fbpx

Kryesore

Kush e përdhos në të vërtetë emrin dhe flamurin e Shqipërisë





               Publikuar në : 20:37 - 25/06/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Shqipëria është vendi i paradokseve. Ditën kur kryeministri Edi Rama shpalli se ka punësuar një prej avokatëve më të shtrenjtë në Gjermani, për të paditur gazetën më të madhe europiane, Zëri i Amerikës në anglisht njoftonte për një lajm që ka kaluar pa shumë rëndësi në vendin tonë, por që do kishte shkaktuar tërmet kudo. Shtatë prej organizatave më të mëdha ndërkombëtare të lirisë së medias zbarkuan në Tiranë, duke theksuar se ‘liria e shtypit është përkeqësuar në Shqipëri’.



Por teksa vula negative i vihet Shqipërisë në rang ndërkombëtar, në raport është më se normale që të kritikohet qeveria, pasi ajo ka në dorë mekanizmat që dëmtojnë ose lejojnë lirinë e medias.


“Qeveria nuk është transparente”, thuhet në raport. “Qeveria pengon raportimin e lirë”, vijohet më tej. “Qeveria imponon mesazhin e saj te gazetarët”, “zyra e kryeministrit kufizon aksesin e gazetarëve kritikë”, “qeveria ka në plan të rikthejë dënimin penal për gazetarët”, duke u pasuar më tej me të tjera akuza se qeveria ka një plan për median online, që mund të sjellë censurën ndaj mediave të huaja etj.

Edhe pse namin e zi ndërkombëtarisht po na e nxjerr qeveria, ajo që po vuan është Shqipëria dhe emri i saj. Por duke e ditur këtë ndjeshmëri, kryeministri Edi Rama po e përdor atë në kahun e kundërt për qëllimet e tij politike. Fushatat elektorale po ngarkohen me flamuj kuqezinj, duke shfarosur flamurin e Partisë Socialiste. Tubimet janë me tone nacionaliste për dëmin që po i bën opozita Shqipërisë, ku në çdo raport dihet se krimin e korrupsionin e bën qeveria. Madje edhe kur thotë se do padisë gazetarin e BILD, kryeministri thotë se po e bën këtë për hir të shqiptarëve dhe të Shqipërisë.

Për cilët shqiptarë po flisni? Për ata që po largohen masivisht nga vendi? Për ata që nuk e duan të keqen që ka rrënjosur kjo qeveri- e cila për herë të parë e ka damkosur vendin si të parin narkoshtet në Europë- dhe kanë dalë në protesta? Nuk ishte BILD që na e ka vënë këtë damkë. Mjafton të guglloni në anglisht, gjermanisht apo në çdo gjuhë të madhe botërore për ‘Kolumbia e Europës’ dhe do shihni se sa shumë media kanë shkruar për këtë temë.

Asnjë gazetar nuk vjen në Shqipëri, duke pasur në mendje se krimin, drogën dhe skandalet i prodhon opozita. Askush nuk e imagjinon se qeveria është ajo e gjora, e cila mezi po e ruan imazhin e Shqipërisë nga media dhe opozita. Imazhi i Shqipërisë është qeverisja e saj, duam apo nuk duam ne. Dhe ky imazh është ai i përgjimeve të BILD, ku shtetin nuk e kontrollon më politika, por mafia. Ky imazh është korrupsioni galopant dhe mungesa e lirisë së shtypit. Ky imazh është te mungesa e të drejtës themelore në demokraci: votës së lirë.

Vërtet stili i BILD duket më i ashpër kur bie fjala te qeveria, e cila etiketohet si mafioze dhe gangstere. Por ky është një stil që e përdorin ndaj çdo autokrati në botë, që nga Erdogan e deri te Putin. Kjo është si një aleancë e pashkruar e mediave perëndimore, që duan t’i japin zemër medias dhe opinionit publik në vende ku liria është në vdekje klinike.

Ndaj mos e përdorni shumë emrin e Shqipërisë për propagandë dhe mos na e tundni shumë flamurin kuqezi para fytyrës se loja është zbuluar. Ju e keni përdhosur më shumë se gjithçka këtë emër dhe këtë simbol. Njësoj si në tubimet elektorale, ku lini nga pas me dhjetëra flamuj, të shkelur dhe të nëpërkëmbur.


Etiketa: , , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas