Nga Laert Miraku
“Këto lojëra të mallkuara xhepat na i shpojnë,
Amani shokë amani luajmë por s’fitojmë
Lloje, lloje janë lojëra dy nuk gjen njësoj,
Amani shokë amani luajmë por s’fitojmë
Kush i shpiku këto lojëra kush do ma tregoj,
Amani shokë amani do t’i jap ç’të dojë,
Nëpër bingo lojëra fati i lamë gjithë paratë,
Amani shokë amani po na ndajnë dhe gratë,
Asnjëri s’na e ka fajin ne na kruhet vetë
Amani shokë amani mbetëm dhe pa brekë”.
Këto vargje janë interpretuar nga Parodistët e Vlorës në fundin viteve ‘90 për të pasqyruar realitetin e dhimbshëm të asaj kohë. Shqiptarët sapo ishin zhgënjyer nga firmat piramidale që iu vodhën paratë më premtimin se do i bënin milionerë. Falimentimi i tyre nxiti protesta popullore. Në atë kohë nga protesta ekonomike, ato u kthyen në protesta politike. Synimi i lëvizjeve popullore ishte për të rrëzuar nga pushteti Partinë Demokratike e cila kishte dalë garant për ato firma që mblidhnin para. Presidenti i Republikës në atë kohë, Sali Berisha deklaronte: – “Paratë e shqiptarëve janë më të pastrat në botë.”
Pas falimentimit, ngjarjet precipituan në tragjedi me një bilanc prej rreth 3 mijë të vdekur. Në skemën e firmave piramidale mbetën mbi 260 mijë kreditorë, më vonë mësohet se 210 milionë dollarë shkuan në drejtim të paditur. Në televizionin “Top Channel” në emisionin “Top Story” të datës 3 nëntor 2021 thuhet se: “Nga 500 procese gjyqësore të iniciuara kanë mbetur 71 të tillë. Detyrimi ndaj kreditorëve llogaritet në gati 86 miliardë lekë. Para të mbledhura janë afro 38 miliardë lekë.”
Më gjithë humbjen kolosale, shqiptarët nuk ju larguan dëshirës për të luajtur lojëra fati dhe “ëndrrës” për t’u bërë milionerë brenda ditës pa punuar. Pas “rrëzimit” të firmave piramidale, në të gjithë Shqipërinë, filluan të mbijnë si kërpudhat pas shiut bingot dhe lojërat e fatit. Në çdo lagje kishe nga një bingo, shqiptarët në to luanin paratë që familjet e tyre kishin për të shtyrë muajin, por kishte edhe raste ekstreme të atyre që shisnin shtëpinë për ta luajtur në bingo. E njëjta gjë si bënë me firmat piramidale. Fitimi i atyre që zotëronin këto lojëra fati ishte aq i madh sa drejtuesit e tyre korruptonin dhe bashkëpunonin me elementë të politikës që t’i siguronin këtyre “pronarëve” paprekshmërinë nga ligji.
Nëse për firmat piramidale si: “Xhaferri”, “Populli”, “VEFA”, “Gjallica”, “Cenaj” dhe “Silva”, kishte njerëz që njiheshin si “pronarët” duke pranuar para autoriteteve se drejtoheshin prej tyre, rasti i bingove ishte tjetër. “Pronarët” e këtyre bingove dhe lojërave fati nuk diheshin, kishte shumë pak informacion se kush po i merrte paratë shqiptarëve.
Varësia e shqiptarëve ndaj lojërave të fatit, veçori tipike e shoqërive të varfra, nuk u zbeh asnjëherë gjatë këtyre tre dekadave tranzicion. Por edhe lojërat kanë ndryshuar gjatë këtyre tre dhjetëvjeçarëve. Dikur ishin firmat piramidale. Që për hir të së vërtetës nuk ishin lojëra fati, por skema “Ponzi” që zhvatën paratë e shqiptarëve pasojat e së cilës ndjehen edhe sot. Pas firmave piramidale erdhën bingot. Të dëmshme po njësoj, por marrëzia kolektive nuk ishte aq e madhe. Me kalimin e viteve shqiptarëve ju dolën nga qejfi bingot dhe filluan të frekuentojnë makinetat e lojërave të fatit, kazinotë dhe më pas bastet sportive që luheshin në pika lotosh apo online.
