Dikur

Kush e vrau Bajram Currin?







               Publikuar në : 08:58 - 14/01/15 |
mapo.al

bajram curriFotografi nga Kosova, Arben Llapashtica ka publikuar së fundi një foto të vjetër ku shihet një burrë malësor i shtrirë në tokë me diçiturën “Bajram Curri pak kohë pas vdekjes”. Një fotografi që po bën xhiron e rrjeteve sociale ka ngritur dyshime mbi vërtetësinë e saj dhe ka hapur debatin nëse “tribuni i vegjëlisë” është vrarë apo ka kryer vetëvrasje për të mos rënë në dorë të armiqve


 

Një burrë malësor i mbështjellë me çallmë të bardhë që i mbulon kokën, sytë dhe një pjesë të fytyrës, duke i lënë jashtë vetëm një palë mustaqe të errëta, shfaqet i shtrirë në tokë –nga pozicioni i trupit dhe duarve me gjasa i pajetë – ndërsa një burrë i veshur me kostum dhe me fes në kokë, një veshje e përdorur nga funksionarët e kohës, pozon pranë tij.

Janë pamjet e një fotografie të vjetër, e cila pretendohet të ketë përjetësuar momentet pas vdekjes së heroit Bajram Curri në shpellën e Dragobisë. Ajo çka duket në sfond i përngjet atmosferës së një fshati. Fotoja mendohet të jetë shkrepur nga fotografi gjakovar Ahmet Zherka.

Sipas nipit të fotografit, Nehatit, kjo foto tregon Bajram Currin pak pasi kishte kryer vetëvrasje. Ai ka rrëfyer se kjo pamje ruhej në negativët e trashëguar nga i gjyshi.

Ditët e fundit debati mbi autenticitetin e fotografisë është rikthyer, ndërsa fotografi dhe kameramani nga Kosova Arben Llapashtica e ka publikuar në faqen e tij të Facebook-ut këtë shkrepje me diçiturën “Bajram Curri pak kohë pas vdekjes”.

Llapashtica prej disa kohësh ka nisur një punë kërkimore duke mbledhur dhe restauruar fotografi të vjetra të Kosovës, duke i nxjerrë dhe përpunuar nga libra, monografi dhe gazeta të vjetra. “Shumica e fotografive janë në Arkivin e Kosovës dhe në Arkivin ndërkomunal.

Në shumicën e fotografive nuk kam informata të mjaftueshme” –shprehet ai, ndërsa shton se edhe autorët e këtyre fotografive në të shumtën e rasteve janë të panjohur.

Është një punë gati dhjetëvjeçare e Llapashticës për të mbledhur dhe përpunuara fotografi.

“Unë jam kameraman, autor i dokumentarëve dhe fotograf. Nuk është se e kisha marrë seriozisht këtë punë. Isha duke hulumtuar me një koleg mbi një temë tjetër dhe në një farë mënyre shfrytëzova mundësinë për t’i shpëtuar disa foto që gjenden në arkivin e Kosovës. Meqë nuk janë të dixhitalizuar , ato 17 kuti me foto që kam hasur i ka zënë myku” –thotë ai , ndërsa nënvizon që ka dëshirë që t’i ndajë me publikun jo vetëm punët e tij, por edhe këto fotografi të fondit të arkivave. Thotë se disa prej fotove që përbejnë Ciklin, i ka grumbulluar nga faqe të ndryshme interneti. Burra të Malësisë, fshatra, qytete, fillimet e automobilizmit, ndërtesa e objekte kulti janë ato çka shfaqen në pamjet e mbledhura dhe të përpunuara prej Llapashticës.

