Aktualitet

Kush është aleatja e Merkelit që do drejtojë Komisionin Europian






               Publikuar në : 23:33 - 16/07/19 |
mapo.al

Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen mori votat e mjaftueshme për t’u bërë presidentja e ardhshme e Komisionit Europian. Kësisoj ajo do të jetë gruaja e parë në krye të këtij posti të lartë të BE-së.


Ajo mori 383 nga 747 vota të mundshme, vetëm nëntë më shumë se minimumi për zgjedhjen e saj. 327 ligjvënës votuan kundër saj dhe 22 të tjerë abstenuan.

Pasi u komunikua votimi përfundimtar, ajo tha se qëllimi i saj është “për një Europë të fortë dhe të bashkuar“.

Me një fjalim pasionant para Parlamentit Europian sot dhe me një fushatë intensive gjatë ditëve të fundit ajo ka shpalosur konceptin e saj për BE-në.

Për një BE të fortë
Me premtimet e reja pёr temat si mbrojtja e klimёs dhe tё drejtat paramentare Ursula von der Leyen kёrkoi mbёshtetje pёr zgjedhjen si presidente e Komisionit tё BE-sё. Nё njё shkresё prej tetё faqesh ajo i ishte drejtuar edhe socialdemokratёve europianё duke deklaruar ndёr tё tjera se do tё ndёrmarrё njё nismё tё re pёr pakёsimin e emetimeve tё gazrave tё efektit serё. Deri nё vitin 2012 ajo do tё paraqesё njё plan pёr bisedimet mbi klimёn, se si “nё mёnyrё tё pёrgjegjshme” tё arrihet pakёsimi me 55 pёrqind i kёtyre gazrave nё atmosferё. Deri mё 2050 BE-ja duhet tё bёhet neutral ndaj klimёs.

Duke iu referuar kërkesasve tё socialdemokratёve politikania e CDU-sё premton se dёshiron tё arrijё vendosjen e kritereve ligjore pёr pagёn minimale nё mbarё BE-nё, dhe tё avancojё luftёn kundёr papunёsisё tek tё rinjtё. Programi i shkëmbimeve Erasmus duhet tё zgjerohet edhe pёr ata qё ndjekin shkollat profesionale. Lidhur me politikёn e refugjatёve ajo shpreson tek njё mekanizёm i ri pёr ndarjen e barrёs mes vendeve anёtare.

“E drejta pёr nisma ligjore” pёr Parlamentin e BE
Ndryshe nga deri mё sot, von der Leyen synon edhe njё rol mё tё fuqishёm tё Parlamentit tё BE-sё nё procesin legjislativ tё BE-sё, sepse deri tani vetёm Komisioni i BE-sё ka pasur tё drejtё tё ndёrmarrё nisma ligjore.

Sfidat me tё cilat përballet Europa, sipas von der Leyen, mund tё pёrballohen vetёm me vendosmёri dhe duke mbrojtur vlerat e pёrbashkёta, por edhe duke u angazhuar pёr njё shoqёri mё korrekte, mё tolerante dhe mё me barazi.

Von der Leyen pas emёrimit nga kryetarёt e shteteve dhe tё qeverive kёtё tё martё (16.07) kaloi me sukses, ndonëse me shumcië të vogël, votimin nё Parlamentin Europian.

Von der Leyen komunikoi një ditë më parë në Twitter, se do të tërhiqet nga posti i ministres së Mbrojtjes edhe pa qenë i qartë rezultati i votimit të së martës, me qëllim që t’i kushtohet më fort punës së saj në Europë. Deri në votimin përfundimtar ajo pati një betejë të ashpër, në Parlamentin Europian, pasi e paraqitur si kandidate kompromisi ajo nuk gjente përkrahje sa duhet kryesisht nga grupi i partive socialdemokrate europiane. Tё gjelbёrit dhe tё majtёt patёn deklaruar javën e kaluar, se nuk duan ta votojnё ministren gjermane tё Mbrojtjes.

Von der Leyen do të nisë detyrën si pasuese e Jean-Claude Juncker në krye të komisionit më 1 nëntor. Ajo është gjermania e parë që do të drejtojë ekzekutivin e BE-së që nga modernizimi i Bashkimit Europian. Diplomati gjerman Walter Hallstein ka qenë kryetar i Komisionit të mëparshëm të Bashkësisë Ekonomike Evropiane nga viti 1958 deri më 1967.

Karriera
60-vjeçarja ka lindur në Bruksel dhe ka qenë një aleate e ngushtë e kancelares gjermane Angela Merkel. Madje para disa vitesh media shkroi se ajo do të ishte pasardhësja e Merkelit.

Edhe pse i hyri vonë politikës (pas të 40-ve) politika nuk ishte e huaj për znj. von der Leyen. Babai i saj, Ernst Albrecht, ka qenë politikan i njohur dhe ish-drejtori i përgjithshëm i Komisionit Europian.

Në moshën 13-vjeçare, von der Leyen u shpërngul nga Brukseli në Gjermani bashkë me familjen. Ajo ka studiuar në Shkollën Ekonomike të Londrës dhe më vonë Mjekësinë, ku është specializuar në gjinekologji.

Von der Leyen hyri në politikë në moshën 43-vjeçare dhe ka qenë anëtare e partisë Kristiandemokrate të Merkel (CDU) që prej asaj kohe.

Von der Leyen u katapulua në politikën gjerman në vitin 2005, kur Merkel e emëroi ministre për çështjet e familjes, të moshuarit, gratë dhe të rinjtë. Katër vjet më vonë, ajo u zgjodh në Bundestag. Së fundmi znj. Von der Leyen mbajti postin e ministres së Mbrojtjes në Gjermani.


Etiketa: , ,

Pas