Për dhjetëvjeçarin e viteve 2000-2010 është folur pak mediatikisht për bosët e rinj të lojërave të fatit. Megjithëse ata qarkulluan miliarda lekë, përveç grupeve që kishin interesa dhe gazetarëve, pak njerëz kishin informacion të detajuar se çfarë ndodhte në botën e kumarit. Pas vitit 2010 media filloi të etiketonte ata që quheshin mbretërit e kumarit.
Duke iu referuar deklarimeve të zyrtarëve dhe gazetarëve të kronikës, deri në vitin 2013, kurorën e “Mbretit” të lojërave të fatit e mbante Elvis Doçi. Sipërmarrës i njohur lojërash fati, pronar i një rrjeti kazinosh, i njohur dhe për miqësinë më ministrin e Brendshëm të kohës, Saimir Tahirin. Në televizionin “Top Channel” në emisionin “Inside Story” të datës 27 shtator 2022 thuhet se: “Ata që banonin pranë lulishtes së “Komunës së Parisit”, e kishin pamje të zakonshme, kafe thuajse të përditshme, mes Doçit dhe Tahirit.”
Kujtojmë se Elvis Doçi kurorën e “Mbretit” të lojërave të fatit e kishte fituar në kohën kur në pushtet ishte Partia Demokratike, megjithëse ai kishte miqësi më Saimir Tahirin. Në media përflitet se përmes njohjeve politike Elvis Doçi dinte dhe kohën që duhet të linte fronin e “Mbretit” të lojërave të fatit. Fitimet e Doçit vinin nga kazinotë dhe nga makineri ose ndryshe makineta të lojërave të fatit. Me sa duket ai kishte informacion që qeveria do t’i godiste makinetat e paligjshme. Doçi vendos t’i shesë 400 makineri “ortakut”, biznesmenit të ri të lojërave të fatit, Ervis Martinaj. Një personazh që kishte nisur të bënte emër për lidhjet e forta. Ndoshta ky ishte veprimi fatal që i kushtoj jetën Elvis Doçit.
Në pasdreken e 23 tetorit të vitit 2013, Elvis Doçi do të qëllohej bashkë më kushëririn e tij, ndërsa qëndronin në makinë në pritje të semaforit pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Doçi humbi jetën vetëm disa orë më pas në spital si pasojë e plumbave të marrë. I dyshuari kryesor si porositësi për këtë atentat u tha se ishte Ervis Martinaj. Kjo është ngjarja që rrëzoj një “Mbret” dhe ngjiti në majë një “mbretëri kumari”.
Vrasja vinte pak ditë pasi qeveria e sapo ardhur në pushtet kishte nisur një operacion të gjerë të quajtur “Fundi i marrëzisë” për konfiskimin e të gjitha makinerive dhe pikave të bastit të pa licencuara në të gjithë Shqipërinë. Në 20 tetor të vitit 2013 sapo forcat “Shqiponja” kishin bllokuar makinetat Ervis Martinaj kishte telefonuar personalisht shefin e njësisë Ëngjëllush Afdulaj duke e kërcënuar me jetë. Afdulaj bëri kallëzim penal. Martinaj u shpall në kërkim, por çështja u mbyll shumë shpejt dhe ai nuk vuajti asnjë ditë burg.
Ervis Martinaj dyshonte se Elvis Doçi kishte dijeni për këtë informacion ndaj dhe ia shiti makinetat. Dyshimi ka ardhur prej faktit se Martinaj ishte ndër të parët që u godit nga aksioni “Fundi i marrëzisë” pasi 400 makinetat që bleu iu sekuestruan.
