm për shkak të historisë së vëllait. Por opozita duhet ta dijë se në qoftë se në qershor Bashkimi Europian merr vendim për të filluar negociatat me Shqipërinë për anëtarësim, atëherë kauza e opozitës do të kthehet kundër saj, pasi shqiptarët do të mendojnë se këto që thotë opozita nuk janë të vërteta, ndryshe Europa nuk do të merrte një vendim pozitiv. Kështu, është në lojë besueshmëria e opozitës ajo që lideri Basha e theksoi veçanërisht në fjalimin e tij në kuvendin e fundit të PD-së, si vlerë për t’ u arritur.
Ana tjetër e këtij kurthi është se qeveria ka krijuar një kauzë të saj të cilën do ta përdorë në rast se vendimi i BE-së për Shqipërinë në qershor do të jetë negativ. Qeveria po thotë çdo ditë se opozita ka qëllim që të ndikojë në vendimin e BE-së, pra nënkuptohet se nëse vendimi është negativ fajin e ka opozita. Opozita duhet ta ketë të qartë se vetëm në këtë pikë kauza e qeverisë kundër saj ka mundësi të ketë sukses te një pjesë e shqiptarëve. Është e vërtetë që edhe qeveria e ekzagjeron me këtë qëndrim të sajin, sepse në fund të fundit, opozita nuk po rrëmben armët, por thjesht po bën një protestë. Prandaj edhe qeveria nuk ka pse e bën kaq alarmuese sjelljen e opozitës. Sa kohë opozita mbetet në kuadrin e fjalëve dhe të ndonjë proteste në rrugë, qeveria nuk ka pse të shqetësohet dhe alarmohet tej mase, siç po duket se po ndodh. Edhe kur opozita përdor materiale me vlerë propagandistike politike që i bien në dorë, siç ishte rasti i audiopërgjimit për vëllain e ministrit të Brendshëm, qeveria nuk ka pse merr rolin e të prekurit përtej masës që i takon duke thënë kryeministri se nëse vërtetohet e kundërta, atëherë ata që e nxorën materialin, duke nënkuptuar liderin e opozitës dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt, duhet të shkojnë në burg.
Në këto raste ligji e ka parashikuar qartë se cili ka tagër për të vënë një lëvizje organet e drejtësisë dhe kryeministri duke ndërhyrë me këtë gjuhë, vetëm sa dëmton drejtësinë. Të mos harrojmë se në rastin e videopërgjimit “Meta-Prifti”, të cilin opozita e kohës, lider i së cilës ishte kryeministri i sotëm, e përdori për të bërë protestën e 21 janarit që dihet si përfundoi, drejtësia dha verdiktin se nuk ishte autentike. A mos duhej që drejtuesit e opozitës së kohës të shkonin në burg për këtë gjë? Sigurisht që jo! Ata përdorën një videopërgjim të kryer nga një ish-ministër, gjë që në thelb nuk ndryshon nga përdorimi prej opozitës së sotme i një audiopërgjimi të kryer nga një qytetar, cilido qoftë ai. Edhe opozita e sotme mund të kishte bërë fare lehtë atë që bëri opozita e vitit 2011, duke gjetur një media për ta transmetuar fillimisht audiopërgjimin, por çfarë do të ndryshonte kjo gjë?
Edhe videopërgjimin “Meta-Prifti” nuk e gjeti televizioni që e transmetoi, por atë ia dha opozita e kohës, që përcaktoi madje edhe ditën se kur duhej bërë transmetimi. Për hir të së vërtetës këtu duhet thënë se në atë kohë kur pati presione ndaj televizionit që e kishte transmetuar videopërgjimin, lideri i opozitës i kohës, u shpreh në atë mënyrë që linte të kuptohej se ai e merrte vetë përgjegjësinë në rast se media përkatëse do të kishte pasoja nga pushteti për këtë shkak. Ndoshta Basha ka pasur parasysh këtë sjellje të paraardhësit të tij, kur vendosi që t’ i bjerë shkurt punës, duke e marrë përsipër direkt transmetimin e audiopërgjimit.
Opozita pra, në këndvështrimin e saj ka një kauzë. Dhe këndvështrimi i opozitës nuk mund të vihet në diskutim, aq më pak nga qeveria, ndonëse kjo e fundit mund të shprehë keqardhje për të. Opozita në fund të fundit mban koston e veprimeve të veta, dhe në demokraci kjo kosto është zgjedhore. Nëse kauza e protestës për çështjen e ministrit të Brendshëm është e gabuar, opozita do të mbajë koston e saj. Por është e gabuar që t’ i thuhet opozitës me gojën e kreut të qeverisë se do të mbajë përgjegjësi penale për këtë kauzë që ka zgjedhur, sa kohë që nuk ka asnjë shenjë që opozita të ketë kryer akte që përbëjnë vepër penale. Dhe për këtë siç dihet nuk ka tagër që të shprehet qeveria, por shprehen të tjera organe kushtetuese.
Por në fund të qershorit nuk do të mbahen mend këto detaje, por do të kërkohet shkaku se përse vendit iu mbyll porta e BE-së. Opozita në këtë rast mund të thotë se BE nuk mund të merrte vendim pozitiv për Shqipërinë me një ministër të Brendshëm si Fatmir Xhafaj, por a do të ketë besueshmëri ky qëndrim i opozitës kur shqiptarët shohin zyrtarët europianë që vijnë e takohen me Fatmir Xhafajn edhe pas ditës së vendimit negativ për Shqipërinë, nëse ndodh që të merret një vendim i tillë. Në këto kushte, më shumë besueshmëri do të ketë kauza e qeverisë e ngritur kundër opozitës, sikur kjo me të gjitha këto që bën ka synim që të ndikojë në vendimin e mbledhjes së nivelit të lartë të Bashkimit Europian në qershor për hapjen e negociatave për anëtarësim, pra që vendimi të jetë negativ për Shqipërinë.
Prandaj opozita duhet të sillet në atë mënyrë që t’ia heqë qeverisë edhe bazën ku mbështetet ky argument kundër saj. Opozita mund ta bëjë këtë gjë fare thjeshtë duke e shtyrë protestën e thirrur për më 26 maj, një muaj më pas në fund të qershorit. Meqenëse vendimi për hapjen e negociatave për Shqipërinë do të merret nga mbledhja e nivelit të lartë e BE-së në fund të qershorit, atëherë edhe protesta le të shtyhet në një nga ditët pas saj. Kështu efekti i protestës mund të jetë shumë herë më i madh.
Demokracia eshte proteste o sh. gazetar , ajo nuk ka lidhje me hapjen e negociatave …..???!!!