Mapo Letrare

Kush e priste arrestimin tim?





               Publikuar në : 20:30 - 14/12/19 |
mapo.al

Hysen Sinani


Për ata që më donin, në Lidhje kishte nisur një farë shqetësimi se mos e pësoja si ndonjë shkrimtar i ri që kishte përfunduar në burg për një fjalë goje, si Visar Zhiti, për shembull. Aq më tepër që unë isha marrë gjatë edhe me artin e letërsinë e huaj borgjeze e revizioniste dhe nuk ishte e vështirë të gjendeshin ndikimet e asaj kulture tek unë. Miqtë më të afërt, më kishin këshilluar që të përgatitesha për akuzën politike të njërit prej dëshmitarëve.



Në t vërtetë, më ishte kujtuar ndonjë provokim, pak a shumë i trashë, si ai i n jë shkrimtari që më kërkon një ditë t’i flas për Zhan Pol Sartrin dhe Albert Kamynë, sepse “nuk kishte lezet që një shkrimtar si ai, të mos dinte asgjë për emra kaq të mëdhenj…”. I thashë vetëm se për figura të tilla nuk mund të flisje vetëm për dhjetë minuta në një kafene. Unë nuk dija çfarë t’i thosha. Sidoqoftë, më në fund erdhi edhe dita e gjyqit, e martë apo e mërkurë, fillim i javës së parë të muajit shtator 1985.


Mbaj mend se kishin ardhur pesë dëshmitarë, të cilët u thirrën me radhë në zyrën e gjykatësit, besoj ashtu siç ishin shënuar në listën e përfaqësuesit të Lidhjes. Ndaj them se i pari duhet të ketë qenë Fisnik Sina, i cili, kur u pyet se përse e kisha qëlluar kur ishte një ditë dezhurn në Lidhje, ai u përgjigj:

“Kot fare. Më pyeti se çfarë bëja aty brenda dhe veç kur pashë grushtin e tij që hyri në sportel!…”

– Përse ju qëlloi, për çfarë arsyeje? – e pyeti gjykatësi.

“Kot, ju thashë, për asnjë arsye!”

– E kuptova këtë, “për asnjë arsye”, por dua të them a ishte normal apo kishte pirë?

“Po, kishte pirë, por këtë unë e mora vesh më vonë…”

Në të vërtetë nuk e kisha qëlluar fare. Kisha bërë një shaka me të dhe ai më qe hakërryer duke dalë nga kabina e dezhurnit, sepse e kishte keqkuptuar shakanë time. Aty ishim shtyrë pak, por na kishin ndarë në çast, sepse ishin shokë të tjerë me mua.

I dyti në radhë qe Fatmir Mborja. Edhe ky tha se e kisha qëlluar me grusht papritur dhe e kisha hedhur në kanal.

– Për çfarë arsye; çfarë i thatë, që ai ju qëlloi? – e pyeti gjykatësi.

“Asgjë, ia ktheu ai. Kishim shkuar për ngushëllim te një anëtar i Lidhjes bashkë me tre shkrimtarë veteranë, me shokët Luan Qafëzezi, Llazar Siliqi dhe Hasan Petrela. Ata hynë brenda, kurse ne të dy u thamë se po i prisnim jashtë. Duke pritur, Hyseni më qëlloi papritur…”

– Papritur, pa thënë asnjë fjalë?

“Po, fare papritur…”

– A kishte pirë?

“Po, kishte pirë shumë dhe donte të pinte përsëri te shtëpia e Luan Qafëzezit…”

– Në rregull, thërrisni tjetrin! – i tha sekretares.

Isha habitur atë natë me këtë njeri, të cilin e njihja mjaft të sjellshëm dhe të edukuar me njerëzit. E kisha qëlluar vërtet, por jo me grusht, me një shuplakë, sepse qe treguar agresiv në mënyrë befasuese. Kur po prisnim të ktheheshin miqtë tanë nga vizita, me të cilët kishim pirë duke qeshur me anekdotat pa fund të Luan Qafëzezit, Fatmiri më thotë të iknim e të mos i prisnim “ata maskarenj”! – Maskarenj ata? – ia kisha kthyer unë i habitur.

– Por ne u gajasëm tërë ditën me ata! “Edhe ti, maskara je, si ata!” – ma kishte kthyer në mënyrën më të habitshme e më të papritur, sa më qe dukur më e lehtë si përgjigje një shuplakë, se çfarëdo gjëje tjetër…

Mbas tij, hyri Shpresa Hoti, korrektorja letrare e gazetës. Dukej e shqetësuar dhe si e detyruar që kishte ardhur të dëshmonte në gjyq. Ajo u pyet drejtpërsëdrejti: A kisha pirë unë ditën e shtypshkonjës, kur isha dezhurn?