“Për gjithkënd do ishte dyshuese që Elvis Doçi i ka bërë një rreng shokut të vet. Në momentin që ka marrë vesh, nga miq të vetë mbase në politikë, që lojërat e fatit do të mbyllen dhe Ervis Martinaj nuk e kishte këtë informacion. Ja shiti të gjithë biznesin atij duke e ditur që dëmi do i shkonte i gjithi Ervis Martinajt. Por Martinaj nuk u akuzua kurrë zyrtarisht për ngjarjen në fjalë, megjithëse ishte një prej të dyshuarve kryesorë. Ky ishte momenti që shënoj ngritjen e tij drejt majave,” deklaron gazetari Ferdinand Dervishi.
Në vitin 2011 Ervis Martinaj futet zyrtarisht në botën e kumarit teksa hap “King Casino” me objekt lojëra elektronike të fatit me adresë rruga “Him Kolli”. Aktiviteti i saj është pezulluar në vitin 2015. Por Martinaj kishte zhvilluar më parë lotari ilegale të lojërave të fatit nëpërmjet një rrjeti kompanish pa licencë. Përmes këtyre kompanive ai kishte kryer transaksione multimilionshe. Në vitin 2012 ai hedh hapin e madh teksa hap shoqërinë e basteve sportive “Albania Baste Live”. Në vitin 2013 një kompani tjetër lojërash fati u regjistrua në QKB në emër të nënës së Martinajt në emrin “Eurovis”. Ndërkohë shoqëria ITSGA e pajisur me leje për ushtrim të aktivitetit lojëra fati, kategoria baste sportive, nr. 44, dt. 09/04/ 2014 me afat 10-vjeçar. Nga hetimi u provua se kjo shoqëri ka pasur dhe ka operuar me 2450 adresa sekondare në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Me forcimin e lidhjeve bizneset e tij të kumarit u forcuan dhe u shtuan me shpejtësi. Qindra pika bastesh nën emra të ndryshëm tregtar si “Bet 111”, “Baste live”, dhe të tjera u çelën në të gjithë Shqipërinë. Ato ishin mjedise kur emri i tij u bë mjaft i njohur. Edhe bëmat, autoriteti dhe lidhjet e forta me politikën. Për çeljen e një numri kaq të madh bastesh që kërkonin investimin e dhjetëra mijëra euro nuk kishte se si të mos ngriheshin dyshimte. Ai ishte imponuar fort në treg duke konkurruar me bosët e vjetër të kumarit.
“Pronari i një pike basti iu tha hetuesve se procedura funksiononte në mënyrë të tillë. Pasi bëhej një shumë prej 50 mijë lekësh të reja, shkonte të zyrat që ndodheshin prapa “ETC”-së, kati i parë, ku lekët i jepeshin një personi me emrin Beni. Këto ambiente evidentoi prokuroria administroheshin nga shtetasi Ervis Martinaj”, skema si funksiononte tregohet për herë të parë në emisionin “Në shënjestër”, të datës 21 shtator 2022, në televizionin “News 24”.
Në dosjen hetimore për procesin e vitit 2018. Ku theksohet zyrtarisht se kompanitë e Ervis Martinajt rezultonin pa aktivitet referuar të ardhurave. Këtu dalin në dritë dyshimet se përveç shmangies së taksave, pasuria e tij mund të sigurohej nga aktivitete të tjera.