Sa i përket fotos që ka hapur shumë debate dhe ka qarkulluar në shumë website online, ai shprehet “Foton e Bajram Currit nuk di sesi e kam në kompjuterin tim. Një familjar, me gjasë, më ka dhënë informacione të sakta për foton” –pohon ai, ndërsa autori vazhdon të thuhet se është trupi i pajetë i Bajram Currit, pranë shpellës së Dragobisë e shkrepur nga fotografi Zherka, por nuk dihet asgjë sesi e ka fotografuar ai heroin e kërkuar nga forcat zogiste të asaj kohe për ta kapur dhe vrarë me çdo kusht dhe për çfarë arsye është realizuar kjo fotografi.

Ka mjaftuar shfaqja e kësaj fotografie, për të ngjallur edhe njëherë debatin e vdekjes së Bajram Currit.

Kundërshtar i hapur i Zogut dhe përkrahës i Fan Nolit, Ministri i Luftës në qeverinë e përkohshme të Hasan Prishtinës duke zëvendësuar Zogun, i përfshirë në revoltat kundër këtij të fundit, një zë i fuqishëm përpara Lidhjes së Kombeve për të drejtat e popullsisë shqiptare të Kosovës të shtypur egërsisht nga serbët, Bajram Curri kishte krijuar armiq përreth tij, duke u bërë kështu shënjestër për shumë që donin vdekjen e tij.

Pas dështimit të Revolucionit të qershorit të ’24 , sipas historisë Bajram Curri, i rrethuar nga trupat zogiste dhe serbe të prirë nga Ceno Kryeziu, kreu vetëvrasje në Shpellën e Dragobisë më 29 mars 1925 për të mos rënë në duart e armiqve.

Një histori në kufijtë e mitit, ashtu siç ishte edhe figura e Bajram Currit, nëntëdhjetë vjet pas vdekjes së tij, ka ende mjegulla mbi të vërtetën. Kush e vrau Bajram Currin? A e shkrepi ai vetë armën apo ishin armiqtë e tij që e përndoqën deri në grykat më të thella të maleve për ta vrarë?

Ahmet Zherka ka fiksuar në celuloid këto pamje të Bajram Currit vetëm pak çaste pas vetëvrasjes. Por ky mbetet ende një mister, i pavërtetuar për aq kohë sa autori i fotos nuk jeton. Thuhet se në negativët e Zherkës ekziston edhe një tjetër fotografi ku shfaqet një bandë e tërë në ndjekje të Bajram Currit. Ato gjysmë të vërteta që kanë qarkulluar nën zë, brez pas brezi në Malësinë e Gjakovës të kthyera tashmë në legjenda thonë se për vrasjen e tij ishte vënë një çmim, dhe ishin me qindra ata që i ishin vënë pas. I gjendur pa rrugëdalje, burri i Malësisë ka hequr xhamadanin për të mos e njollosur me gjak dhe me një plumb në kokë i ka dhënë fund jetës. Zëra të tjerë thonë se Ahmet Zogu nuk ka pasur gisht në vrasjen e tij, i vetëdijshëm se një veprim i tillë do të nxiste tërbimin e malësorëve që e admironin heroin e tyre. Thuhet se u vra nga bejlerët e Gjakovës në pabesi, në shpellë.

Gjakovarët e vjetër rrëfenin edhe një tjetër version të historisë; Bajram Currin e vrau truproja e tij. Sa i përket fotografisë, shumë i referohen burrit që qëndron në këmbë , me një qëndrim të ftohtë pranë trupit të pajetë të burrit kokëmbuluar, mund të ketë qenë ai që e tradhtoi, por jo vrasësi, sepse burra gjysmë-mite si Bajram Curri nuk mund të vriten, por e zgjedhin vetë vdekjen, ashtu siç shkruante Noli në elegjinë për mikun e tij… Thonë u shtri, e thonë u vra, Po ti s’vdiqe, or Baba, As te shkëmb’ i Dragobisë, As te zëmr’ e Djalërisë. As je vrar’ e as po vritesh Legjendar Ante po rritesh. Dithiramb i Dragobisë, Tmerr, panik i mizorisë. E vërteta edhe 90 vite pas, mbetet ende e pazbardhur…



CLOSE
CLOSE
Pas