Kanë kaluar 48 orë nga lajmi i lirimit të Plarent Dervishit, i cilësuar si një prej kapove të rrezikshëm në vend dhe i akuzuar nga SPAK për dy ekzekutime mafioze, dhe ende nuk ka asnjë reagim zyrtar për këtë ngjarje. Heshtja është edhe me e çuditshme, kur marrim parasysh se ndalimi i tij në Dubai u quajt një sukses i madh, dhe madje SPAK u përshëndet edhe nga ambasada amerikane që e cilësoi të gjithën një aksion të fortë kundër krimit.
Mosreagimi bëhet edhe më misterioz, kur nga raportimet në media del se i akuzuari ka fituar lirinë për shkak se dy ministri në Tiranë kanë dështuar të dërgojnë me postë disa letra brenda 40 ditëve siç e kërkon procedura.
Me këtë llogjike, Lenti siç njihet, e ka daljen nga burgu dhuratë nga Ministria e Drejtësisë ose Ministria e Jashtme të cilat kanë djegur afatet. Sigurisht, asnjëra ministre në këtë rast nuk do të vepronte ose mosvepronte, nisur nga përmasat e personit, pa marrë një ‘ok’ nga shefi i tyre. Ose një tundje koke ose shkelje syri.
Sa më shumë e kalon në analizë këtë ngjarje aq më shumë ajo komplikohet. Rrethanat janë që dy muaj e pak para zgjedhjeve një eksponent i tillë merr këtë bonus. Çfarë ka ndodhur është e rëndë!
Vetë SPAK e paraqiti në publik zbardhjen e dy vrasjeve të bujshme si arritje e u tha qytetarëve që po punon e po justifikon besimin. Po tani që kryesori i historisë u lirua, pse SPAK nuk i jep asnjë sqarim publikut. Heshtja e mungesa e transparencës rrisin edhe më shumë dyshimet se këtu kemi të bëjmë me favore që jepen para datës së votimit. Nëse SPAK vetë është dorëjashtë, pse vonon arrestimi i përgjegjësve, përderisa jemi edhe në kushtet e flagrancës?