“Në nëntor të vitit 2013 policia shkoi në një biznes që i kishte zyrat afër lumit të Lanës në një qendër tregtare, kati i parë. Zyrat ishin me xhama të blinduar. Pasi policia futet aty brenda shikon një numër punonjësish që kishin përpara nga ato makinat që numëronin paratë. Dhe ajo zhurma e madhe që kishin ata që tregonte se numërohej para gjatë gjithë ditës. Ky fakt tregonte se Ervis Martinaj ishte “Mbreti” i lojërave të fatit në Shqipëri. Aty u gjetën dhe dy mandate që supozohet që secila prej tyre jepte fitimin ditor. Në njërën nga këto llogari lexohej 970 milionë lekë të vjetra dhe tjetra 1.3 miliardë lekë. Të dyja bashkë bënin te 2 miliardë. Pra 1 milion euro në ditë mund të ketë qenë fitimi i tij” ka deklaruar disa herë në media të ndryshme gazetari Ferdiand Dervishi.
Shifrat e frikshme që qarkullonin dhe fitoheshin nga lojërat e fatit “legjitimonin” dhe luftën se kush do ishte “Mbreti”. Cili do kishte pjesën e luanit dhe kush duhet të ishte i kënaqur me pjesën që i lejonte “Mbreti.” Në biznesin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj u përplas edhe më vëllezërit e klanit Duka. Ne media thuhet se Martinaj iu rrëmbeu babanë vëllezërve Duka e më pas e dhunoi. Me sa duket klani i vëllezërve Duka këtë nuk mund ta falte. Por vëllezërit Duka nuk ishin të vetmit armiq të Martinajt. Ai bëri armiqësi me fiset; Doçi, Nikaj, Mataj, Dokle dhe të tjerë. Për një kohë të shkurtër pamë se si u ekzekutuan njëri pas tjetrit të gjithë shokët e “Mbretit”.
Ajo që do të konsiderohej si pikë kthese e bizneseve gjysmë legale dhe legale të Ervis Martinajt ishte pas plagosjes së këtij të fundit në një përballje me njerëzit e Ervin Matajt në ish-Bllok. “Përplasja u shënua në një nga oraret dhe zonat më të frekuentuara dhe që duhej të ishte një plumb në zemër për vetë kryeqytetin. Dhe që solli vendimin e prerë të qeverisë Rama për të mbyllur në 1 janar të vitit 2019 të gjitha pikat e basteve në Shqipëri. Baste të shpërndara si kërpudha, kudo në çdo cep të lagjeve të qyteteve. Mbyllja e të cilave sikur do të shënonte dhe dobësimin e krimit vendas të lidhur me lojërat e fatit. Por që në fakt nuk rezultoi kështu. Pasi paratë që viheshin publikisht në pika lotoje, tanimë kaluan ilegalisht online. Ku krimi tashmë mund të gjeneronte para të shumta dhe të pafundme në botën e nëndheshme. Një dukuri që me sa duket e bëri edhe më të dhunshme luftën për posedimin e basteve. Një histori sa e re as edhe e vjetër. Që me sa duket sa ravijëzoi përplasjet e reja me grupet të padukshme kriminale. Por që ndërkohë kishin filluar të fuqizoheshin dhe të sulmonin njëra-tjetrën”, rrëfehet në emisionin “Në shënjestër”, të datës 21 shtator 2022 në televizionin “News 24”.
Përgjatë viteve kur bastet ishin të ndaluara ligjërisht, përmes fitimeve nga lotot ilegale dhe përplasjeve me grupet rivale, Martinaj kishte krijuar një profil shumë të fortë mes njerëzve të botës së krimit. Ky profil nuk lidhej vetëm më dyshimet për disa vrasje të bujshme, por dhe fal lidhjeve me politikën e zyrtarëve të institucioneve ligj-zbatuese. Ka informacione të shumta që konfirmojnë se ai kishte një listë-pagesë për disa prej krerëve të policisë së shtetit për shërbimet që i bënin.
