Me krizën që nuk sheh ende përmirësim mes demokratëve, zgjedhja e presidentit të ri duket proces i komplikuar që mund ta çojë maxhorancën ta votojë me numrat e saj në Parlament kreun e shtetit, në dy raundet e fundit, ku nevojiten vetëm 71 vota
Presidenti Meta përgjigjej se ishte zgjedhur nga një parlament i ligjshëm dhe se do ta mbante detyrën deri në korrik të 2022, ndërsa maxhoranca me Opozitën e re votuan në Kuvend të parin komision hetimor për shkarkimin e tij. Edhe përpjekja e dytë e maxhorancës për shkarkimin e kreut të shtetit rezultoi e pasuksesshme, megjithatë mandatit të tij po i vjen fundi.Ndërsa procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri duhet të nisin brenda datës 24 maj, realiteti politik pesë vjet pasi Ilir Meta la lidershipin e partisë së tij për të hyrë në rolin e institucionit mbi palët, është edhe më dramatik se ai me PD-në në Çadrën e protestës dhe me Paktin e 18 Majit.
Partia Demokratike vijon në krizë, edhe pas dorëheqjes së kryetarit Basha me Berishën që sillet de facto si kryetari i ri, ende pa u mbajtur zgjedhjet e brendshme në parti. Megjithëse pak muaj kanë mbetur nga përfundimi i mandatit të Metës, deri tani nuk ka pasur emra konkretë që përfliten si kandidatë të mundshëm për kreun e shtetit. Ishte Berisha ai që vetëm pak ditë më parë, deklaroi në një emision televiziv se ish-kreu i PD-së Lulzim Basha po kërkon të bëhet president i Shqipërisë.
Pretendime këto që u hodhën poshtë nga vetë ish-kryedemokrati. “Mos bini pre e trukeve. Çdo ditë “non grata”-t shpallin gënjeshtra për të hequr vëmendjen nga e vërteta. Demokracia është në krizë, ekonomia në krizë dhe shoqëria në krizë. Nuk ka gënjeshtër për të hequr vëmendjen nga të vërtetat”, tha Basha për gazetarët. Megjithatë, një gjysmë pohimi Basha duket se dha për rikandidimin e tij për kreun e Partisë Demokratike. I zgjedhur tri herë nga demokratët, prej vitit 2013, ish-kreu i selisë blu zgjodhi të mos jepte më shumë detaje nëse do të garonte edhe njëherë në zgjedhjet për kryetar. Në një takim me demokratët në Shkodër, të dielën, ai tha se nuk ishte aty për veten, por për vlerat e PD dhe kontributet e demokratëve.
Ai theksoi edhe njëherë atë që ka përsëritur që prej shtatorit, duke thënë se PD nuk bën do përpara me “non grata”-t. Basha tha më tej se ai e kishte marrë përgjegjësinë e tij e më pas iu drejtua ish-kryeministrit, duke thënë “Kur do e marrë Sali Berisha përgjegjësinë e tij për ta çliruar Partinë Demokratike nga ky ngërç?”, tha Basha, i cili e nënvizoi se deklarata e Berishës ishte një gënjeshtër. Pas muajsh betejë të hapur me ish-liderin e PD-së, Lulzim Basha dha dorëheqjen duke pranuar përgjegjësinë e dështimit për t’i bërë bashkë demokratët.
Por ndërsa në Selinë Blu, Berisha pretendon se vendimet në kohën e ndërmjetme drejt zgjedhjeve i merr Komisioni i Rithemelimit, Taulant Balla, një prej tre të mandatuarve të Partisë Socialiste për të negociuar mbi emrin e kreut të ri të shtetit, pak ditë më parë tha se bisedimet do të jenë vetëm me grupet parlamentare.
Ndonëse asnjë hap i hedhur zyrtarisht, të hënën pati zëri të një takimi informal mes Enkelejd Alibeajt me Ballën, Spiropalin dhe Gjiknurin. Grupe të tjera parlamentare, të dalë po nga listat e PD-së, janë ai i kryesuar nga Mesila Doda për Demokraci dhe Integrim dhe ai i Fatmir Mediut, Aleanca për ndryshim, që në total bëjnë 14 deputetë.
Por, ndërsa palëve politike u duhet të diskutojnë emrin e ri për kreun e shtetit, në PD ngërçi ka kaluar në instanca juridike. Ishte Gjykata e Tiranës që njohu statutin e dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit, organizuar nga Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, ndërsa Alibeaj e ka ankimuar.
Ervin Minarolli i Komisionit të Rithemelimit, përmes një statusi në Facebook tha se vendimi nuk mund të ankimohet pasi nuk ka qenë çështje me dy palë. Ai gjithashtu në emër të këtij Komisiomi tha se askush nuk mund të ndërmarrë veprime në emër të Partisë Demokratike, duke shtuar se Kuvendi i 11 dhjetorit e ka shkarkuar zotin Alibeaj si nënkryetar i Partisë Demokratike. Alibeaj, në mbledhjen me grupin parlamentar të PD i kërkoi zotit Berisha të tërhiqej, duke ndjekur shembullin e Lulzim Bashës, ndërsa i kujtoi linjën pro-amerikane të PD-së dhe shpalljen e tij “non grata” për korrupsion dhe minim të demokracisë.
Vetëm pak ditë më parë Berisha tha se demokratët nuk do të votojnë kandidatët e maxhorancës, ndërsa shtoi se si opozitë nuk kishin propozim për president. Ndërsa Minarolli i Komisionit të Rithemelimit, në një postim të fshirë më pas në Facebook thoshte se bisedimet e Alibeajt me treshen negociatore të PS-së kishin zero efekt për PD dhe se kryetari i komanduar është i pamandatuar për këto negociata, Spiropali mohoi të kishte pasur një takim të tillë. Ministrja përjashtoi mundësinë e negociatave me Berishën apo Komisionin e Rithemelimit, duke shtuar se ato do të bëhen me grupet parlamentare në Kuvend.
PD në një njoftim të lëshuar më 2 prill, sqaronte se ende nuk ka asnjë diskutim mbi zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar deklaratën e Berishës nga Shkodra si qëndrim personal dhe jo të partisë apo të grupit parlamentar.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Balla, është shprehur sse vendit i duhet një President mbi palët, diametralisht të kundërt me Ilir Metën, i cili do të qëndrojë në detyrë deri më 24 korrik. Zgjedhja e presidentit të ri, duket një proces i ndërlikuar.
Sipas nenit 87 të Kushtetutës, raundi i parë i votimit për presidentin kryhet jo më vonë se shtatë ditë pas nisjes së procedurave për zgjedhjen e tij. Nëse në tre raundet e para nuk do të ketë kandidat që votohet me 84 vota, në dy të fundit, zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ose 71 vota. Partia Socialiste ka 74 deputetë në parlament dhe me hendekun brenda PD-së, zgjedhja e kreut të shtetit duket se nuk do të gjejë konsensus me votat e opozitës. Siç thuhej në njoftimin e PD-së para pak ditëve, se ndryshimet kushtetuese të 2008-s pas paktit Rama-Berisha, të anatemuara aq shumë nga kreu aktual i shtetit, i kanë mundësuar maxhorancës ta zgjedhë presidentin edhe me thjesht votat e saj…/ Gazeta MAPO