Aktualitet

Kush do tërhiqet, Erdogani apo Asadi?





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:27 - 28/02/20 |
mapo.al

Nga Jonathan Marcus, BBC


Konflikti në Siri ka pasur prej kohësh një aspekt të dyfishtë-luftë civile dhe luftë e ndyrë- me disa aktorë të jashtëm që mbështesin palët me qëllimet e tyre strategjike.



Tani, teksa konflikti në veriperëndim të Sirisë po i afrohet fundit, këto dy aspekte po shkrihen në një fuçi baruti, shpërthimi i së cilës do ketë ndikim të thellë përtej Lindjes së Mesme.


Idlibi është provinca e fundit siriane ku territore të rëndësishme mbeten në duart e rebelëve. Në vitin 2017, u duk se Rusia dhe Irani (mbështetëset kryesore të regjimit sirian) dhe Turqia (mbështetësja kryesore e grupeve rebele) arritën një marrëveshje:

-Do ketë armëpushim.

-Të gjithë këta aktorë do kenë njëfarë prezence në zonë.

-Rebelët do çarmatosen.

-Turqia do të vendosë disa posta mbikëqyrjeje në zonë.

A ishte kjo një marrëveshje për të blerë kohë? Vështirë të thuhet. Por sulmet e fundit të qeverisë siriane në Idlib, mbështetur nga ajri prej Rusia dhe nga milicia iraniane në terren, i kanë dhënë fund shpresës për një marrëveshje.

Forcat e regjimit sirian kanë bërë progres domethënës, duke fituar disa zona të rëndësishme, kurse pozicionet turke janë izoluar.

Gjatë javëve të shkuara, forcat turke dhe siriane janë zhytur në konflikt: Ankaraja ka dërguar më shumë trupa dhe presidenti Erdogan ka lëshuar një ultimatum që trupat siriane të tërhiqen nga zona e de-përshkallëzimit.

Luftimet kanë vazhduar gjithsesi.

Në fillim të javës, forcat opozitare siriane, të mbështetura nga Turqia, kërkuan të rimarrin qytetin Saraqeb, një pikë e rëndësishme strategjike. Presidenti Erdogan tha të enjten se zhvillimet në Idlib tregojnë se gjërat janë në favor të Turqisë.

Pastaj, më vonë të enjten erdhi sulmi ajror shkatërrimtar ndaj forcave turke. Turqit kanë akuzuar Forcat Ajrore Siriane, edhe pse është e qartë se avionët rusë janë përfshirë në luftimet e fundit.

Mundësia, për ta thënë më fort se kaq, është që avionët rusë kanë goditur forcat e një vendi anëtar të NATO-s, duke e rënduar më shumë situatën.

Por pavarësisht nacionalitetit të avionëve të përfshirë, kjo që ndodhi mund të jetë gjithçka, por jo aksidentale. Flitet për një karvan të ushtrisë turke të sulmuar, kurse avionët shënjestruar pikërisht vendqëndrimet e ushtrisë turke.

Turqia është përgjigjur me zjarr të rëndë. Skena është hapur për një konfrontim të hapur mes Turqisë dhe Sirisë. E gjitha kjo ngre shumë pikëpyetje.

A do të zmbrapset Ankaraja apo Damasku? A mundet që Moska- e cila nuk shihet si palë neutrale- të nxisë de-përshkallëzimin?

Dhe a ka ndonjë mënyrë për të bindur regjimin sirian që të ndalë ofensivën e gjerë në Idlib?

Kjo duket e dyshimtë pasi presidenti sirian, Bashar al-Assad duket se synon të marrë përsëri kontrollin mbi zonë dhe rusët po e mbështesin në këtë qëllim.

Tragjedi njerëzore

Këto janë pyetje më urgjente.

Por ka edhe të tjera me një natyrë më themelore: se çfarë po ndodh në terren.

Çfarë tragjedie njerëzore po zhvillohet? Në dimrin sirian, qindra-mijëra njerëz janë zhvendosur për herë të dytë dhe të tretë.

Turqia ka pritur disa nga 3.7 milionë refugjatët. Mendohet se mund të jenë mbi dy milionë njerëz të tjerë gati për t’u arratisur drejt kufirit turk.

Turqia ka qenë bujare me emigrantët, por tashmë kjo po bëhet çështje e nxehtë në politikën e brendshme. Egërsimi i Turqisë mund të dërgojë një valë tjetër emigrantësh drejt Europës.

Gjithmonë është thënë se problemi i Sirisë nuk është vetëm i Turqisë, por edhe i Europës.

Por presidenti turk, Erdogan nuk ka shumë miq në Perëndim për momentin. Marrëdhëniet e Turqisë me NATO-n dhe Uashingtonin janë të tensionuara.

Roli prej spektatori i SHBA

Ajo që po shohim në Idlib është kufizimi i politikës së jashtme të Erdogan: një përpjekje e dështuar për trekëndësh mes Uashingtonit dhe Moskës.

Gjithçka duket një lëmsh i tmerrshëm dhe duket se nuk ka asnjë aktor të jashtëm që mund të veprojë për të ulur tensionet, përveç Rusisë.

Kjo është masa e dështimit të administratës së Trump në Lindjen e Mesme.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper foli me homologun e tij turk dhe sipas një deklarate të Pentagonit, të dy diskutuan për ‘agresionin brutal të regjimit të Assad në Idlib, agresion që mbështetet nga Rusia dhe Irani’.

Por Uashingtoni ka qenë kryesisht spektator në Siri që kur presidenti Trump pranoi inkursionin turk në Siri.

Ndoshta një valë e re refugjatësh sirianë do të inkurajojë njëfarë veprimi të bashkërenduar ndërkombëtar.

Por loja përfundimtare brutale në Idlib dhe gjendja shumë e rëndë e njerëzve mbetet një tregues i tmerrshëm i gjendjes aktuale të diplomacisë botërore dhe sjelljes egoiste të kaq shumë aktorëve.



CLOSE
CLOSE
Pas