Dy muaj pas nisjes së kontrollit, bilanci me 16 gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar, ka rikthyer debatin dhe ndarjen e madhe politike mbi besueshmërinë e vetingut. Çfarë del nga vendimet më pikante, sa do të zgjasë, a rrezikon të ndalet procesi dhe cila është zgjidhja për gjykatat bosh e magjistratët e rinj. Flasin Afrim Krasniqi dhe Fitim Zekthi
Nga Nevila Perndoj
Małgorzata Gersdorf ishte kryetare e Gjykatës Supreme të Polonisë, kur, një vit më parë, partia qeverisëse “Ligj dhe drejtësi” propozoi me votat e saj reformën kontroverse gjyqësore, që në thelb cenonte pavarësinë e gjyqësorit. E pezmatuar, ajo u ul në tryezën e punës dhe hartoi një letër publike drejtuar jo partisë konservatore në qeveri, por popullit.
“Ne jetojmë në botën e iluzionit, duke lexuar hijet e ligjeve…”, shkruante ajo.
Një vit më pas, situata nuk ka ndryshuar. Gjyqtares në karrierë iu kërkua në fillim të këtij muaji të lërë zyrën e saj, pasi një ligj i miratuar në Kuvend e kishte ulur moshën e pensionit për gjykatësit nga 70 në 65 vjeç, duke prekur për pasojë edhe atë.
Sot Shqipëria nuk është në një situatë të ngjashme me atë të Polonisë, por debati për fenomenin e ndryshimit të gjykatave është po aq i dukshëm sa edhe atje.
Ndryshe nga Polonia, sot për sistemin “pa gjykata” nuk po “bërtet” gjyqësori, por politika. Sepse kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori nuk është “Małgorzata Gersdorf”. Si gjyqtar me mbështetje nga të dyja kahet politike, (dikur edhe kandidat për President konsensual) ai ka kaluar në fije të perit testin e pasurisë mes polemikash kryesisht në rrjetet sociale. E vërteta në Gjykatën e Lartë është pirgu me rreth 27 mijë dosje të bllokuara. Kolegjet penale nuk janë më në funksion. Gjykata e Lartë duhet të ketë në përbërje 17 gjyqtarë. Vetëm 6 anëtarë janë aktualisht, 3 prej tyre kanë kaluar vettingun dhe tre të tjerë janë në pritje.
E njëjta situatë edhe me Gjykatën Kushtetuese. Si autoriteti më i lartë, Gjykata Kushtetuese nuk bën pjesë në sistemin gjyqësor të zakonshëm. Ajo është e ngarkuar ligjërisht të kontrollojë kushtetutshmërinë e ligjeve dhe të akteve të tjera normative.
Me ligj ajo përbëhet nga 9 anëtarë. Që ajo të funksionojë duhet të ketë të paktën pesë anëtarë. Aktualisht në zyrat e saj është kryetari, Bashkim Dedja ndaj të cilit ka një ankim nga Komisioneri Publik për ta apeluar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Apelimit dhe Vitore Tusha, e cila edhe pse e kaloi testin e pasurisë, asaj i ka mbaruar mandati. Vetëm formalisht Gjykata Kushtetuese rendit dy anëtarë, katër anëtarë janë shkarkuar si pasojë e vetingut Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari, dhe Fatos Lulo, një i dorëhequr për “arsye shëndetësore” në prag të vetingut, Besnik Imeraj, dhe dy të tjerë Vladimir Kristo dhe Sokol Berberi të dorëhequr më herët. Kuvendi i Shqipërisë ka hapur garën për një anëtar në gjykatën Kushtetuese, që në thelb nuk e zgjidh problemin. Kushtetuta sanksionon që vakancat në Gjykatë Kushtetuese të zëvendësohen me emërime të kryera nga tri institucione të tjera, me kushtin që renditja fillestare e listës së aplikantëve të bëhet nga një institucion i katërt i quajtur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Ky Këshill (që nuk ka ende shumicën) është paralizuar nga vetingu (edhe pse Kushtetuta parashikon që ajo e vijon detyrën paralelisht me vetingun). Pa të nuk mundësohet përbërja në Gjykatën Kushtetuese dhe as ngritja e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë që do të hetojë shkeljet e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Edhe ngritja e KLGJ-së dhe KLP-së duhet të ishte gati në muajin prill të këtij viti, por funksionimi i tyre mbetet ende “peng” i vetingut. 