“Në dijeninë time, Ervis Martinaj që të mbrohej kishte një listë pagesash shumë të gjatë. Në këtë listë pagesë, supozohet dhe mund të jetë e vërtetë, janë rreth 50 punonjës të strukturave të ndryshme të policisë. Siç edhe u vërtetua që shoferi i tij është një polic. Në botën e krimit mbijetesa është barabartë me sa para ke. Ka të ngjarë që grupet kriminale që ishin të interesuara që ta hiqnin nga loja bashkuar me biznesmenë që u bënë të interesuar që ta hiqnin nga loja bënin një shumë më të madhe parash se paratë që ai kishte për t’u mbrojtur, për të siguruar mbijetesën e tij” deklaron mes të tjerash Ferdinad Dervishi.
Me 10 gusht të këtij viti, xhaxhai i Ervis Martinajt denoncon në polici zhdukjen e nipit duke pranuar se nuk kanë më asnjë kontakt me “Mbretin” e lojërave të fatit. Nëse u eliminua apo u vet-izolua, shteti shqiptar nuk ka ende një përgjigje. Por një gjë është e sigurt. Ai u rrëzua nga froni i “Mbretit” të lojërave të fatit. Edhe nëse është vet-izoluar tashmë nuk kthehet dot sërish te bizneset e lojërave të fatit sepse ka shumë armiq dhe është shumë i ekspozuar mediatikisht. Edhe nëse do të tentojë të përdorë emra të tjerë.
Cili do të ngjitet në fron si “Mbreti” i ri i lojërave të fatit?
Deri tani qeveria shqiptare ka marrë tre vendime të cilat kanë ndikuar shumë në sektorin e lojërave të fatit. Konfigurimi i bosëve të kumarit ka ndryshuar sa herë qeveria ka marrë një vendim. Në vitin 2013, me operacionin “Fundi i marrëzisë” ra nga froni i “Mbretit” të kumarit Elvis Doçi. Me 1 janar të vitit 2019 u mbyllën të gjitha pikat e basteve në Shqipëri. Pas kësaj date, terrenin kryesor të basteve ilegale online e kontrollonte Ervis Martinaj. Jo më shumë se 20 ditë nga zhdukja e Ervis Martinajt, kryeministri Edi Rama jep njoftimin se do të hapen bastet online. Ja çfarë deklarojnë një ish-prokuror dhe katër gazetarë për mbylljen dhe hapjen e lojërave të fatit nga ana e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama;
“Operacioni për ndalimin e basteve sportive dhe kumarit nuk u zhvillua shpesh me dëshirën e mirë për të patur atë moralin e përcaktuar shoqëror për të shmangur nga shoqëria një ves siç është basti apo lotaria sportive, por ka qenë thjeshte si të thuash për të ndërruar pronarët e këtij aktiviteti” deklaron ish-prokurori Eugen Beci.
“Në patëm një operacion, një operacion të madha që ju tha popullit se po ju bëhej nder popullit. Por më këtë ngjarje del se nuk është se i paskan bërë ndër popullit. I paskan bërë ndër llogarive të tyre, të largonin nga bastet sportive legale Ervis Martinajn i cili sipas tyre nuk i çonte paratë aty ku duhesh, por i çonte te kundërshtari”, deklaron gazetari Ferdinand Dervishi.
“Kur iu bë presion miqve të afërt të kryeministrit, kur nuk e nxirrte dot nga loja se i shkoi edhe në Surrel, vetë kryeministri e shikonte si kundërshtar politik. Kështu u gjet zgjidhja, mbyllja e lojërave të fatit. Lojërat e fatit u mbyllën vetëm që t’i ndërpriteshin financat Ervis Martinajt”, deklaron gazetari i kronikës Artan Hoxha.
“Kryeministri Edi Rama duhet të na japë një përgjigje nëse ka lidhje zhdukja e Ervis Martinajt me vendimin e qeverisë për të hapur lojërat e fatit?”, pyetje që e ka bërë disa herë publikisht këtë Klodiana Lala.