– Po, kishte pirë, por jo paradite kur korrigjonim gazetën. Kishte pirë mbasdite, kur vinte redaktori i freskët dhe Hyseni nuk e lexonte më gazetën.

– Por a bëri shaka banale me ty dhe a të ofendoi?

– Jo me mua, bëri shaka me punëtorin e shtypshkronjës, të cilin Hyseni e ngacmon gjithmonë.

– Nuk u fyet ju nga shakaja banale?

– Jo, ne qeshëm, sepse ishte për të qeshur…

Shpresa ishte përlotur ndërsa fliste. Gjykatësi nuk e pyeti më tej. Mbas saj, në sallën e vogël hyri Adem Istrefi, të cilin nuk e kisha qëlluar, por e kisha fyer rëndë, sipas dëshmisë. Çfarë i kisha thënë?

“Po ktheheshim bashkë në shtëpi, sepse banonim në të njëjtin pallat, por në hyrje të ndryshme…”

– Kishit pirë më parë?

“Nuk e di, Hyseni mund të kishte pirë më parë, por unë kisha marrë vetëm një gotë të vogël. Nuk më kujtohet se çfarë po thosha, por ai më ndërpreu dhe më shfryu me inat: Fijin nuk e ke ti, por e ka ai mut burri që ju pranoi ju kosovarëve në Shqipëri!”

– Nuk i kam thënë ashtu, – ndërhyra unë. – I kam thënë: fajin e ka ai mut burri që të ka pranuar ty këtu!

– Shkruaj, çështje personale, – i tha gjykatësi sekretares së tij.

Me sa dukej, kjo kishte qenë edhe akuza e rrezikshme politike për të cilën më kishin paralajmëruar dashamirësit e mi.

Mbas Ademit, në zyrë hyri Bardhyl Londo dhe ky, me sa më kujtohet, qe dëshmitari i fundit i atij gjyqi.

– A kishte pirë Hysen Sinani ditën e shtunë, me datë…, kur ishte dezhurn në shtypshkronjë?

“Kishte pirë, por gazetën ai e bëri.”

Kjo i dogji shumë gjykatësit, sepse ia rrëzonte të gjithë strategjinë ku unë kisha pirë, kisha fyer punonjësit, kisha lejuar edhe gabime në gazetë, kurse ky pohim i sekretarit të kolegjiumit të redaksisë së gazetës “Drita”, ia shembte motivacionin e thyerjes së rëndë të disiplinës në punë. Ndaj, pa asnjë takt, i bërtiti:

– Fol qartë, dëshmitar, kishte pirë apo nuk kishte pirë?

Ndërhyra unë:

– Zoti gjykatës i çështjes, mos e kërcëno dëshmitarin. I vetmi që tha diçka më të vërtetë se të tjerët, dhe i hakërrehesh, sikur të jetë i pandehur!

– Në rregull, mund të largoheni, – i tha Bardhylit, pastaj më mori mua mënjanë dhe më tha: – Shiko, Hysen, ke të drejtë ta tërheqësh padinë, që të mos mbetet vendimi i shkruar. Mundohu ta zgjithësh më mirë me Partinë.

Pa u menduar as edhe një çast, sepse e isha stëmenduar për atë gjyq krejtësisht formal, i thashë:

– Jo, e dua të shkruar vendimin e gjykatës, sepse dikur mund të shkruaj ndonjë roman dhe nuk dua të më thonë se kam trilluar…

– Si të duash, – tha gjykatësi dhe lexoi vendimin e përgatitur që më parë: Sot, në datën… duke u mbështetur në nenin nr… të kodit të punës, Hysen Sinani, duke qenë dezhurn në shtypshkronjë, ka pirë dhe kjo gjë konsiderohet thyerje e rëndë e disiplinës në punë… Nuk ka përsëritje të thyerjes së disiplinë, por ka një thyerje t rëndë, prandaj…

Asnjëherë nuk e lexova deri në fund këtë biçim vendimi nga një biçim gjykate partiake, e cila nuk kujdesej për personalitetin e saj as edhe për gjykimet më të parëndësishme. Madje, ai vendim nuk m’u desh asnjëherë si subjekt letrar dhe nuk m’u duk i nëvojshëm për krijimin e atmosferës së vërtetësisë as sot mbas gati dyzet vjetësh.


Etiketa: ,

Pas