6 gjyqtarët dhe 6 prokurorët që duhen emëruar, nuk dihet se kur do të zgjidhen. Ky proces nuk pritet të kalojë pa debate sa kohë që edhe për pjesën tjetër të zgjedhur në këto dy organe mazhoranca dhe opozita në nënkomisionin e Posaçëm të Ligjeve nuk gjetën gjuhën e përbashkët në përzgjedhjen e anëtarëve jo gjyqtarë dhe ata jo prokurorë. Opozita fajëson mazhorancën se po kërkon të kapë sistemin e drejtësisë qoftë përmes procedurash ashtu edhe përmes selektimit të kandidatëve. Rasti i fundit sipas PD-së ishte ai i Ardian Dvoranit për të cilin pati diskutime në KPK, por e kaloi testin e pasurisë. PD-ja akuzon se KPK-ja ka vepruar me standard të dyfishtë në rastin e Dvoranit me argumentin se ky i fundit është kandidati i Edi Ramës për të plotësuar një vend në Gjykatën Kushtetuese. Së fundmi, PD-ja përmendi edhe emrin e gjyqtarit Ilir Toska, edhe ky sipas partisë më të madhe në opozitë kandidat i mazhorancës për në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Për të vijuar më tej me kontestimin që opozita ka për Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme e cila do të ketë rol të rëndësishëm në ngritjen e KLP-së. 6 anëtarë prokurorë të KLP-së do të zgjidhen nga Mbledhja e Përgjithshme e prokurorëve të të gjitha niveleve, pas një procesi përzgjedhës që bën Prokuroria e Përgjithshme. Pra, debati mbetet sërish te politika. Dhe ngritja e institucioneve të reja po peng i saj sa kohë që klima e mosbesimit ndaj palëve është në kulm. Dakordësia e fundit për reformën në drejtësi u dha më 22 korrik të dy viteve më parë. Paketa e ligjeve që shoqëroi reformën u shty disa herë duke sjellë efekt domino mbi të gjithë procesin. Partia Socialiste akuzon PD-në se politika e ndjekur me çadrën një vit më parë shtyu me 8 muaj ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, ndërsa PD-ja e cilëson të vdekur procesin dhe të paracaktuar me qëllim kapjen e drejtësisë. Zvarritje pati edhe në ngritjen e zyrave, përcaktimin e buxhetit nga ana e qeverisë dhe personelit të institucioneve të vetingut, duke ndikuar dukshëm në vonesat për vetingun. Sërish politikës i mbeten disa mekanizma që nuk pritet ta përshpejtojnë reformën. Kryetari i PD, Lulzim Basha kujtoi pak ditë më parë se një komision koordinimi siç e parashikonte Kushtetuta duhej të ishte ngritur më shumë se para një viti për të mbikëqyrur konstituimin e organeve të reja të drejtësisë. Situata mbetet kaotike edhe kur voliten akte nënligjore si pasojë e vonesave në zbatimin e reformës në drejtësi. Rasti me konkret është ajo me magjistratët e rinj. Për shkak të moskonstituimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Shkolla e Magjistraturës aktualisht ndodhet në pamundësinë e organizimit të provimit të pranimit për kandidatët për magjistratë, por edhe të mosemërimit të kandidateve për magjistratë, që janë diplomuar në muajin qershor. Në një kohë kur Këshillat nuk janë krijuar ende, dhe kandidatët e diplomuar nuk mund të emërohen dhe as të caktohen në pozicion, PS-ja ka propozuar që të lejojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm të emërojë dhe caktojë në pozicione kandidatët magjistratë të diplomuar, deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ky ndryshim ligjor kërkon 84 vota dhe PS-ja nuk i ka, duke kërkuar “borxh” kryesish te LSI-ja, që ende nuk ia ka premtuar.
