Dy personat kryesorë, që kontribuan në kthimin e 8- vjeçarit Erion Zena nga Siria në Kosovë, nuk i kanë punët mirë.
Për njërin prej tyre është ngritur të hënën akt- akuzë për vepra të rënda penale, ndërsa tjetri është detyruar të largohet nga shteti “si pasojë e kërcënimeve”.
Ndaj Fitim Lladrovcit, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatat terroriste “ISIS” dhe “Al- Nusra”, që kishte bashkëpunuar me autoritetet kosovare duke mundësuar kthimin e Erionit nga Siria, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për veprat penale: “Organizimi ose pjesëmarrja në grup terrorist” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Kurse Suad S., kushëriri i nënës së Erionit, Pranvera Abazit, thuhet të ketë emigruar nga Kosova për shkak të kërcënimeve, shkruan Koha Ditore.
“Suadi ka qenë i kërcënuar vazhdimisht për shkak se ka ndihmuar kthimin e Erionit. Ai ka ikur nga Kosova së bashku me familjen për këtë arsye”, i ka thënë një burim gazetës.
Se kush e ka kërcënuar Suad S., autoritet kosovare nuk kanë dashur të japin informacione me arsyetimin se bëhet fjalë për “të dhëna konfidenciale”.