Gazetari i kronikës Elton Qyno, shkon akoma më tej duke hamendësuar se kush do jetë “Mbreti” i ri i lojërave të fatit. Në një koment të tij të publikuar në disa media, Qyno shkruan: -“Emra të përveçëm dhe me lidhje të forta pranë kryeministrit, si Vangjush Dako, Olsi Rama dhe biznesmenë të tjerë me mjekër të bardhë, që rinë në oborrin e Ramës, si dhe persona të liruar nga burgu e jetojnë në vila, duket se janë përzgjedhur për marrjen e monopolit të basteve sportive, një biznes që gjeneron miliona euro. ‘Mbreti’ i lojërave të fatit, Ervis Martinaj, duket se është sistemuar në një vend që s’dihet ose në të kundërt nëse është gjallë, ka dhënë garancinë se është tërhequr totalisht nga loja.” Deklarata e Elton Qynos është shumë e fortë, por ka të njëjtën linjë logjike ashtu si gazetarët e tjerë.
“Mbreti” i ri i lojërave të fatit ende nuk ka një emër por ka disa të dhënë për të:
*Ka kontribuar maksimalisht në rrëzimin e Ervis Martinajt nga froni dhe nxjerrën e tij njëherë e përgjithmonë nga biznesi i lojërave të fatit.
*Personi apo grupi në fjalë, nga çfarë ka kemi parë të ndodhë deri me tani, është me mbështetje politike dhe ka përkrahjen e qeverisë dhe të njerëzve të afërm të kryeministrit Edi Rama.
*“Mbreti” i ri i lojërave të fatit është shumë herë më i fuqishëm se Ervis Martinaj dhe do jetë në fron i sigurt deri në rokadën politike të radhës. Se kur do të ndodh rokada vështirë që të parashikohet.
* Pretendenti për të marrë fronin duhet të këtë mësuar nga gabimet e Elvis Doçit dhe të Ervis Martnajt nëse ka synimin të qëndrojë sa më gjatë në treg.
Pas këtij shkrimi të gjatë, çdokush mund të pyes se ku lidhën shqiptarët më këtë histori. Nëse mbetemi në sinonimin e luanit “Mbret” për “fabulën” e lojërave të fatit, shqiptarët janë preja. Thuajse të gjitha mediat, politika dhe grupet e interesit janë të fokusuara te fati i “Mbretit”. Shumë pak flitet për prenë që janë qytetarët shqiptarë. Ndonjë mendje “djallëzore” e paguar nga politika mund të hedhë idenë se thuajse në të gjithë vendet e zhvilluara lejohen lojërat e fatit dhe janë pjesë e shoqërive në mbarë botën dhe nuk sjellin dëme.
Po është e vërtetë, lojërat e fatit kanë ekzistuar ndër shekuj dhe do të vijojnë. Por shumica dërrmuese e popullsive të zhvilluara e dinë mjaft mirë faktin që në lojërat e fatit 80 % të xhiros që luhet e fiton organizatori dhe vetëm 20% ata që luajnë dhe hedhin paratë. Shoqëritë e zhvilluara i pranojnë këto lojëra si pjesë e argëtimit duke shpenzuar një kuotë të paracaktuar dhe jo si dritare për t’u pasuruar.
Mendësia e shqiptarëve të thjeshtë për t’u pasuruar brenda ditës i ka rrënuar akoma më shumë ata. Përpara se qeveritë shqiptare të japin licenca për kazino dhe lojëra fati duhet të investojnë për të ndërgjegjësuar shqiptarët që lojërat e fatit janë një mjet argëtimi dhe jo dritare për t’u pasuruar. Me këtë klasë politike jemi të bindur se mekanizma për ndërgjegjësimin e shqiptareve nuk do ketë kurrë. Edhe pas më shumë se dy dekadave do përmenden vargjet: “Nëpër bingo lojëra fati i lamë gjithë paratë, amani shokë amani po na ndajnë dhe gratë”.