Juristi Çlirim Gjata, ekspert i së Drejtës e sheh situatën si të kërkuar nga mazhoranca. “…Kjo reformë u bë e tillë që të mbeteshim pa gjykatat kryesore, atë Kushtetuese dhe atë të Lartë. Kjo shkon në favor të qeverisë, ajo mund të bëjë çfarë të dojë dhe s’ka kush e kontrollon. Askush nuk thotë asgjë. Askush nuk i thotë qeverisë asgjë, se s’ka kush e kontrollon. Kur shejtani shef djepin bosh, ku ta gjejë të veprojë. Ky sistem drejtësie, e ky Vetting është eksperiment që ndodh për herë të parë në historinë e njerëzimit në Shqipëri, asnjë vend nuk e ka kështu…”, tha ai në “Studio e Hapur”.
Ecuria e vetingut deri tani
-40 gjykatës dhe prokurorë në seanca dëgjimore
-19 e kanë kaluar kontrollin
-17 të rrëzuar
-4 pa vendim
Krasniqi: Reforma, një eksperiment ndërkombëtar, si i tillë, do të zgjidhet me presionin e tyre
Eksperti i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi thotë se, rezultatet e vetingut do të jenë shumë larg pritshmërive publike dhe se procesi do të zgjasë 8-11 vjet
Z.Krasniqi, si e vlerësoni deri më tani procesin e vetingut? Cilat në këndvështrimin tuaj kanë qenë rastet pikante dhe të diskutueshme?
Procesi real i vetingut ka ndodhur vetëm dy muajt e fundit. E gjithë periudha tjetër nga korriku 2016 ishte kohë e humbur dhe periudhë eksperimentale me vetingun. Me numrin e madh të vendimeve nga KPK në dy muajt e fundit është e qartë se vetingu po jep rezultatet e para. Ne po shohim se si njerëz të pushtetshëm dhe deri dje të paprekshëm sot po largohen nga sistemi, dhe ky është lajm trefish i mirë. Sepse tregon se edhe në një mjedis kaq korruptiv si Shqipëria operacione të thella antikorrupsion si vetingu mund të funksionojnë, sepse jep mesazh për prurjet e reja në sistem që të jenë më profesionale dhe më të ndershëm dhe sepse jep shpresë se të njëjtin model do të ndjekim më pas edhe në politikë.
A janë të gjitha vendimet e drejta?
Strukturat e vetingut janë bazuar kryesisht në njërin nga tre elementet e vlerësimit, vetëm në burimet e pasurisë. Shumica e detajeve janë të interpretueshme, ndaj ku ka interpretim, ka edhe debat mbi vendimmarrjen. Ndaj pritet që të gjithë kandidatët që rrëzohen nga KPK të kalojnë në Kolegjin e Apelimit dhe me siguri, shumë prej tyre edhe në Gjykatën e Strasburgut. Problemi është se nëse 60% e rasteve lidhet me pasurinë, çfarë ka bërë ILDKP gjatë 10 ditëve të fundit; nëse në 40% të rasteve ka informacion kritik nga DSIK përse është heshtur prej 10-15 vitesh prej tyre? Përse kemi paguar e vijojmë të paguajmë taksat tona për struktura që rezulton se nuk kanë bërë detyrën? Nga ana tjetër, është e habitshme sesi shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk kanë dhënë asnjë deklaratë mbështetëse për ndonjë vendim të strukturave të vetingut. Përse të mos distancoheshin nga anëtari i tyre nëse ka patur prova për korrupsion? Përse të mos tregojnë se janë pro reformës dhe pranimit të përgjegjësisë nëse ka përgjegjësi? Këto mendoj se janë problemi kryesor dhe për këtë nuk po flet asnjë.
Si i shikoni kritikat e PD-së dhe pasojat që po sjell vetingu duke boshatisur gjykatat?
Nëse opozita zgjedh të kontestojnë çdo vendim të strukturave të vetingut ajo është jo produktive dhe krijon idenë se është kundër reformës. Nëse ajo vlerëson rastet pozitive dhe kritikon rastet negative, do të sillej si opozitë konstruktive dhe do të ruante kredencialet e korrikut 2016. Deri tani ajo ka zgjedhur kontestimin në bllok, madje me disa kundërti. P.sh., PD zyrtarisht kërkoi që një gjyqtar i shkarkuar të hetohet penalisht për akuzën e dënimit në Itali, ndërkohë që dy ditë më pas figura e dytë më e rëndësishme në këtë parti e mori atë maksimalisht në mbrojtje. Pyetja është: cila është PD dhe cili flet në emër të saj? PD ka patur të drejtë në kritikat për të paktën dy raste, një në gjykatën Tiranë dhe një në Gjykatën e Lartë, por nuk ka pasur të drejtë në një numër më të madh rastesh kontestuese. Për më tepër, struktura e vetingut është zgjedhur me konsensusin e saj, me marrëveshje, dhe hyrja e elementëve të diskutueshëm në to mund të parandalohej edhe në kohën e marrëveshjes së majit 2017.
Sistemi aktual është në krizë. Gjykata Kushtetuese ka rënë, Gjykata e Lartë nuk është vendimmarrëse, KED ka humbur shumicën e anëtarëve dhe procesi do të vonohet edhe nga pushimet vjetore. Ekspertët e reformës, përfshirë ata ndërkombëtarë, nuk kanë qenë të përgatitur për këtë gjendje dhe kjo mbetet përgjegjësi e tyre profesionale. Nga ana tjetër, aktorët politikë që votuan reformën e korrikut 2016 duhet të gjejnë zgjidhje emergjente deri në zgjedhjen e qëndrueshme. Pritshmëritë pozitive janë se në nëntor ka mbaruar vlerësimi për 57 rastet e listës së parë dhe krijohet KED për të nisur procesin normal të kandidatëve për në Kushtetuese. Pritshmëritë pesimiste janë se konsensusi i heshtur antireformë i tri partive kryesore do të vijojë të jetë pengues dhe procesi i ngritjes së institucioneve të reja të zgjasë deri në pranverën e vitit 2019.
Në çdo rast ka katër përfundime të rëndësishme: e para, çdo reformë tani, sado problematike, është më e mirë sesa sistemi i korruptuar i drejtësisë që patëm para 2018; e dyta, ky është një eksperiment ndërkombëtar dhe si i tillë, do të zgjidhet/imponohet me presion ndërkombëtar duke pamundësuar konsensusin antireformë të partive të mëdha; e treta, rezultatet e vetingut do të jenë në çdo rast shumë larg pritshmërive publike, sidomos në kohë. Procesi do të zgjasë 8-11 vjet, dyfish më gjatë sesa politika u ka thënë qytetarëve. E fundit, në një shoqëri pa kulturë shtetërore e demokratike, të prirur nga lidhjet fisnore, krahinore dhe politike, sfida për shtet të së drejtës dhe pavarësi institucionesh është e mbetet sfidë jo e muajve apo viteve, por e dekadave të ardhshme.
Zekthi: Rama i ka të tria pushtetet, PD s’mund ta ndihmojë që t’i zgjerojë ato
Analisti Fitim Zekthi shprehet se është naive të mendosh se PS do të rregullojë gjyqësorin që ky i fundit të rregullojë politikanët
Si e vlerësoni deri tani procesin e vetingut. A ka qenë ai i drejtë, i paanshëm apo ka treguar se është i ndikuar nga politika apo lidhje të tjera?
Mënyra se si është ideuar ky proces nuk mund ta bëjë atë kurrë të drejtë. Do të ishte naive për këdo që ta mendonte si një proces të njëanshëm, me anë të të cilit politikanët (saktësisht Partia Socialiste) do të rregullojë gjyqësorin në mënyrë që ky i fundit të rregullojë politikanët. Vendimet që janë marrë deri më tani e tregojnë plotësisht këtë gjë. Të gjithë ata që janë rrëzuar apo janë konfirmuar, janë gjykuar mbi gjëra banale, janë gjykuar mbi përputhje apo mospërputhje në deklarimin e pasurive për vlera minore. Ky gjyqësor i korruptuar dhe i kriminalizuar, me pasuri miliona euro, që kanë liruar apo ndihmuar trafikantë, po bëhet objekt për disa metra katror apartament, për makinën me të cilën shkojnë fëmijët në shkollë, për hua ndaj prindërve, apo kredi për shtëpi etj. Nuk kemi asnjë rast ku të shohim një prokuror apo gjyqtar të verifikohet për aftësinë apo paaftësinë, për cilësinë e vendimeve që ka dhënë, për lidhjet me bandat apo me trafikantët etj. Është e gjitha një turp dhe procesi është i tëri i kontrolluar politikisht për fatin tonë të keq.
Çfarë përshtypje keni për rastet e Ardian Dvoranit, Artan Lazajt apo ndonjë tjetri?
Rasti i Ardian Dvoranit është ulëritës. Një jurist i lidhur me partinë e punës dikur, me partinë Socialiste sot, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë që po rri në detyrë prej katër vitesh pa mandat konfirmohet në detyrë. Gjyqtarë apo prokurorë me këtë profil do të kalojnë doemos vettingun pasi këta do të jenë zotërit e sistemit të ri. Tërë reforma në drejtësi konsiston që sistemi të jetë në kontroll të plotë të njerëzve me profil të tillë, të cilët dinë të përdredhin sistemin dhe të tërheqin fijet për t’i shërbyer kastës që duket se po bëhet e fortë aq sa ishte ndoshta edhe në vitin 1987 për shembull. Gjyqtari Lazaj duket se e ka ngrënë kot, për ndonjë inat personal. Parregullsitë për të ishin qesharake. Ai kishte vetëm një shtëpi dhe KLP nuk i gjeti ndonjë pasuri të fshehur. Pra Lazaj ndonëse një socialist i vjetër, ai ka mbrojtur PS si anëtar i KQZ, u nxor jashtë ose nga inatet ose për të bërë më të besueshëm konfirmimin e atyre që drejtojnë dhe do të drejtojnë sistemin si Dvorani.
Ka një debat për Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë të cilat kanë mbetur pa anëtarë. Si e gjykoni, a duhet opozita ta miratojë ligjin për magjistraturën?
Unë mendoj se opozita nuk ka pse të ketë asnjë dilemë për këtë çështje. Ligji për magjistraturën nuk duhet miratuar. Kryeministri sot kontrollon qeverinë (me të drejtë), parlamentin, prokurorinë e përgjithshme dhe gjykatat duke bërë që tri pushtetet të jenë në një dorë. Arsyeja pse kemi demokraci, pushteti t’u takojë njerëzve, nuk ekziston më. Arta Marku është prokurorja më e paaftë dhe më shërbestare e pushtetit politik që nga viti 1991. As Dragoshi, as Rakipi, as Sollaku, as Rama apo as Llalla nuk kanë qenë kaq shtojca të qeverisë sa Marku. Ndërsa Këshillin e Lartë të Drejtësisë nuk mund të thuash më asgjë, ai ka qenë i korruptuar dhe tashmë është edhe i gjymtuar. Kështu që do të ishte pa kuptim që opozita duke miratuar ligjin për magjistratët t’i jepte pushtete emërimesh prokurores shërbestare Marku dhe KLD-së së gjymtuar, dy institucione të kontrolluara nga kryeministri. Kryeministri i ka të tria pushtetet dhe opozita nuk mund të ndihmojë që ai të zgjerojë pushtetin që ka. Këta marrinat e ambasadorëve që kërkojnë nga opozita miratim të ligjit bëhen ose për arsye injorance ose për arsye korruptive të pastra. Me korrupsion nuk kuptoj domosdo ryshfet por përpjekje (korrupsion politik) për t’i dhënë pushtet antikushtetues kryeministrit.